2011-08-17 15:40:23

Papa në audiencën e përgjithshme: e pres me gëzim takimin me të rinjtë, në Madrid.


Nga Kastel Gandolfo - në Madrid: në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI përshëndeti simbolikisht të rinjtë e mbarë botës, përfaqësuesit e të cilëve po mblidhen në kryeqytetin e Spanjës, për Ditën e tyre të 26-të Botërore. Papa i porositi besimtarët të luten për këtë ngjarje të rëndësishme si dhe për shtegtimin e tij apostolik në trojet spanjolle, ku do të shkelë nesër, për të tretën herë.
Pas përshëndetjeve në gjuhën spanjolle e polake, edhe përshëndetja në gjuhën italiane, drejtuar të rinjve të pranishëm në audiencë, por edhe atyre që tanimë janë për rrugë, ose kanë arritur në dioqezat që i përbujnë, para se të dynden drejt kryeqytetit, për ‘ta pushtuar’ me zjarrin e tyre rinor, duke i bindur të gjithë se janë vërtet “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”, moto e kësaj Dite të madhe:
“Nesër, siç e dini, do të jem në Madrid, ku do të kem gëzimin të takoj shumë të rinj, mbledhur atje për Ditën XXVI Botërore të Rinisë. Ju kërkoj të merrni pjesë shpirtërisht përmes lutjes, në këtë ngjarje të rëndësishme kishtare. Ju falënderoj për lutjen tuaj”.
Në katekizëm, kushtuar kryesisht Solemnitetit të të ngjiturit të Zojës në Qiell, festë e shpresës, Papa i nxiti përsëri besimtarët të luten, ‘të kenë gjithnjë kohë për Zotin”, pavarësisht nga veprimtaritë dhe shqetësimet e përditshme, që nuk kanë të sosur. Virgjëra Mari – tha Papa – arriti në Parajsë, duke na e hapur të gjithëve rrugën drejt Mbretërisë qiellore. Tani secili nga ne mund ta ndjekë pas. Po si është e mundur? – pyeti në vijim Papa - për t’i dhënë edhe përgjigjen kësaj pyetjeje, themelore për gjithë harkun e jetës së çdo njeriu:
“Maria, kujton Ungjilli, është ‘Ajo që besoi në përmbushjen e premtimit të Zotit’ (Lk 1,45). Maria besoi, e lëshoi gjithë vetveten në dorë të Zotit, hyri në vullnetin e Zotit. Kështu hyri në udhën e drejtë, në udhën që të çon drejt e në Parajsë. Të besosh, ta lëshosh veten në dorë të Zotit, të bësh vullnetin e tij: ky është drejtimi kryesor”.
Më pas Papa u ndalua tek një aspekt i veçantë i lutjes: meditimi. Meditim – shpjegoi Benedikti XVI – do të thotë ‘të kujtosh’ ç’ka bërë Zoti, të sjellësh në mend veprat e Hyjit, mirësinë e tij të amshuar:
“Ne shpesh shikojmë vetëm gjërat negative; ndërsa po të ruash në kujtesë gjërat pozitive, dhuratat, që na ka bërë Zoti; po të jesh i vëmendshëm ndaj shenjave pozitive, që na vijnë nga Zoti, do të thotë të kujtosh vetë veprat dhe mirësinë e Atij të lumit”.
Papa i nxiti, kështu, besimtarët, të ndjekin shembullin e Marisë, e cila jo vetëm që e jetoi plotësisht jetën e vet, i kreu me kujdesin më të madh detyrat e veta, e përmbushi me fund misionin e saj si nënë, por gjeti gjithnjë kohën e duhur për të reflektuar mbi Fjalën e Zotit e vullnetin e Tij. Model posaçërisht aktual për njeriun e sotëm, që shpesh rrëmbehet nga ritmet e ethshme të jetës:
Në kohën tonë na pushtojnë plotësisht shumë veprimtari e impenjime, shqetësime e probleme; shpesh përpiqemi t’i mbushim të gjitha skutat e ditës, pa asnjë çast të lirë, pa asnjë ndalesë, që mund të na shërbejë për të reflektuar e për ta ushqyer jetën tonë shpirtërore, në takim me Zotin. Maria na mëson sesa rëndësi ka të gjejmë, në ditët tona, pavarësisht nga veprimtaritë, edhe çastet e nevojshme të heshtjes e të meditimit mbi atë, që dëshiron të na mësojë Zoti, mbi praninë e Tij e veprimin e tij në jetën tonë; na mëson të jemi të aftë për t’u ndaluar një çast e për të medituar”.
Papa, me fjalët e Shën Agostinit e të Shën Bonaventurës, kujtoi se misteret e Zotit duhen 'përtypur mirë', duhet të na kumbojnë vazhdimisht në shpirt, derisa të bëhen krejt familjare. Ka disa mënyra për të medituar, vërejti Benedikti XVI. Mund të lexosh një fragment nga Shkrimi i Shenjtë, të shfletosh ndonjë faqe nga autorët e shquar të përshpirtërisë, ose mund të thuash Rruzaren. E përfundoi kështu, katekizmin, duke u kërkuar përsëri besimtarëve të mos shkëputen për asnjë çast nga Zoti, të gjejnë gjithnjë kohën e përshtatshme për të biseduar me Të:
“Të dashur miq, këmbëngulja për të gjetur kohën e duhur, kushtuar Zotit, është themelore në jetën tonë shpirtërore; vetë Zoti do të na e japë kënaqësinë, që buron nga shijimi i mistereve të tij, i fjalëve të tij, i pranisë dhe veprimit të tij, duke na bërë të provojmë sa gjë e bukur është të dëgjosh zërin e Zotit, që na flet, që na bën të kuptojmë ç’dëshiron nga ne. Në fund të fundit, ky është edhe qëllimi i meditimit: ta lëshosh gjithnjë më shumë veten në dorën e Zotit, me besim e dashuri, i sigurt se vetëm duke bërë vullnesën e tij, mund të jesh, më në fund, me të vërtetë i lumtur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.