2011-08-20 15:04:23

Katedralja e Zojës “la Real de la Almudena”


Katedralja e Shën Marisë “la Real de la Almudena” ngrihet përballë Pallatit Mbretëror. Filluar më 1883 mbi kishën e mëparshme, përfundoi pas njëqind vjetësh. Kushtimi i saj Zojës u kremtua nga i Lumi Gjon Pali II në vitin 1993, me rastin e udhëtimit të tij të katërt apostolik në Spanjë.
Imazhi i Zojës së Almudenës, Pajtore e Madridit, është një skulpturë e shekullit XVI, më e lashta që është ruajtur deri në ditët tona, pasi kulti njihet që nga shekulli XI. “Almudena” është term arab, që do të thotë “kështjellë” dhe i referohet pjesës së qytetit ku gjendet kisha.
Përzierja e stileve në katedralen e Almudenës tregon ndikimin, që ka pësuar kultura spanjolle në rrjedhë shekujsh, në veçanti, ndikimin arab, akoma shumë i fuqishëm në zonën e Madridit e përreth tij. Hyrja në katedrale paraqet trajta të qarta neoklasike, kripta është në stilin neoromak, ndërsa brenda, stili mbizotërues është neogotik, me maja e qemerë në gur të bardhë. Arkitektura e brendshme ka vënë në përdorim mermer të bardhë e mozaikë shumëngjyrësh, që zbukurojnë kupolat. Qemerët e ngushtë, ndërtuar sipas një harte në formën e kryqit latin, bashkojnë rrugëzat që të çojnë në elterin qendror në mermer jeshil. Kapelat përreth elterit qendror u kushtohen shenjtorëve bashkohorë. Brenda katedrales gjenden 14 figure të Udhës së Kryqit, realizuar në stil neogotik flakërues.
Katedralja mban deri në 1300 vetë. Në sheshin para saj, rreth 3000 seminaristë nga e gjithë bota do të ndjekin meshën përmes dy ekraneve të mëdhenj.







All the contents on this site are copyrighted ©.