Mesazhi i Papës Benedikti XVI për Ditën XXVI Botërore të Rinisë 2011
"Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe" (khs Kol 2,7) Të
dashur miq, mendoj shpesh për Ditën Botërore të Rinisë në Sydney 2008. Atje jetuam
një festë të madhe të besimit, gjatë së cilës Shpirti i Hyjit veproi me fuqi të madhe,
duke krijuar një bashkim të thellë mes pjesëmarrësve të ardhur nga të gjitha anët
e botës. Ai takim, ashtu si edhe të mëparshmit, ka dhënë fryte të bollshme në jetën
e shumë të rinjve dhe të mbarë Kishës. Tani shikimi ynë drejtohet nga Dita e ardhshme
e Rinisë, që do të mbahet në Madrid në gusht 2011. Që në vitin 1989, disa muaj para
rënies historike të Murit të Berlinit, shtegtimi i të rinjve u ndal në Spanjë në Santiago
të Kompostelës. Tani, në një çast në të cilin Evropa ka shumë nevojë të rigjejë rrënjët
e veta të krishtera, kemi lënë takim në Madrid, me temën: "Të rrënjosur e të themeluar
në Krishtin, të fortë në fe" (khs Kol 2,7). Pra, ju ftoj në këtë ngjarje kaq të rëndësishme
për Kishën në Evropë dhe për Kishën e gjithmbarshme. Dhe do të doja që të gjithë të
rinjtë, si ata që e bashkëndajnë besimin tonë në Jezu Krishtin, ashtu edhe ata që
ngurrojnë, janë dyshues apo nuk besojnë në Të, të mund ta jetojnë këtë përvojë, që
mund të jetë vendimtare për jetën: përvojën e Zotit Jezus të ringjallur dhe të gjallë
dhe të dashurisë së tij për secilin prej nesh. 1. Në burimin e aspiratave tuaja
më të mëdha Në çdo kohë, edhe në ditët tona, shumë të rinj ndjejnë dëshirën e
thellë që marrëdhëniet mes personave të jetohen në të vërtetën dhe në solidaritet.
Të shumtë janë ata që shfaqin aspiratën e ndërtimit të marrëdhënieve të mirëfillta
të miqësisë, të njohjes së dashurisë së vërtetë, të themelimit të një familjeje të
bashkuar, të arritjes së një qëndrueshmërie vetjake dhe të një sigurie të vërtetë,
që të mund të sigurojnë një të ardhme të qetë dhe të lumtur. Sigurisht, duke kujtuar
rininë time e di se qëndrueshmëria dhe siguria nuk janë çështjet që kanë më shumë
peshë në mendjen e të rinjve. Po, kërkesa për një vend pune dhe me të kërkesa për
të patur një taban të sigurt nën vete është një problem i madh dhe shqetësues, por
njëkohësisht rinia mbetet mosha kur kërkohen gjëra të larta në jetë. Nëse kujtoj vitet
e mia të atëhershme: thjesht nuk dëshironim ta humbisnim veten në të rëndomtën e jetës
borgjeze. Dëshironim atë çka është e lartë, e re. Dëshironim të gjenim vetë jetën
në shtrirjen dhe bukurinë e saj. sigurisht, kjo varej edhe nga situata në të cilën
ndodheshim. Gjatë diktaturës nacionalsocialiste dhe gjatë luftës, ne ishim, si të
thuash, të “kyçur” nga pushteti mbizotërues. Pra donim të dilnim në ajër të lirë për
të hyrë në gjerësinë e mundësive të qenies njeri. Por besoj se, në një farë mënyre,
kjo shtyës për të shkuar përtej të zakonshmes ekziston në çdo brezni. Është pjesë
e të qenit njeri të dëshirosh diçka më të nga përditshmëria e zakonshme e një pune
të sigurt dhe të ndiesh tërheqje për diçka që është vërtet e madhe, e lartë. Mos vallë
është një ëndërr boshe që davaritet kur rritemi? Jo, njeriu është krijuar vërtet për
atë çka është e madhe, për të pafundmen. Çdo gjë tjetër është e pamjaftueshme. Shën
Agostini kishte të drejtë: zemra jonë nuk gjen qetësi përveçse kur pushon në ty. Dëshira
