2011-08-13 10:57:50

Gjermania kujton 50-vjetorin e ndërtimit të Murit të Berlinit


Kanë kaluar 50 vjet, që nga 13 gushti i vitit 1961, datë e fillimit të ndërtimit të Murit të Berlinit, i cili për 28 vjet rresht ndau Gjermaninë Lindore nga ajo Perëndimore. U ngrit për të shmangur ikjen e mijëra lindorëve, nën regjimin komunist, drejt perëndimit. Në kuadrin e këtij përvjetori, në kryeqytetin gjerman u zhvillua një lutje ekumenike, ku morën pjesë krerë nga fe të ndryshme, në praninë e presidentit të Republikës, Kristian Vulf dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. I dërguar nga gazeta italiane kishtare “Avvenire”, ishte i pranishëm Luigji Gjeninaci, në mikrofonin tonë: RealAudioMP3
Gjermania Lindore, e cila ishte një burg, si të gjitha vendet komuniste të Evropës Lindore nga ku nuk mund të dilej, kishte në Berlin – thuhej atëherë me një batutë të hidhur – një portë gjithnjë të hapur drejt Perëndimit. Ishte e vështirë të pengoheshin gjermanët në kalimin e kësaj vije demarkacioni, që nganjëherë priste përgjysëm shtëpitë, trotuaret e kështu me radhë. Nga Republika Demokratike Gjermane kishin ikur 3 milion e gjysëm persona nga një popullsi 17 milionëshe, prandaj autoritetet komuniste të Berlinit Lindor vendosën të bënin këtë hap të çmendur. Nuk mund të pranonin një hemorragji të tillë nga ana e popullsisë.
Ç’pasoja pati ndërtimi i Murit për berlinezët dhe për krejt popullin gjerman?
Për gjermanolindorët qe një traumë vërtet e madhe. Që atëherë nuk mund të dilnin më nga kufijtë. Gjatë ditëve të para të ndërtimit të Murit, pati raste dramatike njerëzish, që përpiqeshin të iknin me çdo kusht, duke kapërcyer telat me gjemba… Qe tragjedi edhe për gjermanët e Perëndimit, pasi nuk mund të shkonin më për të takuar të afërmit, miqtë, apo edhe thjesht, bashkombasit.
Po mbi Kishën në Gjermani, ç’pasoja pati?
Kisha u nda e duhet të kujtojmë se kardinali i Berlinit e ka pasur gjithnjë rezidencën në pjesën lindore, prandaj ishte një nga personat e paktë, që mund të kalonte në anën tjetër, pas vitit 1961. Jetonte në kontakt me bashkësinë më të vuajtur. Ishte për të një përvojë tepër e dhimbshme, por edhe shenjë shprese.
Muri qe simbol i Luftës së Ftohtë, që e ndau Evropën e botën më dysh. Çfarë mbetet prej tij, 22 vjet pas shembjes?
Kancelari Kohl, protagonist i bashkimit të Gjermanisë, fliste për fusha të lulëzuara në Lindje. Nuk qe e lehtë të rriteshin ato lule, por pas 22 vjetësh, mund të themi se Gjermania Lindore ka ndryshuar e po ndryshon. Megjithatë, diçka ka mbetur në mendjet e tyre, si një lloj nostalgjie: ndër vendet e bllokut sovjetik, Gjermania Lindore ishte vendi ku jetohej relativisht më mirë, por kjo është thjesht nostalgji ideologjike, sepse ata që e kanë vuajtur mbi kurriz dramën e shtypjen e komunistëve, nuk kanë aspak nostalgji.
Çfarë na mëson historia e Murit të Berlinit?
Duhet të kujtojmë konceptin themelor për të cilin u ndërtua Muri. Ka qenë hera e vetme në histori – të paktën në historinë moderne – që u ndërtua një mur, jo për t’u mbrojtur nga armiq të vërtetë ose të dyshuar të jashtëm, por për të mbajtur të burgosur popullin. Ishte Muri, që regjimi komunist e quante “baluardi antifashist”. Në të vërtetë, nuk kishte asnjë fashist përtej e askush nuk donte të sulmonte Gjermaninë Lindore. Ishte thjesh një mur kufitar… ishte thjesht një burg i ndërtuar për 17 milion vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.