2011-08-18 12:09:20

Madridi


Kryeqytet e qyteti më i madh i Spanjës, 667 metra mbi nivelin e detit, numëron 3, 5 milionë banorë, 5.5 milionë bashkë me rrethinat. I vendosur në brigjet e lumit Manzanarre, nisi të banohej që në kohë parahistorike, për t’u pushtuar, më pas, nga romakët, vizigotët e arapët. Zanafilla moderne e qytetit duhet kërkuar rreth shekullit IX, kur emiri arap Muhamedi I ndërtoi këtu një seli mbretërore, rrethuar nga muret e një kështjelle të vogël, në arabisht, al-mudaina. Më 1085 qyteti u çlirua nga Mbreti Alfonsi VI i Leonit e Kastilies. Viti që shënoi kthesën e madhe për qytetin, ishte 1492-i, kur Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën e mbi trojet spanjolle ra e fundmja fortesë myslimane, ngjarje që i sollën qytetit paqe e pasuri. Shumë hebrenj sefarditë (sefarditë, nga hebraishtja: ספרד - Sefarad, Spanjë") e arabë myslimanë, vijuan të jetojnë në qytet, deri në dëbimin e tyre gjatë rifitimit të lirisë, aty nga fundi i shekullit XV. Më 1561, me vendim të Filipit II, Madridi u bë seli e oborrit mbretëror – “Villa y Corte” dhe kryeqytet i mbretërisë. Pas shumë tronditjesh, që pasuan njëra- tjetrën, Madridi rilindi, duke nisur nga viti 1759, me krijimin e kopshteve e të pallateve të mëdha, ku punuan disa nga artistët më të njohur të kohës. Në shekujt XVII- XIX qyteti u zmadhua e lulëzoi. Më 1808, Napoleoni uli mbi fronin e Spanjës vëllain e tij, Jozefin, duke ndezur, kështu, flakën e kryengritjes në mbarë Spanjën, posaçërisht në Madrid. Nisi guerrilja, lufta partizane, që e theu forcën e fronit të Bonapartit të pathyeshëm. Fjala hyri në të gjitha gjuhët kryesore të botës. Në përfundim të luftës, në fron u rikthye Ferdinandi VII, që vendosi një regjim despotik e reaksionar. Gjatë luftës civile spanjolle, më 1939, qyteti ra në dorë të forcave të Francisìco Frankos.
Nga viti 1983 Madridi është kryqendra e Komunitetit të Pavarur me të njëjtin emër. Duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit XX, në Madrid zhvillohen me vrull të gjithë sektorët e industrisë (kimike, metalurgjike, mekanike, elektronike, farmaceutike etj. etj.). Vitet e fundit, përveç veprimtarive administrative dhe institucionale, në kryeqytet po lulëzon edhe turizmi, kultura e veprimtaritë dëfryese. Vendet që meritojnë të vizitohen, janë: Muzeu Prado, Muzeu Thyssen- Bornemisza, Qendra e Artit Modern “Reina Sofia” (ku mund të admirohet “Guernica” e Pablo Pikasos); Pallati Mbretëror; Puerta del Sol (ku është vendosur pllaka e kilometrit zero të rrjetit rrugor të Spanjës); Plaza Mayor (ku për çdo fund jave organizohet tregu i numizmatikës, ndërsa për Krishtilindje, ai i Shpellave të Betlehemit); Parku del Retiro e, afër tij, “Real Monasterio di El Escorial”. Për t’u shënuar, në përfundim, kisha e vogël kushtuar Shën Nëkollit të Barit, pranë Sheshit Mayor si dhe dy manastire: de las Descalzas Reales (1557) dhe de la Encarnación (1611).







All the contents on this site are copyrighted ©.