për një jetë më të lartë është një shenjë e faktit që na ka krijuar Ai, që ne mbajmë
“gjurmën” e ij. Hyji është jetë, dhe për këtë arsye çdo krijesë është e prirur kah
jeta; mënyrë unike dhe të veçantë personi njerëzor, i krijuar sipas shëmbëllimit të
Hyjit, aspiron dashurinë, gëzimin dhe paqen. Atëherë e kuptojmë se si nuk ka kuptim
të pretendosh të eliminosh Hyjin që të jetojë njeriu! Hyji është burimi i jetës; ta
eliminosh atë do të thotë të ndahesh nga ky burim dhe, pashmangshmërisht, t’i heqësh
vetes mundësinë e plotësisë dhe të gëzimit. “krijesa, në fakt, pa Krijuesin venitet”
(Konc. II Ekum. Vat., Kusht. Gaudium et Spes, 36). Kultura e sotme, në disa zona të
botës, sidomos në Perëndim, ka prirjen ta përjashtojë Hyjin, apo ta konsiderojë besimin
si një fakt privat, pa asnjë rëndësi në jetën shoqërore. Ndërsa tërësia e vlerave
që janë në bazë të shoqërisë vjen nga Ungjilli – si ndjenja e dinjitetit të personit,
e solidaritetit, e punës dhe e familjes – konstatohet një “eklips i Hyjit”, një lloj
amnezie, për të mos folur për një refuzim të mirëfilltë të Krishterimit dhe një mohim
të thesarit të besimit të marrë, duke rrezikuar humbjen e identitetit të thellë vetjak.
Për këtë arsye, të dashur miq, ju ftoj të përthelloni ecjen tuaj të besimit
në Hyjin, atin e Zotit tonë Jezu Krishtit! Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë sot,
kur shumë vetë nuk kanë pika referimi të qëndrueshme për ta ndërtuar jetën e tyre,
duke u bërë në këtë mënyrë thellësisht të pasigurt. Relativizmi i përhapur, sipas
të cilit gjithçka është e barasvlershme dhe nuk ekziston asnjë vërtetë dhe asnjë pikë
referimi absolute, nuk krijon lirinë e vërtetë, por paqëndrueshmëri, përhumbje, konformizëm
me modat e çastit. Ju të rinj keni të drejtën që të merrni nga brezat që ju paraprijnë
pika të qëndrueshme që të bëni zgjedhjet tuaja dhe të ndërtoni jetën tuaj, ashtu si
një bimë e re ka nevojë për një mbështetje të fortë derisa t’i rriten rrënjët që më
pas të bëhet një pemë e fortë e aftë për të dhënë fryte. 2. Të rrënjosur e të themeluar
në Krishtin Për të hedhur dritë mbi rëndësinë e besimit në jetën e besimtarëve,
do të doja të ndalesha në secilin prej tre termave që shën Pali përdor në shprehjen
e tij: "Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe" (khs. Kol 2,7). Mund
të dallojmë në të tre shëmbëllime: “të rrënjosur” na kujton pemën dhe rrënjët që e
ushqejnë atë, “të themeluar” i referohet ndërtimit të një shtëpie; “të fortë” na kujton
rritjen e forcës fizike apo morale. Janë shëmbëllime që flasin vetë. Para se t’i komentojmë,
vërejmë thjesht se në tekstin origjinal tre termat, nga pikëpamja gramatikore, përdoren
në formën joveprore: kjo do të thotë se është Krishti vetë që ndërmerr nismën për
të rrënjosur, themeluar dhe për t’i bërë të fortë besimtarët. Shëmbëllimi i parë është
ai i pemës, e mbjellë qëndrueshëm në tokë nëpërmjet rrënjëve, që e bëjnë të qëndrueshme
dhe e ushqejnë atë. Pa rrënjë, do ta merrte me vete era dhe do të vdiste. Cilat janë
rrënjët tona? Natyrisht prindërit, familja dhe kultura e vendit tonë, që janë një
përbërëse shumë e rëndësishme e identitetit tonë. Bibla na zbulon një tjetër. Profeti
Jeremi shkruan: “Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij.
Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët
e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie
nuk merakoset, nuk pushon së dhëni fruta” (Jer 17,7-8). Të lëshosh rrënjët, sipas
profetit, do të thotë ta vendosësh besimin tënd në Hyjin. Nga Ai e marrim jetën tonë;
pa Të nuk do të mund të jetonim vërtetësisht. “Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo
jetë është në Birin e tij” (1 Gjn 5,11). Vetë Jezusi paraqitet si jeta jonë (khs Gjn
14,6). Për këtë feja e krishterë nuk është vetëm të besosh në disa të vërteta, por
është para së gjithash një marrëdhënie vetjake me Jezu Krishtin, është takimi me Birin
e Hyjit, që i jep ekzistencës mbarë një dinamizëm të ri. Kur hyjmë në marrëdhënie
personale me Të, Krishti na zbulon identitetin tonë, dhe, në miqësinë e tij, jeta
rritet dhe realizohet në plotësi. Vjen një çast, në rini, kur secili prej nesh pyet
veten: ç’kuptim ka jeta ime, ç’synim, ç’drejtim duhet t’i jap asaj? Është kjo një
fazë themelore, që mund ta trazojë shpirtin, ndonjëherë edhe për një kohë të gjatë.
Mendojmë për llojin e punës që duam të bëjmë, për marrëdhëniet shoqërore që duam të
vendosim, për llojin e dashurive që duam të zhvillojmë... Në këtë kontekst mendoj
për rininë time. Në njëfarë mënyre e kam patur që herët vetëdijen se Zoti më donte
prift. Por më vonë, pas Luftës, kur në seminar dhe në universitet isha drejt këtij
synimi, m’u desh ta rifitoja këtë siguri. M’u desh të pyesja veten: vallë është vërtet
kjo rruga ime? Vallë është vërtet ky vullneti i Zotit për mua? A do të jem i aftë
t’i mbetem besnik Atij dhe të jem plotësisht i gatshëm për Të, në shërbimin e Tij?
Një vendim i tillë shkakton edhe vuajtje. Nuk ka si të jetë ndryshe. Por më pas mbërriti
edhe siguria: kjo gjë është e mirë! Po, Zoti më do, për këtë arsye do të ma japë fuqinë.
Duke e dëgjuar Atë, duke ecur me Të bëhem vërtet vetvetja. Nuk ka rëndësi plotësimi
i dëshirave të mia, por vullneti i Tij. Në këtë mënyrë jeta bëhet e vërtetë, e mirëfilltë.
Ashtu si rrënjët e pemës e mbajnë atë të rrënjosur thellë në tokë, në të njëjtën
mënyrë themelet i japin shtëpisë një qëndrueshmëri jetëgjatë. Nëpërmjet besimit, ne
jemi të themeluar në Krishtin (khs Kol 2,7), siç është e ndërtuar një shtëpi mbi themelet.
