2011-08-18 16:02:50

Papa gazetarëve në udhëtim drejt Madridit: DBR-së, një rreze drite që ndriçon praninë e Zotit në botë. Ekonomia nuk duhet të ketë si synim vetëm përfitimin


Gjatë fluturimit për në Madrid, Benedikti XVI, sipas traditës, është përgjigjur në disa pyetje që i drejtuan gazetarët. Papa nënvizoi rëndësinë e DBR-së jo vetëm për të rinjtë, por edhe për mbarë Kishën. Këndej, duke përgjigjur mbi krizën aktuale ekonomike, ripohoi se njeriu e jo përftimi duhet të jetë në qendër të ekonomisë.
DBR-së “e lidhë botën e Zotin”, dhe është “një realitet i rëndësishëm për të ardhmen e njerëzimit”: kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë bashkëbisedës së tij me gazetarët që e shoqëronin në avion gjatë fluturimit drejt Madridit, e vuri theksin mbi vlerën e jashtëzakonshme të Ditëve Botërore të Rinisë, që janë dhuratë dhe frymëzim i të Lumit Gjon Palit II:
“Do të thosha se këto DBR-së janë një sinjal, një kaskadë drite; japin një pamje feje, e bëjnë të dukshme praninë e Hyjit në botë e kështu e përforcojnë guximin dhe të qenit besimtarë. Shpesh besimtarët ndjehen të izoluar në këtë botë, gati gati të humbur. Këtu ata shohin që nuk janë të vetëm, se ekziston një rrjetë e madhe feje, se ekziston një bashkësi e madhe besimtarësh në botë, se është gjë e bukur ta jetosh këtë miqësi universale”.
DBR-së, tha në vijim Papa, nuk janë një “ngjarje e izoluar”, janë pjesë e një udhe më të madhe që kërkon më shumë se një parapërgatitje teknike. Prandaj, kam ofruar një reflektim mbi udhëtimin që fillon pas këtyre ngjarjeve të mëdha kishtare:
“Më duket se DBR-së duhet të konsiderohet në këtë këndvështrim e kuptim, si shenjë, një pjesë e udhëtimit të madh, krijon miqësi, hap kufijtë dhe e bënë të dukshëm faktin që është gjë e bukur të jesh me Zotin, se Zoti është me ne. Në këtë kuptim, duam të vazhdojmë me këtë ide të madhe të të Lumit Gjon Palit II”.
Pyetja tjetër që iu drejtua Papës Benediktit XVI u përqendrua mbi krizën aktuale botërore ekonomike, efektet negative të së cilës ndjehen sidomos tek të rinjtë:
“Në krizën aktuale ekonomike konfirmohet ajo që është shfaqur edhe në krizat e mëdha të mëparshme, se përmasa etike nuk është diçka e jashtme dhe e shkëputur nga problemet ekonomike, por një përmasë e brendshme dhe themelore e saj. Ekonomia nuk funksionon vetëm me vetë-rregullimin tregtar, por ka nevojë edhe për përmasën etike për të funksionuar e për ti shërbyer njeriut”.
Benedikti XVI përkujtoi këtu mësimet shoqërore të Papës Gjon Palit II e në mënyrë të veçantë pohimin se “ekonomia nuk duhet të matet sipas përfitimit maksimal, por sipas së mirës dhe mirëqenies të të gjithëve”. Kështu Ati Shenjtë Ratcinger nënvizoi domosdoshmërinë e mos anashkalimit të vlerës së përgjegjësisë. Evropa, vërejti Papa, duhet të mendon edhe për problemet ekonomike të atyre, që në vise të tjera të botës, vuajnë nga uria e nuk kanë të ardhme. Akoma, Papa nguli këmbë tek përmasa e përgjegjësisë ndaj brezave të ri:

“Nëse të rinjtë e sotëm nuk gjejnë perspektiva në jetën e tyre, atëherë edhe e sotmja e jonë është e gabuar dhe ‘e keqe’. Prandaj, Kisha me doktrinën e saj shoqërore, me doktrinën e saj mbi përgjegjësinë e Zotit, nxit të hiqet dorë maksimalisht nga përfitimi e gjërat të shikohen në përmasën humaniste e fetare, do të thotë të ndihmohet njëri-tjetri”.
“Të gjithë përherë duhet të kërkojmë të vërtetën, vlerat e vërteta”, vijoi Papa duke treguar në të drejtat themelore të njeriut “thelbin e vlerave” të përbashkëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.