Më 18 gusht kalendari Kishtar perkujton Martirët e Ulpianës afër Prishtinës: Shën
Florin e Laurin
Tradita dymijëvjeçare e krishterimit në trevat shqiptare, nuk mund të mos i falte
banorëve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorë vendas, ose ungjillëzues të trevave
ku banojnë sot shqiptarët. Dy prej tyre Kisha universale i kremton më datën 18 gusht:
janë Shën Flori e Shën Lauri. Për t’i njohur më mirë figurat e tyre po kujtojmë:
Sikurse dëshmohet prej burimeve kishtare, Dyrrah-u pati qysh në vitin 56 një ipeshkëv
të shuguruar. Në kohën kur Shën Pali shkelte në Durrës, atje nisi shërbimin një ipeshkëv
me emrin Cesar, i cili qe një nga martirët e parë të fesë së Krishtit, pra një nga
shenjtorët më të hershëm të krishterimit. I dyti ndër shenjtorët e botës iliro-shqiptare
është shën Ashti (apo shën Asti), gjithashtu ipeshkëv i Durrësit, i martirizuar në
vitin 117. Shën Jeronimi (Hieronymus), një nga katër dijetarët e mëdhenj të kishës,
që në shekullin e 4-t përktheu " Vulgatë-n", duke i dhënë Perëndimit të parin tekst
të shkrimit të shenjtë në latinisht, ishte nga Stridoni i Dalmacisë, vend i banuar
nga ilirët, gjë që e pohon vetë Shenjti në shkrimet e tij. Pak a shumë në të njëjtën
kohë, shën Niketa, i njohur edhe me emrin "shën Niketa i Dardanisë" apo "shën Niketa
i Remessiana-s" (tek sllavët: "sveti Nikita"), kompozoi himnoren e mirënjohur "Te
deum, laudeamus" - "Ty Zot të lavdërojmë". Të paktën që nga fillimi i shekullit të
kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë "Niceta of
Remessiana", dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë
shën Niketa shkruan me dorën e tij: "Dardanus sum" - jam dardan. Shenjtërit e martirë
të tjerë pasuruan traditën e krishtërimit në Shqipëri duke ardhur prej visesh ku,
për shkak të persekutimeve të jashtzakonshme, nuk patën mundësi të përhapnin Ungjillin
e Krishtit. Flori dhe Lauri, ose Floriani dhe Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit
binjakë, erdhën nga vise të largëta në shekullin e 2-të në Dardani, ku, me pëlqimin
e sundimtarëve vendës, ngritën një kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit.
Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të dhe, kur persekutimi u shtri edhe në
trevat ilire, u martirizuan në Kosovën e sotme, afër Prishtinës, duke mbrujtur kështu
tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin. Në fillimin
e shekullit të pestë, sipas dëshmive të Atë Zef Valentinit (1929), shën Gjon Gojarti
kaloi dy vite të vështira në brendësi të Ballkanit, saktësisht në tokën ilire. Një
dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko-shqipari Nikolaos Mystakidis bën
të ditur se kishës së Labovës perandori Justinian i dhuroi një copë nga druri i shenjtë
i kryqit të kryqëzimit të Krishtit dhe një dorëshkrim të artë të shën Gjon Gojartit. Tradita
e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri shën Sergji e Baku; në
jug shën Gjon Vladimiri, deri tek shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetëm
nuk ishte e largët për misionarët e shenjtë, por, madje, u krijonte atyre mjedise
zhvillimi të veprimtarisë ungjillëzore e kulturore si dhe lartësimi. Kjo nuk lidhet
vetëm me krishtërimin, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Për ilustrim po lexojmë
të plotë letrën e Ali pashë Tepelenës drejtuar të bindurve të tij, me porosinë për
ringritjen dhe ruajtjen e manastirit të shën Kozmait: "Juve rum të nahijes së Beratit,
myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop
që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni
dhe ju si t'ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk
do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do të paguajnë dyfish.
Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. (Në Gjirokastër, më 12 shtator
1813" ("Kodikët e Shqipërisë", bot. i DPA & Unesco-s, Tiranë 2003, f. 48) Dijetari
austriak, Teodor Ippen shkruan se në malet e Shqipërisë së Veriut dikur shiheshin
portrete shenjtorësh të kohës së paleokrishtërimit. Kjo nuk është provuar dhe as mohuar
nga ndonjë studiues i mëvonshëm. Por në një përmendore tjetër të kulturës tradicionale,
në të drejtën etnozakonore shqiptare, thuhet se "shtëpia e shqiptarit është e Zotit,
e mikut dhe e shtegtarit", shprehje kjo e mirënjohur për të gjithë, por, për fat të
keq pa shtojcën: "Kujdes, sepse nuk dihet kush troket: shenjti a përderësi".