2011-08-17 15:41:05

Tre skenarë për zgjidhjen e krizës në Siri: ndërhyrje e jashtme, e ushtrisë, ose luftë civile


Regjimi i Bashar al-Asadit do të bjerë pas pak kohe, ndoshta pas disa javësh. I bindur për këtë është disidenti sirian, Haitham Maleh, i cili në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, deklaron se në bazë të krizës qëndrojnë probleme ekonomike. Forcat e rendit janë lodhur së shkuari pas presidentit e protestuesit janë të vendosur të shkojnë deri në fund: këto mund të jenë arsye të tjera, që e shpejtojnë fundin e regjimit, i cili edhe dje shkaktoi 42 viktima në zonën e Latakies. Sipas Malehut, Bashar al-Asadi nuk mbështetet më as nga pakica alauite, së cilës i përket, pasi shumica e alauitëve nuk kanë përfituar asgjë nga regjimi e janë të varfër edhe sot e kësaj dite.
Disidenti, për vizitë në Londër, përvijon tre skenarë, që do të çojnë në rënien e diktaturës së al-Asadit. Së pari, një revoltë e mundshme nga ana e ushtrisë, që për të do të ishte “normale”. “Kemi dy lloj ushtarësh në Siri – shpjegon Maleh – Tipi i parë janë ata, që i përgjigjen Maher al-Asadit (vëllait të presidentit). Janë 60 mijë vetë, që e mbrojnë regjimin, si të mbronin familjen. Pjesa tjetër e ushtrisë i përgjigjet ligjit e ndokush prej tyre do të veprojë kundër regjimit. Nëse do ta bëjnë këtë, do të ketë ndryshime. Familja e Asadit do të ikë nga Siria e atëherë mund të fillojmë ndryshimin e së ardhmes së vendit”.
“Skenari tjetër – vazhdon Maleh – është presioni nga jashtë, nga bashkësia ndërkombëtare. Ndoshta, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta çojë Sirinë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në atë rast, ndoshta Asad do t’ia lerë pushtetin Faruk al-Sharaasë, zv.presidentit, gjë që do t’i hapë rrugën krijimit të një qeverie të re me parti jo personale e me mundësi për ndryshime në të ardhmen. Kjo është një strategji tjetër”.
Hipoteza e tretë, për disidentin sirian, është lufta civile. “Kjo është shumë e rrezikshme – pranon ai. – Në Siri, pjesa më e madhe e njerëzve ka armë, por deri tani nuk i ka përdorur. Nëse gjendja ndryshon e regjimi do t’i detyrojë njerëzit të përdorin armët, situata mund të keqësohet. Nuk kemi nevojë për këtë”, përfundon Haitham Maleh.
Në një çast, kur sipas gazetës amerikane “Washington Street Journal”, regjimi i Bashar al-Asadit ka filluar përndjekjen e disidentëve jashtë shtetit dhe të familjeve të tyre në Siri, idetë e Malehut nga Londra duken si vezët e fshatarit, që donte të bëhej me kope, por pastaj mbeti pa gjë, sepse i ranë përtokë e iu thyen. Koha do të tregojë nëse ndonjëri nga skenarët e paraqitur prej tij do të realizohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.