2011-08-20 15:15:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit kishtar ‘A’


Kush është Jezusi sipas jush? Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Leximet biblike të kësaj së diele na ndihmojnë ta njohim më tej e më thellë identitetin e Jezu Krishtit. Kush është Jezusi? Kjo pyetje qendrore dhe themelore e fesë sonë të krishterë, e cila në forma të ndryshme e përshkon tërë Ungjillin, jehon përsëri në pjesën ungjillore të kësaj së diele prej gojës së Jezusit e na drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejt e personale secilit prej nesh: kush është Jezusi për mua, për ty? Nga përgjigja në këtë pikëpyetje varët marrëdhënia jonë me Të.
Pra, pyetja qendrore e Ungjillit të kësaj së diele ka të bëjë me Jezusin:
”Ju, kush thoni se jam unë?”. Kjo pyetje është jashtëzakonisht aktuale: nga përgjigja varët mënyra se si ne e kuptojmë fenë, përvojën e krishterë, impenjimin tonë në jetën e Kishës. Të vetëdijshëm për këtë, t’i lutemi Zotit me fjalët e lutjes së dytë të meshës së kësaj së diele: “ faljau të gjithë njerëzve dritën e Shpirtit tënd, o Zot, që ta njohin në Jezusin e Nazaretit të Birin e Hyjit të gjallë, që është bërë gurë i gjallë për ndërtimin e Kishës tënde”.
Si teksti i leximit të parë nga Izaia profet (Iz 19-23) po kështu edhe pjesa e letrës së Palit drejtuar Romakëve(Rm11,30-36), nënvizojnë figurën hyjnore të Mesisë së dëftuar në Zotërinë Jezus. Ndërsa teksti i Ungjillit (Mt 16,13-20) që njihet edhe si “rrëfimi i Pjetrit”, i referohet misionit që Jezusi ia beson Pjetrit. Rrëfimi i fesë së Pjetrit si përgjigje në pyetje të Jezusit: “Po ju ç’thoni se kush jam unë?”, “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!”, bëhet tema udhëheqëse e kremtimit të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele: e derisa e çojmë ngadalë velin lartë mbi këtë mister që ka të bëjë me identitetin e Jezu Krishtit, vërejmë se nuk arrijmë dot kurrë ta zbulojmë, ta njohim e kuptojmë në mënyrë të mjaftueshme figurën e Krishtit, pasi që Ai e tejkalon përmasën e mendjes dhe të arsyes sonë njerëzore, këndej është shumë më i thellë se sa mund ta imagjinojmë. Krishti është njeri ndër njerëz e syri i pabesueshëm nuk di ta njoh. Në të vërtetë Ai vepron nga brendia në njeriun që beson në të dhe këtij i ofron mundësinë e pashtershme të çlirimit të vetes nga e keqja e të shpëtimit të përjetshëm.
Leximi i parë në një farë mënyre e paraprijnë temën e Ungjillit: atë të autoritetit që Zoti ia beson një njeriu në mënyrë që të jetë: ” babë për banorët e Jerusalemit…”
Plani i Zotit si plan shpëtimi trajtohet edhe nga leximi i dytë i kësaj së diele: para Zotit që e kërkon njeriun, besimtari nuk mund të gjejë diçka tjetër përveç se t’i lartojë himne lavdi, sepse “gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!”.
Kisha pra, e ka këtë detyrë dëshmimin e mirësisë së Zotit dhe udhëheqjen e njerëzve për të njohur në Krishtin afërsinë e dashurinë e Atit Qiellor: vetëm kjo e arsyeton ekzistencën e autoritetin në Kishë, shërbimi i saj në botë është porsi ai i Pjetrit, ta rrëfejë në Krishtin të Birin e Hyjit të gjallë. E çështja e autoritet është edhe një temë tjetër që trajtohen në Ungjillin e kësaj së diele. Autoriteti që Jezusi ia beson Pjetrit ka për qëllim ndërtimin e mbretërisë së Zotit, jo pushtetin mbi njerëz por udhëheqjen e tyre drejt Hyjit të gjallë, drejt jetës së përjetshme. Kështu leximet biblike të kësaj së diele, na ftojnë edhe ne të gjithëve, që me fjalët dhe dëshminë tonë, t’ia kumtojmë të gjithë vëllezërve tanë se Jezusi është Biri i Zotit, që ka ardhur për shëlbimin e të gjithëve. Liturgjia e Fjalës së ZotitLeximi i parë (Is 22, 19-23)
Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti Sebnës: “Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë baba për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij.

Fjala e Zotit.

Psalmi 138 (137)
Ref: Mos na braktis, o Zot, për dashurinë e besnikërinë tënde.

_____________________________
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
_____________________________
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
____________________________
Sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët
e prej së largu i dallon krenarët.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 11, 33-36)
Gjithçka është prej Tij, nëpër Të dhe për Të.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij! E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’
Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!
Fjala e Zotit
Ungjilli (Mt 15, 21-28)
Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’ thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.”
“Po ju – u tha atyre – ç’ thoni: kush jam unë?”
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.
Fjala e Zotit.
E tani më tepër, këtu mund t’i dëgjoni leximet dhe komentin e pjesëve biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.