2011-08-17 12:07:01

Pajtorët e Ditës Botërore të Rinisë në Madrid: shën Injaci i Lojolës dhe shën Françesk Saveri


Vazhdojmë t’ju njohim me Pajtorët e DBR-së në Madrid. Në krye të tyre, Zoja e Almudenës, ndërsa dje ju folëm për bashkëshortët shën Isidro Labrador e shën Maria de la Cabeza. I treti, i mirënjohur, është shenjti jezuit Injaci i Lojolës. Lindi pikërisht në Lojola e pas një rinie kaluar mes studimeve, Oborrit mbretëror e detyrimeve ushtarake, mbërriti për të kthesa përfundimtare në jetë. Gjatë mbrojtjes së Pamplonës, në vitin 1521, u plagos rëndë. Në shtrat, lexoi “Jetën e Krishtit” të Ludolfo Çertozinit dhe “Legjenda Aurea” (Jeta e shenjtorëve) e Jakopos nga Varace. Ndryshoi krejtësisht jetë, duke shtegtuar në Montserrat e në Manresa, ku filloi të shkruajë “Ushtrimet shpirtërore”, të famshme edhe sot e kësaj dite. Pas një rruge të gjatë shpirtërore, që e çoi në Romë, në Tokën Shenjte, e bëri të marrë doktoratën e filozofisë, bashkë me gjashtë shokë, ndër të cilët Françesk Saveri, bëri kushtet e pastrisë dhe të varfërisë, më 15 gusht 1534. Shuguruar meshtar në Venedik, më 1537, Injaci niset për në Romë, ku në “La Storta” pati vegimin vendimtar, që e shtyu t’ia kushtonte Krishtit “Shoqërinë e Jezusit”, që po lindte. Ajo u miratua nga Papa Pali III, më 27 shtator 1540. Mësimi i themeluesit të Urdhërit të jezuitëve, shën Injacit, është të bëhet gjithçka për lavdi të Zotit, me përvuajtëri, duke u përpjekur për një formim të shëndoshë shpirtëror, duke mbrojtur me guxim të vërtetën, duke u rezistuar tundimeve e duke jetuar personalisht krishterimin, para se t’u propozohet ai të tjerëve.

Në grupin e parë injacian, merrte pjesë edhe shën Françesk Saveri (1506-1552), tjetër Pajtor i DBR-së së Madridit. Lindi në kështjellën e familjes në Navarra, nga prindër fisnikë. Në vitin 1533, shën Françesku i ardhshëm, kthen jetë e vihet nën udhëheqjen shpirtërore të shën Injacit, me urdhër të të cilit, niset nga Lisbona për në Goa(kryeqyteti i kolonive portugeze në Inditë Lindore), ku mbërrin më 6 maj 1542. Prej këndej, duke mësuar, pagëzuar, rrëfyer, duke u kujdesur për të varfërit e të gërbulurit e duke denoncuar shfrytëzimin e këtyre popujve nga “të krishterët evropianë”, shën Françesk Saveri përshkoi si misionar i Krishtit, jugun e Indisë, Malagën e Ishujt Moluke, për të shkuar në Japoni e më pas në Kinë, ku u sëmur me ethe, që e dobësuan deri në vdekje, më 3 dhjetor 1552. Është pajtori i misioneve, i mirënjohur edhe në Shqipëri, ku shkolla e jezuitëve ka mbajtur gjithnjë emrin e tij. Mesazhi i shën Françesk Saverit për të rinjtë është t’ia besojnë veten Zotit në shpalljen e Ungjillit e t’i shërbejnë njerëzimit, aty ku i çon Hyji, pa i lënë studimet të kenë përparësi mbi jetën shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.