2011-08-15 12:41:39

Papa gjatë Engjëllit të Tënzot kujtoi Misterin e madh të të Ngjiturit të Marisë në Qiell, mister shprese e gëzimi për të gjithë.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar menjëherë pas Meshës në Kishën famullitare të Shën Tomës, në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI u përqendrua tek festa e madhe e Zojës së Bekuar. Në zemër të gushtit – kujtoi Papa – të krishterët e Lindjes e të Perëndimit kremtojnë njëherësh Festën e të ngjiturit të të Shenjtnueshmes Mari në Qiell, dogmën, që u shpall gjatë Vitit Shenjt 1950, nga Papa Piu XII, në sa festa, me rrënjë të thella në kohë, nisi të kremtohej që në shekujt e parë të Kishës.
Në Lindje vijon të njihet si “Fjetja e Virgjërës” – shpjegoi Ati i Shenjtë – e në vijim kujtoi një mozaik të lashtë, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, të frymëzuar pikërisht nga ikona lindore e “Fjetjes”. Në të paraqiten Apostujt që, të lajmëruar nga Engjëjt për fundin e jetës tokësore të Nënës së Jezusit, mblidhen rreth krevatit të saj në këtë orë solemne. Në qendër, Jezusi, që mba në krahë një vajzë të vogël: është Maria. Bëhet “e vogël” për Mbretërinë e mbartet nga Zoti në Qiell.
Vijoi me faqen e Ungjillit të Shën Lukës, lexuar në liturgjinë e sotme, Papa, duke kujtuar se Maria, në ato ditë, u ngjit me ngut kah një zonë malore, në një qytet të Judës, për të takuar të kushërirën, Elizabetën. Ndërsa sot e kundrojmë duke u ngjitur kah mali i Hyjit e duke hyrë në Jeruzalemin qiellor, e veshur me diell, me hënën nën këmbë e me kurorën prej dymbëdhjetë yjesh rreth ballit” (Ap. 12,1).
Ati i Shenjtë kujtoi edhe luftën ndërmjet gruas e dragoit, luftë ndërmjet së mirës e së keqes, që na kujton faqet e para të Librit të Zanafillës, ngjarjen dramatike të mëkatit të Adamit e të Evës. Paraardhësit tanë të parë u munden nga djalli, por, kur u plotësuan kohët, Jezusi, Adami i ri, e Maria, Eva e re, korrën fitoren përfundimtare mbi armikun. E me fitoren e Jezusit mbi të keqen, edhe vdekja shpirtërore e fizike u mund. Maria – vijoi të kujtonte Papa - ishte e para që e mori në krahë Birin e Hyjit, bërë foshnje, ndërsa tani është e para, që rri pranë tij në Lumninë e Qiellit.
Është mister i madh, ky që kremtojmë sot – shpjegoi Benedikti XVI – mister shprese e gëzimi për të gjithë ne: në Marinë shikojmë cakun, drejt të cilit ecin ata, që dinë ta lidhin jetën e tyre me jetën e Jezusit, që dinë ta ndjekin pas, si Maria. Kjo festë flet edhe për ardhmërinë tonë. Na tregon se edhe ne do të jemi pranë Jezusit në gëzimin pa mbarim të Hyjit. Na fton të besojmë se pushteti i Ngjalljes së Krishtit mund të veprojë në shpirtrat tanë e të na bëjë burra e gra, të cilët përpiqen çdo ditë të jetojnë si të ringjallur, duke rrezatuar, në errësirën, që vijon të dyndet mbi botë, dritën e së mirës.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë përshëndeti, në disa nga gjuhët kryesore të botës, shtegtarët e ardhur nga vende të ndryshme. Një përshëndetje të posaçme u drejtoi të rinjve italianë të dioqezës Piazza Armerina e atyre të famullisë Krishti Mbret Universal, të Bitontos,
Të gjithëve u uroi përzemërsisht: “Gëzuar festën e Zojës së ngjitur në qiell!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.