2011-08-17 15:40:46

DBR e Madridit filloi. Nesër- takimi i parë me Papën


Nesër fillon shtegtimi apostolik i Papës në Madrid, me rastin e Ditës XXVI Botërore të Rinisë. Është shtegtimi i 20-të ndërkombëtar i Benediktit XVI, i treti në trojet spanjolle, por i pari në Madrid.
Qindra mijëra të rinj, por edhe 800 ipeshkvij – një e katërta e prelatëve të mbarë botës - 6 mijë seminaristë e mijëra meshtarë...: janë disa nga të dhënat statistikore, që të bindin se Dita e tretë Botërore e Rinisë e Benediktit XVI është ngjarje botërore, e jashtëzakonshme. Shtegtimi i Papës nuk kufizohet vetëm me takimin e madh të të rinjve, në qendër të vëmendjes: sipas programit, parashikohen edhe takime me Familjen Mbretërore të Spanjës, me kryeministrin Zapatero dhe me liderin e opozitës, Rajoy, por edhe me botën akademike e të rinjtë me aftësi të kufizuara fizike. Gjithsesi, zemra e shtegtimit është takimi i Benediktit XVI me të rinjtë, nën shenjën e Kryqit, me moton e zgjedhur nga vetë Papa për këtë Ditë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”.
Por Takimi i madh rinor i Madridit kremtohet dhe nën shenjën e Atij, që e themeloi, Gjon Palit II: prandaj i Lumi i ri është njëri nga dhjetë shenjtorët pajtorë të DBR-së së kryeqytetit iberik, e për këtë arsye, në Madrid është e pranishme edhe një relike e Papës Vojtila. Kremtimet kryesore papnore do të mbahen në aerodromin e Cuatro Vientos, ku Benedikti XVI do të kryesojë një mbrëmësore, që do të arrijë kulmin me adhurimin eukaristik, të shtunën, më 20 gusht, pasuar nga Mesha e së dielës, kulm i festës së madhe rinore, në të cilën priten më se një milion pjesëmarrës. Protagonistë, edhe Sheshi i Cibeles, ku do të kremtohet Mesha e hapjes së takimit e pritja e Papës, nesër, më 18 e, sidomos, ashtu si në takimet e mëparshme, Udha e Kryqit, më 19 gusht, që do të hapet e do të mbyllet nga Ati i Shenjtë, i cili do t’i ndjekë të gjitha stacionet.
Kujtojmë se, për herë të parë në një Ditë Botërore të Rinisë, Papa do të rrëfejë disa të rinj, ndërsa 200 rrëfyestore do të presin, në Madrid, gjithë të rinjtë, që duan të lehtësojnë shpirtin me Sakramentin e Pendesës e të Pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.