2011-08-16 11:33:28

Solemniteti i Zojës së Madhe, mister shprese. Papa na këshillon të kemi ngut për gjërat e Zotit, si Maria


Shën Maria nuk është ndonjë personash i kohëve të kaluara, por një person i gjallë, që mund ta gjejmë në të tashmen e Zotit. Në të realizohet plani i amshuar i Krijuesit të botës, për ta shëlbuar krejt njeriun – korp e shpirt – e për ta rinovuar atë. Ky ishte thelbi i fjalëve të Papës, dje në Kastel Gandolfo, në Solemnitetin e Zojës së Madhe. Benedikti XVI kremtoi Meshën në orën 8.00, në famullinë papnore të shën Tomës nga Vilanova e pastaj, në mesditë, tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik.RealAudioMP3

Qendra e misterit, që kremtuam dje, është se shën Maria ngjitet në qiell me trup e shpirt. Është një mister i madh – nënvizoi Papa gjatë Meshës – mister shprese e gëzimi për ne të gjithë. Vërtet, duke kundruar Nënën e Jezusit, Zoti na jep hirin për të parë në thellësitë e jetës sonë:
“Po, sepse edhe ekzistenca jonë e përditshme, me problemet e shpresat e saj, merr dritë nga Nëna e Zotit, nga udha e saj shpirtërore, nga fati i saj i lavdishëm: një udhë e një horizont, që mund e duhet të bëhen, në një farë mënyre, udha e qëllimi ynë”.
Duke komentuar leximet e Liturgjisë, Ati i Shenjtë kujtoi se për Besëlidhjen e Vjetër, arka e aleancës, në të cilën ruheshin Rrasat e ligjit të Moisiut, është simboli i pranisë së Zotit në mesin e popullit të vet:
“Por tashmë, simboli i le vendin realitetit. Kështu, Besëlidhja e Re na thotë se arka e vërtetë e aleancës është një person i gjallë e konkret: është Virgjëra Mari. Zoti nuk banon në mobilje, Zoti banon në një person, në një zemër: Maria, Ajo që mbarti në kraharor Birin e amshuar të Zotit bërë njeri, Jezusin, Zotin e Shpëtimtarin tonë”.
Maria – vazhdoi Papa – është arka e aleancës, sepse mbarti Jezusin…Atë, që është besëlidhje e re dhe e amshuar, e cila arrin kulmin në ofertën e trupit e të gjakut të Tij: trup e gjak marrë nga Maria. Më pas, Ati i Shenjtë komentoi pjesën e Ungjillit, ku shën Maria shkon te Elizabeta. Shkon “me ngut”, nënvizoi Benedikti XVI:
“Më duket e rëndësishme të nënvizohet kjo shprehje “me ngut”: gjërat e Zotit meritojnë ngutje, madje, të vetmet gjëra në botë, që meritojnë ngutje, janë pikërisht ato të Zotit, të cilat janë vërtet urgjente për jetën tonë”.
Është ngutja për t’i çuar dashurinë, që na bën të vrapojmë drejt të afërmit, është urgjenca për t’i çuar të tjerëve gjënë më të rëndësishme. Nëna e Zotit, nuk e mbajti për vete këtë prani hyjnore, por ua ofroi të tjerëve, duke ndarë me ta Hirin e Tënzot. Edhe ne – pohoi Papa – jemi të destinuar për të njëjtën dashuri pa fund, që Zoti i dha Marisë. Kështu, Zoja hap përpara nesh një horizont shprese, një të ardhme të gëzueshme e na mëson edhe rrugën, që duhet përshkuar:
“Ta presim me fe, Birin e saj; të mos e humbasim kurrë miqësinë me Të, por ta lemë veten të na shndrisë e të na udhëheqë fjala e Tij; ta ndjekim çdo ditë, edhe në çastet kur e ndjejmë se kryqet tona bëhen shumë të rënda. Maria, arka e besëlidhjes, e cila qëndron në shenjtoren e Qiellit, na tregon me qartësi të shndritshme se jemi për rrugë drejt Shtëpisë sonë të vërtetë, drejt bashkimit me Zotin, në gëzim e paqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.