Në historinë e shenjtë kemi shumë shembuj shenjtërish që e kanë ndërtuar jetën e tyre
mbi Fjalën e Hyjit. I pari është Abrahami. Ati ynë në besim iu bind Hyjit që i kërkonte
të linte shtëpinë atërore për t’u mbudhur drejt një Vendi të panjohur. “I besoi Abrahami
Hyjit dhe iu numërua për drejtësi, dhe u bë miku i Hyjit” (Jak 2,23). Të jemi të themeluar
në Krishtin do të thotë t’i përgjigjemi konkretisht thirrjes së Hyjit, duke i besuar
Atij dhe duke vënë në jetë Fjalën e tij. Vetë Jezusi i qorton dishepujt e vet: “Pse
më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’, e nuk bëni si ju urdhëroj?” (Lk 6,46). Dhe, duke përdorur
shëmbëllimin e ndërtimit të shtëpisë, shton: “Çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon
fjalën time e që e shtjen në veprim... i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë
e vet, mihi dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul
mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë” (Lk 6,47-48). Të
dashur miq, ndërtojeni shtëpinë tuaj mbi shkëmb, si njeriu që “mihi dheun thellë”.
Përpiquni edhe ju, çdo ditë, që të ndiqni Fjalën e Krishtit. Ndjejeni Atë si mikun
e vërtetë me të cilin të bashkëndani udhën e jetës suaj. Me Të pranë do të jeni të
aftë të përballoni me guxim dhe shpresë vështirësitë, problemet, edhe zhgënjimet dhe
dështimet. Vazhdimisht ju paraqiten propozime më të lehta, por ju vetë e kuptoni se
ato zbulohen mashtruese, nuk ju japin qetësi dhe gëzim. Vetëm Fjala e Hyjit na tregon
jetën e vërtetë, vetëm besimi që na është përcjellë është drita që ndriçon udhën.
Pranojeni me mirënjohje këtë dhuratë shpirtërore që keni marrë nga familjet tuaja
dhe angazhohuni që t’i përgjigjeni me përgjegjësi thirrjes së Hyjit, duke u bërë të
rritur në besim. Mos u besoni atyre që ju thonë se nuk keni nevojë për të tjerët për
të ndërtuar jetën tuaj! Ndërsa mbështetuni në besimin e të dashurve tuaj, në besimin
e Kishës, dhe falënderojeni Zotin që e keni marrë dhe që e keni bërë tuajin! 3.
Të fortë në fe Jini "të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe" (khs.
Kol 2,7). Letra nga e cila është marrë kjo ftesë, është shkruar nga shën Pali për
t’iu përgjigjur një nevoje të saktë të të krishterëve të qytetit të Kolosit. Në fakt
kjo bashkësi kërcënohej nga ndikimi i i disa prirjeve kulturore të kohës që i tërhiqnin
mendjen besimtarëve nga Ungjilli. Konteksti ynë kulturor, të dashur të rinj, ka ngjashmëri
të shumta me ato të kolosianëve të atëhershëm. Në fakt ka një rrymë të fortë laiciste
që do ta mënjanojë Hyjin nga jeta e personave dhe e shoqërisë, duke paraqitur dhe
duke u përpjekur të krijojë një “parajsë” pa Të. Por përvoja na mëson se bota pa Hyjin
kthehet në një “ferr”: mbizotëron egoizmi, dasitë nëpër familje, urrejtja mes personave
dhe popujve, mungesa e dashurisë, e gëzimit dhe e shpresës. Në të kundërt, aty ku
personat dhe popujt pranojnë praninë e Hyjit, e adhurojnë Atë në të vërtetën dhe dëgjojnë
zërin e tij, ndërtohet konkretisht qytetërimi i dashurisë, ku secili respektohet në
dinjitetin e vet, rritet bashkimi bashkë me frytet që sjell. Por ka të krishterë që
e lënë veten të joshen nga mënyra e të menduarit laicist, apo janë të tërhequr nga
rryma fetare që largojnë nga besimi në Jezu Krishtin. Të tjerë, pa iu bashkangjitur
