Kisha kujtoi Shën Maksimilian Kolben, martir i kampeve naziste të shfarosjes.
(14.08.2011 RV)Kush ishte Shën Maksimiliani? Raimondi (ky ishte emri i pagëzimit),
më vonë rregulltar françeskan konventual me emrin Maksimilian, lindi në Zdunska-Vola
në Poloni, më 7 janar 1894. Më 1939, kur gjermanët pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte
të jetonte në kuvendin e vet. Mbajti menjëherë qëndrim të prerë e të hapur kundra
nacionalsocialistëve. U bë, kështu njeri i padëshirueshëm, prandaj nazistët e internuan
në kampin e tmerrshëm të shfarosjes të Aushvicit. Ishte muaji shkurt i vitit 1941.
Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani, por numri 16. 670.
Aty nga fundi i korrikut të të njëjtit vit, në sa një nga të internuarit dënohej me
vdekje, Atë Kolbe u tregua i gatshëm të zinte vendin e të dënuarit. Fali jetën e
vet, për të shpëtuar një tjetër jetë. Pas dy javë vuajtjesh të papërshkrueshme, ai
shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik, në sa buzët shqiptonin për herë të fundit
mbi tokë: "Të falem Mari!". Ishte nata e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në
qiell’ e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjetët. Benedikti XVI, në gusht të vitit
2008, gjatë njërës nga audiencat e përgjithshme, duke kujtuar Shën Maksimilian Maria
Kolben dhe Shën Tereza Benediktën e Kryqit (Edit Shtain), që e përfunduan me martirizim
jetën e tyre tokësore në kampin e nazist të përqendrimit, në Aushvic, theksoi:“Në
dukje jetët tyre mund të konsiderohen një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin
e tyre shkëlqen drita e dashurisë, që mund errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen
si të Maksimilian Kolbes fjalët e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit
nazist: ‘Urrejtja nuk është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë’.
E provë heroike e dashurisë ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut
të burgut, të cilit i zuri vendin në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14
gusht 1941”.