Kisha kujton sot me 14 gusht Shën Maksimilian Kolben, martir i kampeve naziste
të shfarosjes. Raimondi (ky ishte emri i pagëzimit), më vonë rregulltar françeskan
konventual me emrin Maksimilian, lindi në Zdunska-Vola në Poloni, më 7 janar 1894.
Më 1939, kur gjermanët pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte në kuvendin e vet.
Mbajti menjëherë qëndrim të prerë e të hapur kundra nacionalsocialistëve. U bë, kështu
njeri i padëshirueshëm, prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes
të Aushvicit. Ishte muaji shkurt i vitit 1941. Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as
Raimondi e as Atë Maksimiliani, por numri 16. 670. Aty nga fundi i korrikut të të
njëjtit vit, në sa një nga të internuarit dënohej me vdekje, Atë Kolbe u tregua i
gatshëm të zinte vendin e të dënuarit. Fali jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër
jetë. Pas dy javë vuajtjesh të papërshkrueshme, ai shtrinte krahun për gjilpërën me
acid fenik, në sa buzët shqiptonin për herë të fundit mbi tokë: "Të falem Mari!".
Ishte nata e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’ e ai nuk i kishte mbushur
ende 47 vjetët. Benedikti XVI, në gusht të vitit 2008, gjatë njërës nga audiencat
e përgjithshme, duke kujtuar Shën Maksimilian Maria Kolben dhe Shën Tereza Benediktën
e Kryqit (Edit Shtain), që e përfunduan me martirizim jetën e tyre tokësore në kampin
e nazist të përqendrimit, në Aushvic, theksoi:“Në dukje jetët tyre mund të konsiderohen
një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tyre shkëlqen drita e dashurisë,
që mund errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët
e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: ‘Urrejtja nuk
është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë’. E provë heroike e dashurisë
ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin
në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941”.