këtyre thirrjeve, thjesht e kanë lënë të ftohet besimin e tyre, me pasoja të pamënjanueshme
në rrafsh moral. Vëllezërve të prekur nga idetë e huaja për Ungjillin, apostulli
Pal u kujton fuqinë e Krishtit të vdekur dhe të ringjallur. Ky mister është themeli
i jetës sonë, qendra e besimit të krishterë. Të gjitha filozofitë që e injorojnë atë,
duke e konsideruar “marri” (1 Kor 1,23), tregojnë caqet e tyre përballë pyetjeve të
mëdha që banojnë në zemrën e njeriut. Për këtë arsye, edhe unë, si Pasardhës i Pjetrit,
dëshiroj t’ju ripohoj në besim (khs Lk 22,32). Ne besojmë bindshëm se Jezu Krishti
e ka ofruar veten në kryq për të na dhënë dashurinë e vet; në mundimin e tij, ka mbartur
vuajtjet tona, ka marrë mbi vete mëkatet tona, ka fituar për ne faljen dhe na ka pajtuar
me Hyjin Atë, duke na hapur udhën e jetës së pasosur. Në këtë mënyrë jemi çliruar
nga ajo çka e pengon më shumë jetën tonë: nga skllavëria e mëkatit, dhe mund t’i duam
të gjithë, deri edhe armiqtë tanë, dhe ta bashkëndajmë këtë dashuri me vëllezërit
më të varfër dhe ata në vështirësi. Të dashur miq, shpesh Kryqi na frikëson, sepse
duket të jetë mohimi i jetës. Në të vërtetë, është e kundërta! Ai është “po”-ja e
Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e lartë e dashurisë së tij dhe burimi nga buron jeta
e pasosur. Në fakt, nga zemra e Jezusit e hapur në kryq ka buruar kjo jetë hyjnore,
gjithnjë e gatshme për kë pranon të ngrejë sytë kah i Kryqëzuari. Pra, nuk mund veçse
t’ju ftoj që ta pranoni Kryqin e Krishtit, shenjë e dashurisë së Hyjit, si burim të
jetës së re. Jashtë Krishtit të vdekur dhe të ringjallur, nuk ka shpëtim! Vetëm ai
mund ta çlirojë botën nga e keqja dhe ta rrisë Mbretërinë e drejtësisë, të paqes e
të dashurisë të cilën të gjithë e aspirojmë. 4. Të besosh në Jezu Krishtin pa e
parë Atë Në Ungjill na përshkruhet përvoja e besimit e apostullit Tomë që pranon
misterin e Kryqit dhe Ringjalljes së Krishtit. Toma bën pjesë në dymbëdhjetë apostujt;
ai ka ndjekur Jezusin; është dëshmitar i drejtpërdrejtë i shërimeve të tij, i mrekullive;
ka dëgjuar fjalët e tij; ka jetuar përhumbjen përballë vdekjes së tij. Mbrëmjen e
Pashkës Zoti u shfaqet dishepujve, por Toma nuk është i pranishëm, dhe kur i thuhet
se Jezusi është i gjallë dhe u është treguar atyre, shpall: “Pa e parë në duar të
tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën
time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj” (Gjn 20,25). Edhe ne do të donim të
mund të shihnim Jezusin, të mund të flisnim me Të, ta ndjenim akoma më fort praninë
e tij. Sot për shumë vetë është e vështirë të mbërrijnë tek Jezusi. Qarkullojnë kaq
shumë shëmbëllime të Jezusit që serviren si shkencore dhe i heqin Atij madhështinë,
vetësinë e Personit të tij. Për këtë arsye, gjatë viteve të gjata të studimeve dhe
përsiatjes, u poq në mua mendimi për të përcjellë pak nga takimi im vetjak me Jezusin
në një libër: gati si për të ndihmuar që të shikohet, të dëgjohet, të preket Zoti,
në të cilin Hyji na del përpara që ne ta njohim Atë. Vetë Jezusi, në fakt, duke iu
shfaqur sërish pas tetë ditësh dishepujve, i thotë Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu
e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji
njeri që s’beson, por besimtar” (Gjn 20,27). Edhe për ne është e mundur të kemi një
