2011-08-16 11:33:39

Lutja e Engjëllit të Tënzot: Maria është Eva e re, ashtu si Jezusi, Adami i ri, që e mund të keqen, nënvizoi Benedikti XVI


Atmosferë entuziazmi dhe mirëdashjeje, edhe në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, ku Papa tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët. Benedikti XVI iu referua sërish liturgjisë së festës, e cila, në një pjesë të Librit të Zbulesës, flet për luftën ndërmjet gruas e kuçedrës, ndërmjet së mirës e së keqes, që na kujtojnë edhe faqet e para të Librit të Zanafillës, mëkatin e Adamit e të Evës:
“Paraardhësit tanë u mundën nga i Keqi; në plotësimin e kohëve, Jezusi, Adami i ri dhe Maria, Eva e re, fitojnë përfundimisht mbi armikun. E ky është gëzimi i kësaj dite. Po, me fitoren e Jezusit mbi të keqen, munden edhe vdekja e brendshme e fizike. Maria ka qenë e para, që ka mbajtur në krahë Birin e Zotit, Jezusin Foshnje, tani është e para përkrah Tij, në Lavdinë Qiellore”.
Solemniteti i Zojës së Madhe është pra, një mister i madh shprese: në Marinë – përfundoi Papa – shohim horizontin, drejt të cilit shkojnë të gjithë ata, që dinë ta lidhin jetën me atë të Jezusit, që e ndjekin duke mos i vënë kushte Zotit:
“Kjo festë, flet atëherë, për të ardhmen tonë, na thotë se edhe ne do të jemi përhrah Jezusit në gëzimin e Zotit e na fton të kemi guxim, të besojmë se fuqia e Ringjalljes së Krishtit mund të veprojë edhe në ne e të na bëjë burra e gra, që çdo ditë përpiqen të jetojnë si të ringjallur, duke sjellë në errësirën e së keqes së botës, dritën e së mirës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.