2011-08-18 12:10:34

Kuriozitet nga DBR-së: një rregulltare 103 vjeçe, do të dalë nga klauzura e kuvendit për të parë Papën


“Gjatë gjithë rrugës do t’i mbaj sytë të mbyllur, për të shmangur çdo lloj habie”. Kështu shprehet Motra Terezita, në shekull Valeriana Barajuen, rregulltare 103 vjeçe, e cila, pas 84 vjet klauzure, do të dalë për të parë Papën (jo botën), ndonëse – shton - vetëm për pak çaste, për t’u rikthyer menjëherë në kuvend. Rregulltarja cistercense spanjolle, e lindur në Valeria, në vitin 1908, e kaloi pothuajse gjithë jetën në kuvendin e Buenafuente të Sistalit (100 km në verilindje të Madridit), në provincën e Guadalaharës, ku hyri kur ishte 19 vjeçe. Shkeli në portën e kuvendit pikërisht ditën kur, në Marktl am Inn, dioqeza e Passau (Germani), lindte Ai, që do të bëhej Papa Benedikti XVI. Ishte data 16 prill e vitit 1927. Kremtohej e Shtuna e Madhe, Nata Pashkëve të Ngjalljes. Është hera e dytë që Motra Terezita del nga klauzura. Herën e parë e detyroi të dalë situata dramatike e Luftës civile spanjolle (1936-1039). Të dytën, takimi me Papën, i cili ka të njëjtën moshë me klauzurën e saj. Në një nga intervistat, tepër të rralla, dhënë gjatë jetës së saj, duke biseduar me shkrimtarin Jesús García, që po shkruante një libër, kushtuar murgeshave të klauzurës, ai deshi të dinte si i kishte kaluar 84 vjet e vetmbyllur mbrenda katër mureve. Përgjigja, pa asnjë ngurrim, ishte: “Kam qenë gjithnjë tepër e lumtur!”.
Motra 103 vjeçare ka shkruar edhe një libër, me titull: “ Ç’bën një vashë, si ti, në një vend, si ky”, për të shpjeguar pasurinë dhe lumturinë, që buron nga jeta e Karmelit.Thua do të dalë edhe një herë të tretë nga kuvendi, motër Terezita? Cili do të jetë ai rast fatlum?







All the contents on this site are copyrighted ©.