2011-08-19 11:58:49

Të krishterë e myslimanë: të promovojmë përmasën shpirtërore të njeriut.


Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar dërgon, çdo vit, një shenjë miqësie e dialogu me botën myslimane, për Id al-fitr – mbylljen e muajit të Ramazanit, një muaji të veçantë urate, dashuria, bamirësie e solidariteti me të varfrit – u dërgon një mesazh përgëzimi e urimi myslimanëve. Mesazhi, si zakonisht ka si përmbajtje, urimet, përgëzimet dhe një reflektim mbi një temë të veçantë me interes të përbashkët.
Mesazhi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar për përfundimin e Ramazanit ‘Id al-Fitr 1942 H./2011 A.D.
Të krishterë e myslimanë: të promovojmë përmasën shpirtërore të njeriut.

Qytet i Vatikanit

Të dashur Miq myslimanë,
1. Përfundimi i muajit të Ramazanit i krijon Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar rastin e dëshiruar t’ju drejtojë urimet më të përzemërta që flijimet e bëra bujarisht gjatë këtij muaji, të japin frytet e shpresuara shpirtërore.

2. Këtë vit, na u duk e arsyeshme të theksojmë temën e përmasës shpirtërore të njeriut. Është një realitet me rëndësi të dorës së parë, si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët, posaçërisht përballë sfidave të materializmit e të shekullarizimit. Lidhja e çdo njeriu me trashendencën nuk është fryt i rrethanave të historisë. Është e shkruar në vetë natyrën njerëzore. Ne nuk besojmë rastësisht, por jemi të bindur se Zoti na prin në udhën tonë. E këtë e provojmë çdo ditë.

3. Si të krishterët e myslimanët, pavarësisht nga ndryshimet, e njohin dhe mbrojnë dinjitetin e njeriut, me të drejtat e detyrat e tij. Të dyja palët mendojnë se arsyeja e liria janë dhurata po aq të çmuara që duhet t’i inkurajojnë besimtarëve, t’i pranojnë këto vlera, që i kemi të përbashkëta, sepse mbështetën mbi të njëjtën natyrë njerëzore.

4. Ja, pra, pse të dyja palët kemi të njëjtin shqetësim: t’ua transmetojmë këto vlera njerëzore e morale breznive të reja. Na takon ne t’i ndihmojnë të zbulojnë ç’është e mirë e ç’është e keqe, t’u tregojmë se ndërgjegjja është shenjtërore, që duhet respektuar; se përmasa shpirtërore i bën njerëzit më të përgjegjshëm, më solidarë e më të gatshëm për t’i shërbyer së mirës së përbashkët.

5. Tepër shpesh të krishterët e myslimanët janë dëshmitarë të shkeljes e dhunimit të gjërave të shenjta dhe të mosbesimit ndaj atyre, që deklarojnë haptazi se janë besimtarë. Nuk mund të mos i dënojmë të gjitha format e fanatizmit e të frikësimit, të paragjykimeve e të polemikave, e sidomos, të diskriminimeve të besimtarëve në jetën shoqërore e politike, ashtu si edhe në fushën e mjeteve të komunikimit.

6. Jemi shpirtërisht pranë Jush, të dashur Miq. I lutemi e i kërkojmë Zotit t’ju japë forca të reja shpirtërore e ju urojmë përzemërsisht paqe e lumturi!

Jean-Louis Kardinal Tauran
Kryetar

Kryeipeshkëv Pier Luigji Çelata
Sekretar







All the contents on this site are copyrighted ©.