kontakt ndjesor me Jezusin, të vendosim, le të themi, dorën në shenjat e Mundimit
të Tij, në shenjat e dashurisë së tij: në Sakramente Ai na vjen pranë në mënyrë të
posaçme, na dhurohet neve. Të dashur të rinj, mësoni “të shikoni”, “të takoni” Jezusin
në Eukaristi, ku ai është i pranishëm deri sa bëhet ushqim për ecjen tonë; në Sakramentin
e Pendesës, ku Zoti shfaq zemërdhembshurinë e tij duke na ofruar gjithnjë faljen e
tij. Njiheni dhe shërbejeni Jezusin edhe në të varfrit, në të sëmurët, në vëllezërit
që janë në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë. Çelni dhe ushqeni një dialog
vetjak me Jezu Krishtin, në besim. Njiheni Atë përmes leximit të Ungjillit dhe Katekizmit
të Kishës Katolike; hyni në bashkëbisedim me Të në lutje, jepini besimin tuaj: Ai
nuk do e tradhtojë kurrë atë! “Besimi është para së gjithash një përngjitje vetjake
e njeriut ndaj Hyjit; njëkohësisht dhe pandashmërisht, është pohimi i lirë i mbarë
të vërtetës që Hyji ka zbuluar” (Katekizmi i Kishës Katolike, 150). Në këtë mënyrë
do mund të fitoni një besim të pjekur, të qëndrueshëm, që nuk do jetë i themeluar
vetëm mbi një ndjenjë fetare apo mbi një kujtim të vagullt të katekizmit të fëmijërisë
suaj. Do mund ta njihni Hyjin dhe të jetoni mirëfilli prej Tij, si apostulli Tomë,
kur shfaq fuqishëm besimin e tij në Jezusin: “Zoti im dhe Hyji im!”. 5. Të mbështetur
nga feja e Kishës, për të qenë dëshmitarë Në atë çast Jezusi thotë: “Pse po më
sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20,29). Ai mendon për ecjen e
Kishës, e themeluar mbi besimin e dëshmitarëve pamorë: Apostujt. Atëherë ne kuptojmë
se besimi ynë vetjak në Krishtin, i lindur në dialogun me Të, është i lidhur me besimin
e Kishës: ne nuk jemi besimtarë të izoluar, por, përmes Pagëzimit, jemi anëtarë të
kësaj familjeje të madhe, dhe është besimi i shpallur nga Kisha që i jep siguri besimit
tonë vetjak. Besojma që shpallim në Meshën e së dielës na mbron pikërisht nga rreziku
i të besuarit në një Hyj që nuk është ai që Jezu Krishti na e ka shpallur. “Çdo besimtar
është si një hallkë në zinxhirin e madh të besimtarëve. Unë nuk mund të besoj pa u
mbështetur nga besimi i të tjerëve, dhe, me besimin tim, mbështes besimin e të tjerëve”
(Katekizmi i Kishës Katolike, 166). Ta falënderojmë gjithnjë Zotin për dhuratën e
Kishës; ajo na bën të përparojmë me siguri në besimin që na jep jetën e vërtetë (khs
Gjn 20,31). Në historinë e Kishës, shenjtërit dhe martirët e kanë ngjyer nga Kryqi
i lavdishëm i Krishtit fuqinë për t’i qëndruar besnikë Hyjit deri në dhurimin e vetvetes;
tek besimi kanë gjetur forcën për të mposhtur dobësitë e veta dhe për të kapërcyer
çdo vështirësi. Në fakt, siç thotë apostulli Gjon, “Kush është ai që e mund botën,
në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?” (1 Gjn 5,5). Dhe fitorja që
lind nga besimi është fitorja e dashurisë. Sa të krishterë kanë qenë dhe janë një
dëshmi e gjallë e fuqisë së besimit që shprehet në dashurinë: ata kanë qenë artizanë
të paqes, promovues të drejtësisë, gjallërues të një bote më njerëzore, të një bote
sipas Hyjit; janë angazhuar në mjediset e ndryshme të jetës shoqërore, me kompetencë
dhe profesionalizëm, duke dhënë kontribut të vlefshëm për të mirën e të gjithëve.
