2011-08-17 16:56:45

Benedikti XVI aleat i të rinjve në Madrid në mbrojtje të vlerave të jetës


Takimi që sapo ka filluar në Madrid është Takimi i tretë Botëror i Rinisë që kremtohet nën papninë e Benediktit XVI, por edhe i pari Takim Rinor që mbahet pas lumturimit të Papës Gjon Palit II Wojtila. Të rinjtë që nga çdo anë e botës, me mjete më të ndryshme, kanë arritur në Spanjë për këto ditë rinore, e dinë mirë se tani mund të mbështetën mbi një pajtor të veçantë qiellor, Papën e jashtëzakonshëm polak Wojtila, që i themeloi këto takime të të rinjve, në të cilat deshi të ishte përherë i pranishëm personalisht, madje edhe në pleqëri e edhe gjatë sëmundjes së avancuar që pat viteve të fundit të jetës. Nuk arriti të merrte pjesë në takimin e fundit botëror të rinisë që pat programuar e lajmëruar, atë të Këlnit të Gjermanisë më 2005, në të cilin takim mori pjesë pasardhësi i tij, Jozef Ratcinger, i cili me këtë rast si Papë i ri bëri edhe udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar pikërisht në vendlindje.
Me të gjitha parashikimet që e paraqitnin dhe kritikonin si mjaft të ftohtë ndaj manifestimeve të këtilla oqeanike, Benedikti XVI u vu përvuajtërisht gjurmëve të paraardhësit, duke treguar se është një mendimi e orientimi deri në fund të fundit me atë besim e shpresë që Papa Wojtila pat treguar ndaj të rinjve qysh në fillim të papnisë së tij të gjatë. E si Papë teolog, me shembuj e imazhe të gjalla, kërkoi t’u transmetonte të rinjve të Ditëve Botërore të Rinisë misteret e fesë së krishterë katolike, siç bëri në Këln, para gjashtë vjetësh, ku e krahasoi ndryshimin që ndodhë në shugurimin eukaristik me reaksionin bërthamor.
Në momentin aktual, në të cilin, ndoshta më shumë kurrë, bota sheh dhe kupton se ka nevojë për ideale, Ati i Shenjtë Ratcinger edhe një herë u rikujton dhe tërheq vëmendjen të rinjve të mos ia zënë frymën pikëpyetjeve të tyre e shqetësimeve tyre, të mos e mbulojnë nën savanin e cinizmit e të dritëshkurtësisë nevojën e kërkimit të kuptimit të jetës së tyre. Në një botë në të cilën duket se ajo që ka peshë e vlerë është vetëm pushteti, dinari e kënaqësia e epsheve, Papa bënë thirrje ta angazhojmë jetën tonë personale për diçka apo Dikë që e bënë më të vërtetë të lumtur dhe i jep kuptim të vërtetë jetës. Papa nuk tregon një ide, nuk paraqet një sërë rregulloresh, një paket dogmash apo estetizmin e ndonjë riti fetar, por na tregon një person, Jezusin e Nazaretit si burim e cak të ekzistencës njerëzore. E të rinjve të BDR-së do t’u shpjegojë se të jetosh ungjillin, pra fenë e krishterë nuk do të thotë të heqësh dora nga diçka por, përkundrazi, të përjetosh premtimin që personalisht Nazarenasi u pat dhënë të vetëve, “qindfishin këtu mbi tokë” së bashku me amshimin.
E sipas çdo gjase, do të zhgënjehen, ata, që e shikojnë Ditën e Rinisë, që ka horizont botëror, në këndvështrimin e politikës spanjolle, dhe imagjinojnë se Benedikti XVI mund të vërsulet kundër ligjeve të miratuara nga qeveria Zapatero, e cila ka bashkëpunuar nga afër për realizimin e kësaj ngjarjeje. Papa nuk bëri diçka të tillë më 2006 në Valencia, as vitin e kaluar në Santiago de Compostela e në Barcelonë. Aq më pak do ta bëjë tani kur qeveria socialiste e Madridit është afër fundit të mandatit e mungojnë pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjeve spanjolle.







All the contents on this site are copyrighted ©.