2011-08-12 18:35:31

Dy miliardë njerëzve në botë u mungon liria fetare: të krishterët janë më të persekutuarit.


(12.08.2011 RV)Një e treta e popullsisë botërore nuk e gëzon lirinë e fesë: në këtë përfundim arrin Raporti i fundit i Qendrës së studimeve të Uashingtonit, kushtuar feve, që njihet me emrin Pew Research Center’s Forum on Religion and Public Life (Forumi i Qendrave Kërkimore për Fenë e Jetën Publike). Raporti, i cili shqyrton kryesisht periudhën 2006-2009, denoncon qeveritë, që kanë prirjen të krijojnë ligje gjithnjë më kufizuese si dhe numrin, në rritje, të fenomeneve të dhunës ose të qëndrimit armiqësor kundër besimtarëve e, sidomos, kundër të krishterëve. Sipas studimit, më se 2 miliardë njerëz nuk e kanë aspak të lehtë ta praktikojnë fenë e tyre. Në një situatë të tillë, që mund të çudisë shumë nga ata, të cilët besojnë se tashmë liria e fesë është e siguruar në të gjithë botën, ftuam në mikrofonin tonë, sociologun Masimo Introvinje, përfaqësues i OSBE-së për luftën kundër racizmit, ksenofobisë e diskriminimit, duke e nxitur të vërë theksin kryesisht mbi diskriminimin e të krishterëve dhe përfaqësuesve të feve të tjera:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ky (Raport) konfirmon të dhënat e Lëvizjes “Ndihmë për Kishën që vuan”, të “Open Doors” e edhe të librit të Grim e Finke, me titull “Çmimi i lirisë së mohuar”. Janë, pra, të dhëna të njohura, por njëkohësisht, të dhëna, të cilat është e mira t’i rikujtojë ndokush sepse, siç pohon Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2011, liria fetare është një nga problemet më të mprehta të botës së sotme, por edhe një nga problemet, për të cilat flitet më pak.

Pyetje: - Dihet tashmë se të krishterët vijojnë të jenë më të persekutuarit, por persekutimet prekin edhe besimtarët e feve të tjera...

Përgjigje: - Po, besoj se ne mund t’i shikojmë këto të dhëna më gjërësisht e të rikujtojmë statistikat e David Barret, që njihet si “zotëria i statistikave’ në botën e besimeve fetare. Ai thotë: është e vërtetë se shumë pakica persekutohen, por në shekujt XX e XXI, tri të katërtat e të vdekurve – ai merret vetëm me të vdekurit për shkak të besimit të tyre fetar - janë të krishterë. E po kujtoj këtu edhe një të dhënë tjetër: në se të krishterët janë mbytyr më shumë nga regjimet totalitare ose - vaj medet – nga ndjekës fanatikë të feve të tjera, myslimanët, të cilët përbëjnë grupin e dytë të madh të të rënëve për fenë e tyre, në disa raste, siç është ai i Indisë, mbyten nga fondamentalistët hinduistë. E, ç’është edhe më keq, shumica e të vdekurve nga pala myslimane, është viktimë e ndeshjeve ndërmjet sunitëve e shiitëve, domethënë, jemi përballë një tragjedie të vërtetë, në skenën e së cilës, myslimanët mbysin myslimanë. Po japim vetëm një shifër, sipas Barret: duke nisur që nga vdekja e Jezu Krishtit e deri në vitin 2000, numrohen 70 milionë martirë të krishterë. E ç’të çudit më shumë kur lexon statistika të tilla, 40 milionë prej tyre ranë në fushën e nderit duke mbrojtur fenë në Jezu Krishtin, vetëm në shekullin XX. Ndërsa në shekulin XXI, në dhjetëvjeçarin e tij të parë, kanë rënë më se 160 mijë të krishterë në vit. Tani kjo shifër ka zbritur në 100-105 mijë, për shkak të përfundimit të disa situatave tejet të rënda, si ajo e Sudanit, për shembull, ku për fat të mirë, kohët e fundit numri i të krishterëve të vrarë është pakësuar shumë. Gjithsesi mbeten shifra tejet të larta. E pas shifrave, edhe në këtë çast, kur ne po flasim për persekutime, diku, në ndonjë skaj të harruar, a edhe të njohur të botës së madhe, ka shumë mundësi të ketë viktima të reja, njerëz që vdesin në një mijë mënyra, edhe të kryqëzuar, si Mësuesi i tyre Hyjnor, ose që mbyten me gurë. Kështu, i Kryqëzuari përsëritet në bijtë e vet edhe në epoka, që e quajnë veten moderne, që pretendojnë të sigurojnë lirinë pa cak, që flasin për globalizimin e lirive, në sa vringëllojnë çekanin, që ngul gozhda mbi mish e nerva, vetëm për shkak të fesë, e cila është e duhet të jetë burim e bazë e të gjitha lirive. Po të kishte më shumë fe, sigurisht do të kishte shumë më pak tragjedi!

