2011-08-16 10:47:58

Proçesjoni i shna Rrokut në Shirokë dhe aromat e së kaluemes


Herën e parë mbas ndalimit të fesë me ligjet ateiste, proçesjoni i shën Rrokut apo shna Rrokut, si i thotë populli, në Shirokë, u ba me 16 gusht 1990. Nuk e di a ka qenë aty atë ditë ndonji fotograf amator me e kapë skenën e rrallë. Nji grup i vogël zadrimoresh me kostumet karakteristike ku spikatë e kuqja dhe e bardha i ngjiteshin zbathë shtegut të Taraboshit, me ta edhe pak shirokas e shkodranë, mes tyne mjaft të ri e të reja.
Ushtarët e kufinit, pjesa ma e madhe prej jugut, shihshin si të ngrimë e me gojë hapë prej molos, ku ishte lidhë e ashtuquejtuna «anije luftarake», rreshtin e madh të njerzve që iu ngjiste malit kambëzbathë tue thanë uratë e tue këndue kangë të moçme fetare. Nuk kishin faj ushtarët e shkretë, edhe mbas 45 vitesh regjim komunist, iu dukte vetja se po kryejshin shërbimin ushtarak në nji shtet të huej. Anija e tyne “luftarake” kishte 40 vjet aty, e gatshme me luftue të gjithë ata që donin me ikë prej parrizit komunist në ferrin e tmerrshëm kapitalist.
Festa e shën Rrokut asht nji festë fetare që kremtohet në Shirokë prej shekujsh.
Katolikët në të gjithë botën e nderojnë shën Rrokut. Ai asht shenjti të cilit i kushtohen ma shumë kisha e kapela se asnji tjetri. Ka qenë laik, francez, e ka lindë në Montpellier (Francë) në nji familje fisnike rreth vitit 1348 e ka vdekë në Voghera të Italisë rreth vitit 1379.
Biografët e tij të hershëm tregojnë se mbas vdekjes së prindve ai u shpërndau pasuninë që kishte të vorfënve dhe u nis si shtegtar drejt Romës. Rrugës për në Romë ai mbërriti me shërue të gjithë të sëmurët me murtajë të zezë. Asokohe murtaja e zezë kishte mbytë nji të tretën e popullsisë së Europës.
Legjenda tregon se shën Rroku ka qenë edhe në Shqipni, në Shirokë, e këtu asht ruejt deri vonë nji mand i cili rridhte prej pemës që vetë shenjti, simbas rrëfimit legjendar, kishte mbjellë dikur! Mungojnë të dhanat historike për këtë vizitë të tijën, bile ato që kemi e përjashtojnë nji gja të tillë. Por asht fakt që nji shenjt i tillë që mbronte popullsinë e gjysmës së Europës prej sëmundjeve të randa virale të nderohej edhe tek ne.
Në Shirokë, shkruente studjuesi Gjush Sheldija tek «Hylli i Dritës» i vitit 1942 (fq. 335 v.) si katolikët ashtu edhe myslimanët e lusin shën Rrokun me 16 të muejit gusht. Shkruen Sheldija:
“Kremtja lutet kështu: disa dit’ përpara së kremtes djelmnija e fshatit mblidhen n’e dielle mbasdreke e ndreqin e ujdisin rrugën e Shna Rroku e cilla permbledhë e perfshinë mbarë katundin, për t’a pregatitë për proçesjon.
Natën e së kremtes: mjesá miqasija rrajen, për uj – me sule, take, e lundra – e tesh vonë me motorra, e për tokë me kambë ase me karroca e automjete, kryhen zbukurimet e kishës e lulëzimi i katundit me flamuj, dritëza e blerime. Shpijat shëndrisin prej pastrije e punët për të pritë miqasín vazhdojn me rritën mâ të dendun.
Kumbona, për çeljen e ndjesës, bjé qysh n’oren tre mbas dreke, e fetarët, nji mbas nji, i siellen kishës tri herë rresht, për të fitue ndjesën. Në të resitun të kumbonës – mbas tri herë tingllimi – të gjith mblidhen në Kishë, ku mbas nji predku të shkurtë, mbajtë prej nji prifti “mysafir” nepet bekimi me të “Shejtnueshmin Sakramend”. Mbas bekimit të gjithë – përveç grave – dalin në “Fushë” me grishë e me marrë miqt e të njoftunit qi kanë ardhë për të kremte.
