2011-08-13 08:49:26

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës Shenjte të së dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Tema kryesore që trajtohet nga leximet biblike të kësaj së diele e në mënyrë të posaçme nga Ungjilli, është përkatësia e popullit të Zotit. Kriteri i përkatësisë së vërtetë në popullin e Zotit nuk është raca apo zbatimi i jashtëm i urdhërimeve e ligjeve Hyjnore, por feja e përvujtë dhe e patundur në Zotit, feja që shpien në sjellje të ndershme, të drejtë, të mirë e të jetosh në përkim me vullnetin e Zotit e në dritën e mësimeve të Tija Hyjnore. Pa kurrfarë diskriminimi, të gjithë popujt janë të thirrur prej Zotit të marrin pjesë në shpëtimin hyjnor e po kështu edhe vet Izraeli do të shpëtohet nga përdëllimi i Hyjit sepse dhuratat e Zotit janë të patërheqshme.
Vendimi i marrë nga Kisha e parë për t’ia shpallur Ungjillin edhe paganëve, arsyetohet me sjelljen dhe qëndrimin e vet Jezusit, sikur do të dëgjojmë më vonë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele 8Mt 15,21-28). Jezusi e pranon gruan nga Kananeja e cila me një fe të vërtetë i kërkon çlirimin e vajzës së saj nga pushtimi i djallit. Jezusi e lavdëron fenë që nuk dorëzohet. Të frymëzuar nga i njëjti besim që pati gruaja kananease, ta përtërimë edhe ne rrëfimin e fesë sonë në Krishtin Zot.
Prioriteti i thirrjes së Zotit drejtuar Izraelit nuk përjashton, por përfshinë edhe paganët. Çdo person, çdo burrë, çdo grua që e pranon fenë e beson në Krishtit Zotit, mund të hyjë e të jetë pjesë e popullit të Zotit. Qysh në Besëlidhjen e Vjetër, sikur dëshmon leximi i parë i kësaj së diele, edhe të huajt kishin mundësi të aderonin në fenë e Zotit të Abrahamit. Mund ta kuptojmë kështu mirë tregimin ungjillor të kësaj së diele, nëse përkujtojmë se kananeanët ishin një popull i përbuzur prej izraelitëve; e Jezusi, sikur thamë, e pranon kërkesën e gruas nga Kananeja bërë me fe të patundur. Leximi i dytë i kësaj së diele na imponon të përkujtojmë fenë plotë entuziazëm të Palit në Krishtin e, në të njëjtën kohë, dashurinë e sinqertë për popullin e vet, i cili nuk e njeh as nuk e pranon në Jezusin Mesinë: çfarë vuajtjesh për apostullin për këtë fakt! Ungjilli na tregon për Jezusin që shkon në krahinat e Tirit e të Sidonit: me këtë gjest Ai tejkalon kufijtë zyrtar të Izraelit, duke dëftuar në mënyrë të qartë se në Zotin nuk ka kufij. Në të vërtetë, është njeriu, që i vë kufijtë; është njeriu ai që refuzon; është njeriu ai që bën ndarje: Zoti përkundrazi bashkon, Zoti kërkon, Zoti vendos paqe. Pra, Ungjilli i kësaj së diele na fton të mbështetemi krejtësisht në mirësinë e Zotit e të lejojmë Hirin Hyjnor të veprojë në zemrën e shpirtin tonë në jetën e përditshme.
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.