2011-08-19 13:21:47

Më 19 gusht kalendari përkujton shën Gjonin Eudes, meshtar


I lindur në Normandi në vitin 1601, Gjon Eudes de Mezerej, bir i një familjeje fisnike normane, vdiq në vitin 1680. Si u bë veprimtar e i devotshëm i Virgjërës Mari, hyri në Kongregatën e oratorit, krijuar në vitin 1611 nga meshtari e kardinali i ardhshëm Pjetër de Beryl , për të përgatitur predikatarë të mirë. Në vitin 1625 u shugurua meshtar dhe u dërgua në Kolegjin e Jezuitëve në Kaen, në Normandi. Sapo arriti, këtu u përhap epidemia e kolerës e ai u vu në shërbim të të sëmurëve aq, sa deri të vetët e izoluan nga frika se mund t’u ngjiste sëmundjen e tmerrshme vdekjeprurëse. Krejt i vetmuar në veprimtarinë e tij, flinte në një kullë sane, derisa e mori edhe ai vetë sëmundjen. Shpëtoi gjallë e, pas zhdukjes së epidemisë, rifilloi misionin në gjirin e popullit, duke iu kushtuar krejtësisht misioneve famullitare. I bindur se figura e meshtarit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e njerëzve, ia doli mbanesh të themelonte një seminar, hap i parë drejt krijimit të ‘Kongregatës së Krishtit e të Zojës’. Shën Gjon Eudes është apostulli më i zjarrtë i kultit liturgjik të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar. Në vitin 1641 themeloi dy kongregata rregulltare, një mashkullore e një femërore, kushtuar Zemrave të Shenjta të Krishtit e të Zojës. Për të kulti i Zemrave të Shenjta është kulti i njeriut, duke pasur parasysh se që aty buron dinjiteti e shenjtëria njerëzore. Themeloi, më pas, edhe një strehë për t’i hequr vajzat nga rruga e një Kongregatë rregulltare, për t’i ndihmuar të rikthehen në jetë, urdhrin e “Zojës Përdëllyese të Strehimit’.
Shkroi shumë vepra, ndërmjet të cilave më e njohura e më e lexuara është “Zemra e admirueshme e Nënës së Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.