Raki, meze, urime, eheng. Gjella: sallatë kastravecash, mish jahni, peshk (qefullë në tavë), qefullë në tjegullë, pilaf, jeprak, stufá, bakllavë asè tespigje asè kadaif; mbrapa pêmë si fiq, bastan, e për pije: vênë të vjetër e mbrapa duhan e kafe – shumta – e idhët. [...]
Gjithënatën «Fusha» vlon prej festarvet t’ardhun për kremten e Shna Rrokut qi âsht pothuejse nji kremte panagjirike. Zakon e kanë shirokasit natën e kremtes me u futë nd’ujë e me u lá në liqê per të lá të ligat e edhe ata qi s’dijnë mënot, futen nd’ujë: djelm, varza, trima, pleq e plaka lahën.
Dita e së Kremtes: mbassi kumbonët e të lémit asè sá del “shefku i dritës” të gjithë – me rradhë – vrapojnë me shkue në kishë me pa meshë e me krye detyrët fetare.
Kisha asht e lulëzueme e e zbukurueme mâ së mirit; meshtarët janë të shumtë e meshët po të shumta. Kah ora 9 p. dr. xen fill proçesjoni i Shna Rrokut; prîn sakrestani me kumbonë në dorë, «daulla» asè muzika ardhë prej Shkodre, varzat e djelmt e shkollave e msuest respektivë; mandej «Confraternitat» e ndryshme fetare, prifti i 3 ndaljevet, populli shirokas e i ardhun”. (fq. 335-336)
Mandej shkrimtari Gjush Sheldija përshkruen proçesionin e tri ndalesat e tre predikimet. E para ndalesë bahet në lagjen Ndrecej, e dyta te Mandi i Shna Rrokut dhe e treta te Plepi i Pusit e prej aty njerzit shkojnë në kishë ku celebrohet mesha në oborr të kishës ku asht vendue edhe elteri.
E vijon Autori:
“Mbas meshës, të gjithë dalin me miqt e tyne e fill tu shpija. Në «Fushë» kerset kanga e vallja , e pik-niku asht në kulm! Mbas buke vizita ndër miq e të njoftun, e me marr «pêjt» qi natën asè në nadje kanë vendue rreth qafës së Shêjtit, qi i bárin si «amulet» kundra sëmundjevet, mbassi Shna Rroku âsht «Mbrojtësi i të ligavet». Ditën e festës në mbramje, shirokasit mblidhen e kremtojnë «vllaznisht» festën e tyne me pije, eheng, kângë e valle. Kjo vazhdon edhe të nesërmen qi thirret «Ditori i Shna Rrokut». Kta kishte me kenë «festimi i vertetë» i së kremtes prej shirokasvet. Kanë nji vllaznim ndërshêj dy besimesh aq të ngushtë sá me i dhanë msim shumkuj!” (shih HD, 1942, fq. 336).
Shna Rroku asht edhe sot nji festë fetare popullore në katundin e vogël bri liqenit të Shkodrës.
E me mendue se prej nji katundi kaq të vogël si Shiroka, që ka pasë shkollën e vet shqipe të themelueme qysh në vjetin 1874 prej priftit dom Zef Ashta, ka dalë poeti Filip Shiroka, shkrimtari Ernest Koliqi, përkthyesi e studjuesi At Mark Harapi, shkrimtari e pedagogu At Anton Harapi, martiri imzot Gjergj Volaj, filologu At Viktor Volaj, ushtarakët Mark Raka, Filip Toma, Kol Radovani, e në fund edhe demokrati e dëshmitari i qëndresës antikomuniste Pjetër Arbnori e shumë të tjerë që kanë dhanë kontribute në fusha të ndryshme të jetës.
Ende sot, për çdo 16 gusht, aromat e sherbelës e të mrinave përzihen me jonet e kangës së famshme të Shna Rrokut që kumbon mbi liqen:
«Amanet Shêjti Shna Rrok / lutju ti të madhit Zot / që t’na bajnë mëshirë mbi né / e t’na mbajnë në shêjten Fé». Këndojnë njerzit e thjeshtë, me besim e devocion, tue kujtue të parët e tue mendue për nji t’nesërme ma të mirë!
Ardian Ndreca







All the contents on this site are copyrighted ©.