2011-08-14 18:04:00

Solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: krishterimi nuk kumton shëlbimin abstrakt, premton jetën e pasosur.


Krishterimi nuk kumton shëlbimin abstrakt të shpirtit në një botë të përtejme të papërcaktuar; premton një jetë të pasosur, ku asnjë nga gjërat që duam shumë, nuk shkatërrohet, por vijon të jetojë , për hir të Zotit. Këtë thekson Kisha me Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell duke i ftuar gjithë të krishterët ta ndërtojnë që tani këtu, mbi tokë, botën e re, që nuk do të ketë kurrë mbarim.
“Ne besojmë se Maria, ashtu si Krishti, Biri i saj, e mundi vdekjen e tani ngadhënjen në lumninë qiellore me gjithë qenien e saj: me shpirt e me korp”. Ky formulim i dogmës të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, është shpallur mase 60-vjet më parë nga Papa Piu XII. Maria, pra, na parapriu, po ku duhet t’i kërkojmë rrënjët e kësaj fitoreje mbi vdekjen, që u përshpejtua mrekullisht në Marinë, pyeti Benedikti XVI më 15 gusht 2010:
“Rrënjët janë në fenë e Virgjërës së Nazaretit… fe që është bindje e plotë ndaj Fjalës së Zotit e lëshim i plotë i vetvetes në duart e Tij hyjnore… Tek Feja, pra, qëndron madhështia e Marisë që, siç e shpall galdueshëm Elizabeta, “është e bekuar mbi të gjitha gratë”, sepse e beson dhe e jeton në mënyrë të pashembullt lumninë e parë, atë të fesë”.
Por Maria, e ngjitur në qiell, nuk është larg nesh, pohoi Papa, i cili vijoi të shpjegonte kuptimin e fjalës ‘qiell’:
“Ne të gjithë sot jemi të vetëdijshëm se me termin ‘qiell’ nuk duam të tregojmë ndonjë vend të gjithësisë... jo! Termi shënon diçka shumë më të madhe e më të vështirë për t’u përkufizuar me konceptet tona të kufizuara njerëzore. Me termin “qiell” duam të pohojmë se Zoti, Hyji, që u bë i afërmi ynë, nuk na braktis as në vdekje e as përtej saj, përkundrazi, Ai ka bërë gati një vend për secilin nga ne, Ai na dhuron amshimin”.
Për ta shpjeguar këtë realitet, Benedikti XVI u kujtoi besimtarëve të dashurit e vdekur. Ata i mbyllën sytë përgjithmonë për dritën e kësaj toke e megjithatë janë gjithnjë të pranishëm. Duke e kryer shtegtimin e tyre këtu poshtë, na lanë në zemra një gjurmë të pashlyeshme, që na kujton se një pjesë e tyre vijon të jetojë në shpirtin tonë. Ata jetojnë pranë nesh, por janë si hije, sepse edhe kjo mënyrë e të jetuarit e të dashurve, mbaron një ditë, bashkë me ne. Por na ngushëllon mendimi se:
“Zoti nuk mbaron kurrë e ne të gjithë jetojmë për virtyt të forcës së dashurisë së Tij; jetojmë sepse ai na do, sepse ai na krijoi, na thirri në jetë. Ne ekzistojmë në mendimet e në dashurinë e Zotit. Ekzistojmë në të gjithë realitetin tonë, jo vetëm në ‘hijen’tonë. Qetësia jonë, shpresa jonë, paqja jonë e kanë themelin pikërisht në Zotin, në dashurinë e tij krijuese, që na ruan e na mban gjatë gjithë jetës sonë e na prin në amshim. Është dashuria e Tij ajo, që e mund vdekjen e na dhuron jetën e pasosur, e pikërisht këtë dashuri e quajmë “qiell”: Zoti është aq i madh, sa ta ketë një vend edhe për secilin nga ne”.
Jezusi, që është Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, vijon Papa, është garancia jonë. Na siguron se njeriu e Hyji mund të ekzistojnë e të jetojnë në përjetësi njëri në tjetrin. Kjo do të thotë se nga secili prej nesh nuk do të vijojë të ekzistojë vetëm një pjesë, që mund të themi se shkëputet nga ne, në sa pjesët e tjera shkatërrohen; do të thotë se Zoti e njeh dhe e do njeriun në tërësi, ashtu si është:
“E Hyji pranon në amshimin e tij atë, që tani, në jetën tonë, gatuar me vuajtje e me dashuri, me shpresë e pritje, me gëzime e trishtime, rritet e plaket. I gjithë njeriu, e gjithë jeta e tij merret nga Zoti dhe, e pastruar në Të, fiton amshimin. Të dashur miq! Unë mendoj se kjo është një e vërtetë, që duhet të na mbushë me gëzim të thellë. Krishterimi nuk kumton vetëm shëlbimin e shpirtit në një jetë të përtejme, krejt të papërcaktuar, në të cilën gjithçka patëm të çmuar e të dashur mbi këtë tokë, zhduket përgjithnjë, si shkumba e valëve, por premton jetën e pasosur,“jetën e botës, që do të vijë”: asgjë nga ç’ patëm të çmuar e të dashur nuk do të shkatërrohet, por do të gjejë përkryerjen e vet të plotë në Zotin”.
Krishterimi, theksoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger, jep një shpresë të fortë, dhuron një ardhmëri të ndritur e ne jemi të thirrur, pikërisht si të krishterë, ta ndërtojmë këtë botë të re, të punojmë për ta bërë një ditë ‘botë të Zotit”, botë e cila do ta tejkalojë atë, që mund të ndërtojmë ne. Në Marinë e ngjitur në Qiell, pjesëtare e plotë e Ngjalljes së Birit, ne kundrojmë realizimin e krijesës njerëzore sipas ‘botës së Zotit’.
E Papa e përfundoi na drejton ftesën:
“Ta lusim Zotin të na ndihmojë për të kuptuar sa e çmuar është para syve të Tij gjithë jeta jonë; të forcojë në shpirtin tonë besimin në jetën e pasosur; të na bëjë njerëz shprese, që punojnë për të ndërtuar një botë, e cila ia hap plotësisht portat Zotit; njerëz plot gëzim, që janë në gjendje ta shijojnë bukurinë e botës së ardhshme edhe në mes të trazirave të jetës së përditshme, e me këtë siguri jetojnë, besojnë, shpresojnë”.

Kujtojmë se nderimi për Virgjërën Mari nis që në zanafillë të Kishës. Artistë të të gjitha epokave, nënvizoi, e pikturuan dhe e skalitën shenjtërinë e Nënës së Zotit, duke zbukuruar kisha e shenjtërore. Poetë, shkrimtarë, muzikantë e shprehën nderimin e tyre të thellë për Nënën e Virgjër të Zotit, duke krijuar himne e këngë mahnitëse liturgjike. Nga vendi ku lind dielli e deri atje ku perëndon, e Gjithëshenjtja u quajt Nënë Qiellore, që mban Birin e Hyjit në ato krahë, të cilët mund të përfshijnë, në një përqafim kozmik, mbarë njerëzimin, sepse Zoja e Bekuar është strehë për të gjithë ata, që kërkojnë ndihmën e saj amtare. E Papa Benedikti XVI më 15 gusht 2010 në Kastelgandolfo tha një lutje të lashtë, drejtuar Zojës:
Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, Nënë e Shenjtë e Zotit: mos i përbuz lutjet, që të dretojmë, në çaste prove, por na shpëto nga çdo rrezik, o Virgjër e lume e e bekuar”







All the contents on this site are copyrighted ©.