2011-08-18 13:16:37

Benedikti XVI në Madrid i fton të rinjtë të dëshmojnë aventurën e mrekullueshme të fesë. Botës ekonomike i kërkoi përgjegjësi për botën e për të ardhmen


Posa arriti sot në Madrid Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të jenë dëshmitarë të shpresës e të besimit. Kriza aktuale ekonomike në botë konfirmon nevojën e etikës për ta vënë ekonominë në shërbim të njeriut, tha Papa me thirrjen për përgjegjësi para botës e para së ardhmes së njerëzimit.
Çelësat e Madridit në dorën e Papës Benedikti XVI. Me këtë simbolikë të bukur filloi festa e mikpritjes e të rinjve të Ditës Botërore të Rinisë, të cilët do të mblidhen sonte, në muzg, në Plaza de Cibeles të kryeqytetit spanjoll për të përshëndetur ardhjen e Atit të Shenjtë në mesin e tyre. Ditë e shënuar pra, për rininë shumëngjyrëshe, e cila nga 16 deri më 21 gusht, dëshmon fenë e saj para botës, në takimin me temë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë ne fe”. Çelësat e Madridit i dorëzohen Papës nga kryetari i bashkisë në Puerta de Alcalà, porta e hyrjes së kryeqytetit spanjoll.
Që në ceremoninë e mirëseardhjes në aeroport, Benedikti XVI e bëri të qartë se qëllimi i udhëtimit të tij është takimi me të rinjtë e përforcimi i tyre në fe:
“Jam këtu për t’u takuar me mijëra të rinj nga e gjithë bota, katolikë, me interes për Krishtin, ose në kërkim të së vërtetës, që i jep kuptim jetës. Vij si Pasardhës i Shën Pjetrit për t’i përforcuar të gjithë në fe, duke jetuar disa ditë veprimtarie intensive baritore për të shpallur se Krishti është Rruga, e Vërteta dhe Jeta; (vij) për t’i dhënë shtysë impenjimit për ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit mes nesh; (vij) për t’i nxitur të rinjtë të takohen personalisht me Krishtin Mik e kështu, të rrënjosur në Personin e tij, të shndërrohen në dishepuj besnikë e në dëshmitarë të guximshëm”.
Po të rinjtë pse kanë ardhur në Madrid, pyeti Benedikti XVI. Jetojnë në shoqërinë e dukjes, ndeshen përditë me konsumizmin e hedonizmin, me banalizimin e seksualitetit, me mungesën e solidaritetit e me korrupsionin, që mbretëron kudo. E dinë, nënvizoi Papa, se pa Zotin është e vështirë të përballohen këto sfida. Gjatë Ditës Botërore të Rinisë, mund të bashkojnë aspiratat e tyre me atë të të rinjve të tjerë, të shkëmbejnë pasurinë e kulturave dhe të përvojës së tyre, mund të frymëzojnë njëri-tjetrin në rrugën e fesë e të jetës, ku disa prej tyre ndihen të vetëm. Por Krishti nuk i lë vetëm. Ati i Shenjtë pranoi se nuk mungojnë vështirësitë. Në shumë vende të botës derdhet gjak dhe drejtësia e vlerat njerëzore u nënshtrohen interesave egoiste, materialiste e ideologjike:
“Shumë të rinj e shohin me shqetësim të ardhmen para vështirësisë për të gjetur një punë të denjë, ose sepse e kanë humbur atë, ose sepse paguhet keq dhe është e pasigurtë. Të tjerë kanë nevojë të paralajmërohen për të mos rënë në rrjetin e drogës, ose kanë nevojë për asistencën e duhur, nëse, fatkeqësisht, kanë rënë në këtë rrjet. Jo pak, për shkak të fesë së tyre në Krishtin, vuajnë diskriminime, që arrijnë deri në përbuzjen e në persekutimin e hapur, ose të fshehtë…duke dashur t’i largojnë nga Krishti… Ndërsa unë dua t’u them të rinjve me gjithë forcën e zemrës: asgjë e askush të mos iu largojë nga paqja; mos u turpëroni nga Zoti. Ai nuk pati rezerva për t’u bërë njëri prej nesh e për të provuar ankthet tona, që t’ia çonte ato Zotit, duke na shëlbuar”.
Në këtë kontekst, përfundoi Papa fjalën e tij në ceremoninë e mirëseardhjes, në aeroportin ndërkombëtar “Barajas” të Madridit, është urgjente të ndihmohen të rinjtë, dishepuj të Jezusit, të qëndrojnë të patundur në fe e ta dëshmojnë atë me jetën e tyre:
“Një dëshmi e guximshme e plot dashuri për të afërmin, e vendosur dhe e kujdesshme njëkohësisht, pa e fshehur identitetin e krishterë, në një atmosferë bashkëjetese plot respekt për opcione të tjera të ligjshme, duke pretenduar edhe respektin e duhur për tonin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.