2011-08-19 17:27:55

Papa pedagogëve të rinj: universiteti nuk duhet të kufizohet tek kërkesat e tregut, por të frymëzohet nga e vërteta.


Pas takimit me rregulltaret e reja, Papa hyri në Bazilikën e Shën Lorencit, ku të bien menjëherë në sy qemeret, afreskuar nga Kambiazo e Xhordano dhe Kryqi i madh prej mermeri të bardhë, vepër e Benvenuto Çelinit. E shoqëronin Eprori i Agostinianëve të Manastirit të Eskorialit dhe 4 pedagogë të rinj universitarë; e prisnin, në një atmosferë vërtet të hareshme, njëmijë të tjerë, me mantelet e kapelet ngjyra-ngjyra, sipas fakulteteve ku japin mësim, duke krijuar, kështu, në këtë mjedis mahnitës, një mozaik të gjallë ngjyrash.
Benedikti XVI theksoi edhe para profesorëve, se gjithçka e mirë buron nga rrënjosja në Krishtin. Kujtoi, më pas, vitet e tij të para të punës si profesor, plagët e Luftës II Botërore, ende tejet të dukshme dhe entuziazmin, me të cilin u mjekuan e u shëruan këto plagë të rënda. I ftoi, në vijim, pedagogët, të mos formojnë vetëm njerëz, që u përgjigjen kërkesave të tregut:....RealAudioMP3
"Sabemos que cuando...
E dimë se kur dobia e pragmatizmi i menjëhershëm shikohen si kriter parësor, humbjet mund të jenë dramatike; duke nisur nga shpërdorimet e një shkence, që nuk njeh kufij, që e kapërcen vetveten, për të arritur deri në totalitarizëm politik. Ky totalitarizëm ringjallet lehtë, kur zhduket çdo lloj referimi, që ka epërsi mbi llogaritjet e thjeshta të pushtetit”.
E - vijoi Papa...:
"Por tanto, os animo encarecidamente...
Prandaj ju inkurajoj të mos e humbisni kurrë ndjeshmërinë dhe etjen për të vërtetën; të mos harroni se mësimdhënia nuk është vetëm komunikimi i dijeve, por kryesisht, formimi i të rinjve, të cilëve, mbi të gjitha, duhet t’u mësoni etjen për të vërtetën, duke u bërë për ta, stimuj force”.
Në një shoqëri të çrregullt e të paqëndrueshme, si e sotmja, të rinjtë kanë më shumë nevojë se kurrë për mësues, që bëhen mjeshtra të jetës, që u kujtojnë se rruga drejt së vërtetës është rrugë e mendjes dhe e zemrës, e inteligjencës dhe e dashurisë, por pa harruar edhe përvujtërinë, pa harruar se e vërteta nuk mund të pushtohet kurrë plotësisht.
Para se të fillonte fjalimin, Papën e përshëndetën kardinali Ruoko Varela dhe profesor Alejandro Rodriguez de la Peňa. E pas lutjes përfundimtare, Benedikti XVI dorëzoi, për bazilikën e Eskorialit, një portret të Shën Lorencit, realizuar me teknikën e mozaikut.

Akrepat e orës e kishin kaluar prej kohe 12-tën, kur Papa u largua nga bazilika, i përcjellë përsëri plot hare nga turma universitare, që tundte, si ylber, kapelet ngjyra-ngjyra. Ishte koha e drekës, të cilën Benedikti XVI e kaloi në Nunciaturën Apostolike. Në sofrën e Papës, përveç kardinalit Varela, u ulën edhe 12 mysafirë të rinj, me kombësi të ndryshme: një vajzë e një djalë për secilin kontinent, e, natyrisht, edhe një vajzë e një djalë me kombësi spanjolle që, në një farë mënyre, luanin rolin e të zotit të shtëpisë. Pas Papës, natyrisht. Takim miqësor, që zgjati më se një orë. Benedikti XVI kishte, në të dy krahët, përfaqësuesit e mbarë rinisë botërore
Pas një pushimi të shkurtër, për Benediktin XVI nisi veprimtaria e pasdites. Takimi i parë ishte ai me kryeministrin Hosè Rodriguez Zapatero, që filloi rreth orës 17.30. Në hyrje të Nunciaturës Apostolike Kryeministrin e pritën kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij dhe imzot Renco Fratini, nunc apostolik në Spanjë, të cilët e shoqëruan në një sallon, ku biseduan disa çaste, në pritje të arritjes së Papës në sallonin e ambasadorëve, aty pranë. Këtu u mbajt bisedimi privat ndërmjet Atit të Shenjtë e kryeministrit të Spanjës. Më pas, sipas protokollit, u shkëmbyen dhuratat, u paraqitën familjarët dhe bashkëpunëtorët e u bënë fotografitë zyrtare të rastit.Dita po shkonte drejt përfundimit, por jo për Papën. Për Atin e Shenjtë po shkonte drejt kulmit të saj, drejt njërës nga veprimtaritë më domethënëse të Ditëve Botërore të Rinisë: “Udhës së Kryqit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.