Më 14 gusht kalendari përkujton Shën Maksimilianin Kolbe, meshtar e martir
Duke shfletuar kalendarin e 14 gushtit, Kisha kremton festën e Shën Maksilimianit
Kolbe, meshtar heroik e martir. Mes tjerash pati shkruar: “Vetëm dashuria krijon e
ndërton”: një sfidë e një trashëgimi për të ardhmen e botës. Maksimiliani Kolbe
lindi më 7 janar të vitit 1894 në Zdunksa-Wola në Poloni; emri i tij që mori në pagëzim
ishte Raimond. Më 1939, kur gjermanët e pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte
në kuvendin e vet të Fretërve të Vegjël Konventual. Mbajti menjëherë qëndrim të prerë
e të hapur kundra nacionalsocialistëve. Kështu, Maksilimilani u bë njeri i padëshirueshëm,
prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes në Aushvic. Ishte
muaji shkurt i vitit 1941. Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani,
por numri 16.670. Aty nga fundi i korrikut të të njëjtit vit, derisa njëri nga
të internuarit dënohej me vdekje, Atë Maksimiliani Kolbe u tregua u gatshëm të zinte
vendin e të dënuarit për vdekje. Fali jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër jetë.
Pas dy javë vuajtjesh të tmerrshme, ai shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik,
derisa buzët shqiptonin për herë të fundit mbi tokë: “Të falem Mari!”. Ishte Nata
e Zojës së Bekuar të Ngjitur në Qiell e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjet. Vdiste
me bindjen: “Vetë, dashuria krijon e ndërton”, që e shoqëroi gjithë jetën. Themelues
i Ushtrisë së Zojës së Papërlyer, lëvizje kishtare e apostullimit marian, Atë Maksimiliani
Kolbe qe shpallur i lum nga Papa Pali XVI më 17 tetor të vitit 1979, ndërsa 11 vjet
më vonë, më 10 tetor 1982, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Gjon Pali II e shpalli
Shenjt e Martir të Kishës. Me martirizimin e vet, Ai ka sjell “fitoren përmes dashurisë
e fesë, në një vend ndërtuar për mohimin e fesë në Zotin e në njeriun” – pati thënë
Papa Wojtila për këtë dëshmitar që me dritën e pashkëve e shndriti botën e tmerrshme
të kampeve të përqendrimit.