Dashuria që buron nga besimi i ka çuar ata në një dëshmi shumë konkrete, me vepra
dhe fjalë: Krishti nuk është një e mirë vetëm për veten tonë, është e mira më e çmuar
që kemi për ta bashkëndarë me të tjerët. Në erën e globalizimit, jini dëshmitarë të
shpresës së krishterë në botën mbarë: janë të shumtë ata që duan ta marrin këtë shpresë!
Përpara varrit të mikut Lazër, i vdekur prej katër ditësh, Jezusi, para se ta rikthente
në jetë, i tha të motrës Martë: “nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit”
(khs Gjn 11,40). Edhe ju, nëse do të besoni, nëse do të dini të jetoni dhe të dëshmoni
besimin tuaj çdo ditë, do të bëheni mjeti që të rinj të tjerë si ju të gjejnë sërish
kuptimin dhe gëzimin e jetës që lind nga takimi me Krishtin! 6. Drejt Ditës Botërore
të Madridit Të dashur miq, ju përtërij ftesën për të ardhur në Ditën Botërore të
Rinisë në Madrid. Me gëzim të thellë, pres secilin prej jush, personalisht: Krishti
do t’ju forcojë në besim nëpërmjet Kishës. Zgjedhja për të besuar në Krishtin dhe
për ta ndjekur atë nuk është e lehtë; ajo pengohet nga pabesitë tona vetjake dhe nga
shumë zëra që na tregojnë udhë më të lehta. Mos lini t’ju lëshojë zemra, por kërkoni
mbështetjen e Bashkësisë së krishterë, mbështetjen e Kishës! Gjatë këtij viti përgatituni
fort për takimin e Madridit me Ipeshkvijtë tuaj, priftërinjtë tuaj dhe përgjegjësit
e baritores rinore në dioqeza, në bashkësitë famullitare, në shoqata e lëvizje. Cilësia
e takimit tonë do të varet mbi të gjitha nga përgatitja shpirtërore, nga lutja, nga
dëgjimi i përbashkët i Fjalës së Hyjit dhe nga mbështetja e ndërsjellë. Të dashur
të rinj, Kisha ka besim tek ju! Ka nevojë për besimin tuaj të gjallë, për dashurinë
tuaj krijuese dhe për dinamizmin e shpresës suaj. Prania juaj e ripërtërin Kishën,
e rinon atë dhe i jep një hov të ri. Për këtë arsye Ditët Botërore të Rinisë janë
një hir jo vetëm për ju, por për mbarë Popullin e Hyjit. Kisha në Spanjë po përgatitet
në mënyrë aktive për t’ju pritur dhe për të jetuar së bashku përvojën e gëzueshme
të besimit. Falënderoj dioqezat, famullitë, shenjtëroret, bashkësitë rregulltare,
shoqatat dhe lëvizjet kishtare, që punojnë me bujari për përgatitjen e kësaj ngjarjeje.
Zoti nuk do të mungojë së bekuari të gjithë. Virgjëra Mari e shoqëroftë këtë ecje
përgatitore. Ajo, në Lajmërimin e Engjëllit, e pranoi me besim Fjalën e Hyjit; me
besim e pranoi veprën që Hyji po përmbushte në të. Duke shqiptuar “fiat”, “po”-në
e saj, ajo mori dhuratën e një dashurie të pamasë, që e shtyu t’ia dhuronte krejt
vetveten Hyjit. Le të ndërmjetësojë për secilin dhe secilën prej jush, që në Ditën
e ardhshme Botërore të Rinisë të mund të rriteni në besim dhe në dashuri. Ju siguroj
kujtesën time atërore në lutje dhe ju bekoj nga zemra. Nga Vatikani, 6 gusht 2010,
Festa e Shndërrimit të Zotit. BENEDICTUS PP. XVI