Pyetje: - Shtohen aktet e dhunës, por edhe kufizimet qeveritare. Për dhunën flitet shpesh, sepse atentatet nuk kalojnë pa u vërejtur nga kronikat, ndërsa për kufizimet qeveritare flitet pak e aspak, e, nuk duhet harruar se shpesh kanë të bëjnë me vende, prej të cilave nuk priten...

Përgjigje: - Po, kjo besoj është meritë e dokumenteve të Papës, i cili sivjet ka folur shumë për lirinë fetare, duke nisur nga Fjalimi i dhjetorit të kaluar, drejtuar Kuries Romake, për të vijuar me Mesazhin e Ditës Botërore të Paqes, më 1 janar 2011. Në këtë mesazh, Papa vë theksin mbi dy koncepte kryesore: i pari është se askush nuk dëshiron t’i vërë në të njëjtin plan masakrat ose vrasjet masive, në vende si Pakistani, Egjipti ose Koreja e Veriut, me diskriminimet administrative, që vërehen edhe në Perëndim; tjetri, ai që kujton se mungesa e lirisë fetare është një plan i rrezikshëm: dihet ku fillon, por nuk dihet ku e si mund të përfundojë. Në të gjitha fjalimet kushtuar mungesës së lirisë fetare, Benedikti XVI ka vënë theksin mbi faktin se problemet nuk mungojnë as në Perëndim; e i ka kujtuar vazhdimisht, me emër: ka folur qartë në rastin e përpjekjes për ta hequr Kryqin, domethënë në rastin e vendimit të marrë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për ta hequr Kryqin nga klasat e shkollave italiane, vendim që, për fat të mirë, u hodh poshtë, pas apelimit pranë Dhomës së Madhe. Papa ka kujtuar disa herë edhe problemin e edukimit qytetar – kështu u shpreh ai vetë - që dhunon të drejtën e lirisë fetare të prindërve katolikë, duke ngulitur parime të karakterit moral e filozofik, që u bien ndesh vlerave, sipas të cilave jetojnë prindërit katolikë e të krishterë në përgjithësi, siç është rasti, edhe ky objekt i një vendimi të Gjykatës Evropiane, i “educación ciudadana” në Spanjë. Papa ka kujtuar edhe një sërë formash të tjera të mënjanimit e të diskriminimit të shkollave katolike, fenomen që vërehet gjithnjë më shpesh. Prandaj - e përsëris - nuk mund t’i vemë në të njëjtin plan këto diksriminime, që vërehen edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian, me masakrat e kërditë në vende të tjera, të largëta e të afërta. E megjithatë, duhet të lëshojmë kushtrimin, sepse edhe në këto raste jemi përballë dhunimit të lirisë fetare që, siç e kujtova më lart, dihet ku fillon, por nuk dihet deri në ç’cak mund të arrijë. A nuk e vërtetojnë këtë persekutimet e besimtarëve nën thundrën e hekurt të dy diktaturave jo shumë të largëta, që ka rrezik të harrohen e.. edhe të përsëriten, në se nuk e vijojmë kushtrimin për ta mbrojtur lirinë fetare, në të tëra shprehjet e saj, sepse nga lira fetare burojnë të gjitha liritë e tjera, e, natyrisht, edhe shmangen të gjitha rreziqeta, që mundojnë këtë botë, të zhytur në shqetësime e kriza, me bazë thellësisht etike. Kush është gati të kryqëzohet për ta shpëtuar njerëzimin, nuk mund ta vrasë njerëzimin!







All the contents on this site are copyrighted ©.