2011-08-12 18:26:28

Papa nis ndihma të reja për Bririn e Afrikës. Imzot Dal Tozo: Perëndimi, në krizë, nuk duhet të harrojë se ka edhe njerëz që vdesin nga uria.


Papa vijon ta ndjekë nga afër situatën dramatike, në të cilën jetojnë popullsitë e Bririt të Afrikës, ku zija e bukës bën po atë kërdi, që bëjnë luftërat gjakatare e epidemitë shfarosëse. Përmes Këshillit Papnor Cor Unum, Benedikti XVI përpiqet të japë ndihmesën e vet, e jo vetëm shpirtërisht, por edhe ekonomikisht, duke dërguar ndihma konkrete, posaçërisht në disa dioqeze të zonës, nga të cilat vijon ikja e njerëzve, të trembur për vdekje jo vetëm nga zija e bukës, por edhe nga lufta. Për ndërhyrjen e Benediktit XVI, të dëgjojmë imzot Gjovani Pietro Dal Tozo-n, sekretar i Cor Unum, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa foli për këtë situatë që më 17 korrik, e pastaj vijoi ta kujtonte me shqetësim; në fillim, përmes dikasterit tonë, nisi ndihma për Somalinë, e tani deshi të japë një shenjë tjetër të afërsisë së tij, duke nisur ndihma të reja në drejtim të dioqezeve të Kenias e të Etiopisë, që po punojnë për strehimin e njerëzve të ikur nga vatrat, pa marrë parasysh se kanë edhe problemet e tyre shqetësuese. Vuajnë edhe vetë nga mungesa e ushqimit, gjë që krijon një situatë jo të lehtë për t’u përballuar. E kësaj situate i shtohet tani edhe problemi i refugjatëve dhe i të shpërngulurve nga zonat e brendshme e nga vendet fqinje.

Pyetje: - Tani ka shumë rëndësi të mos harrohet dramaticiteti i situatës, sidomos nga bashkësia ndërkombëtare...

Përgjigje: - Po, e unë besoj se pikërisht kjo ishte, që në fillim, vija Selisë së Shenjtë dhe e Papës: nxitja e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë në këtë situatë tragjike, që vijon prej kohe e që, për fat të keq, duhet ta themi hapur, u ndoq tepër gjatë me indiferencë të përgjithshme. Por duhet thënë edhe se tani njerëzimi është më i vëmendshëm ndaj këtij problemi, ashtu si ndaj emergjencave të tjera të shumta të kohës, si kriza financiare, që peshon mbi të gjithë. Duhet theksuar, veç, se emergjencat e popullsive të pasura shpesh herë vihen në plan të parë, duke harruar se ka edhe popullsi të tjera në botë, tejet të varfëra, në situata tragjike, të cilat popullsitë e pasura nuk munden as t’i përfytyrojnë.

Pyetje: - Ç’ mund të na thoni për praninë e Kishës në zonë?

Përgjigje: - Prania e Kishës është tashmë e mirëorganizuar, në kuptimin se në vend kemi dioqeze e vikariate apostolike, që janë bazë për ndërhyrjet në favor të popullsive. Më duket e rëndësishme të nënvizoj se në këtë rast, dioqezet afrikane, Karitaset vendase afrikane e vetë popullsia e vendit - katolikët e vendit – qenë të parët që dhanë të gjitha ndihmat e mundshme. Prandaj duhet thënë se një pjesë të mirë të ndihmave e dhanë vetë afrikanët. Natyrisht Caritas Internationalis po harton një plan më të hollësishëm e më të plotë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera, për t’i mbështetur këto përpjekje, të cilat fillimisht nisën nga vetë Kisha vendase.








All the contents on this site are copyrighted ©.