2011-08-16 14:03:43

Filloi sot Dita Botërore e Rinisë në Madrid. Kardinali Rouko Varela: dëshmi e madhe feje para botës


Sot, filloi në Madrid, Dita e 26-të Botërore e Rinisë, me temë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”, marrë nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Në kryeqytetin spanjoll janë të pranishëm një milion të rinj, ndër të cilët edhe mëse 300 shqiptarë. Në orën 20.00, fillon Mesha Solemne e përurimit në Plaza de la Cibeles, kremtuar nga kardinali-kryeipeshkëv i Madridit, Antonio Maria Rouko Varela. Eukaristia i kushtohet të Lumit Gjon Pali II, Papës së dashur nga të rinjtë, që në vitin 1986 themeloi traditën e bukur të Ditëve Botërore të Rinisë. Nesër, do të mbahet katekizmi i parë i ipeshkvijve mbi temën: “Të fortë në fe”. Nga ipeshkvijtë shqiptarë, shoqëron të rinjtë në Madrid, ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vitale. Triditëshi katekistik mbahet në 250 vende të caktuara të Madridit e të periferisë së tij, në orën 10.00, në 35 gjuhë të ndryshme.RealAudioMP3
Papa do të arrijë në Madrid, në orën 12 të ditës së enjte, 18 gusht. Këtu, pas ceremonisë së mirëseardhjes, do të takohet në mbrëmje, me të rinjtë, në Festën e Mirëseardhjes në Plaza de Cibeles. Të nesërmen, e premte, 19 gusht, dita e Benediktit XVI do të fillojë me një vizitë kortezie në Pallatin e Zarzuelës, rezidencë e mbretit të Spanjës e pastaj, do të vazhdojë me takimin me të rejat rregulltare e me pedagogët e universitetit. Pas drekës me një grup të rinjsh, Ati i Shenjtë do të presë kryeministrin në selinë e nunciaturës apostolike. Në mbrëmje, çasti prekës i Udhës së Kryqit. Të shtunën paradite, Papa do t’i presë të rinjtë në rrëfim e më pas, do të kremtojë Meshën me seminaristët spanjollë në katedralen e Zojës la Real de la Almudena. Benedikti XVI do të drekojë me kardinajtë dhe ipeshkvijtë e Spanjës, do të takohet me komitetet organizatore të DBR-së e do të vizitojë Fondacionin “Instituti i shën Jozefit”. Së fundi, Ati i Shenjtë do të kryesojë Mbrëmjen e lutjes në aeroportin “Cuatro Vientos”. Të rinjtë do ta kalojnë natën jashtë, duke pritur Meshën e madhe, që do të mbyllë kremtimet e Ditës së 26-të Botërore të Rinisë e do të kryesohet nga Papa, po në aeroport, të dielën, 21 gusht. Pasditen e asaj dite, Benedikti XVI do të takohet me vullnetarët e DBR-së e pastaj do të kthehet në Romë. Nga Madridi, kardinali Antonio Maria Rouko Varela, na tregon se ç’pritet nga kjo festë e madhe rinore e nga mbërritja e Papës, pasnesër:

Bueno, toda Madrid...
I gjithë qyteti i Madridit, pikësëpari Kisha e Madridit, por edhe të gjithë ata madrilenë, që ndoshta nuk e ndjejnë veten shumë të bashkuar me Kishën, po presin mbërritjen e Atit të Shenjtë. Është një ngjarje, në të cilën shkrihen feja e Kishës me fenë e të rinjve, duke u shndërruar në një dëshmi të madhe feje para botës. Madridi është një qytet, historia e të cilit është karakterizuar gjithnjë nga besimi në Jezu Krishtin. Kjo bashkësi nuk është shkëputur kurrë nga Pasardhësi i Shën Pjetrit. Ne besojmë se kjo ditë mund t’i nxisë të rinjtë – sidomos evropianët e natyrisht, spanjollët – të përballojnë jetën, pavarësisht se tani mund të duket pak si e pasigurtë, me sigurinë se duke iu përgjigjur Jezu Krishtit me gjithë zemër, edhe bota do të ndryshojë në perspektivën e kësaj së mire themelore e të fundme, që është Lavdia e Zotit, amshimi. Një nga Pajtorët e DBR-së është shën Injaci i Lojolës, i cili vuri në qendër të “Shoqërisë së Jezusit”, Lavdinë e Zotit. Duke jetuar të tashmen e të ardhmen në këtë perspektivë të mrekullueshme të Lavdisë së Zotit, gjithçka ndryshon, ndryshojnë edhe gjërat e kësaj bote, përmirësohen e shndërrohen në një lloj hyrjeje për të shkuar drejt lumturisë, që nuk mbaron kurrë e fiton mbi të keqen, mbi mëkatin. Në këtë kohë, që mund të duket – e është – kritike, jemi të bindur se nga kjo “po” e të rinjve për Krishtin do të lindë një diell i ri, siç këndohej në himnin e DBR-së së Buenos Airesit. I gjithë qyteti e të gjitha realitetet kishtare të Madridit – famullitë, lëvizjet, kolegjet, familjet – presin me dyer hapur ata që vijnë, duke bërë ç’është e mundur të mos u mungojë asgjë e që çdo gjë të shkojë mirë: strehimi, ushqimi, mikpritja, ngjarjet e mëdha e katekizmi. Gjithçka të jetë dëshmi e vërtetë e dashurisë së madhe për Zotin e për vëllezërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.