2011-08-11 12:01:20

Johan Jørgensen: “Në kuvendin e Shën Kiarës".


Sot Kisha katolike kremton festën liturgjike të Shën Kiarës, themeluese e Rregulltareve Klarise, simotër e Shën Françeskut të Asizit.
Natën e festës, gjatë audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi kuvendin e Shën Damianit, në Asizi, oazë e shpirtit, tepër e dashur për familjen françeskane e për gjithë të krishterët. Pranë kësaj kishëze, rindërtuar nga Shën Françesku pas kthesës së madhe – kujtoi Papa - Kiara e shoqet e saj krijuan bashkësinë e tyre, duke jetuar në shoqëri me ‘motrën varfëri”, me lutje e punë të vogla, që u siguronin jetesën e përditshme. Quheshin motrat e varfëra e forma e tyre e jetës ishte si ajo e fretërve të vegjël. Jetonin sipas mësimeve të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit, duke ruajtur bashkimin dhe dashurinë e anasjelltë e duke ecur mbi gjurmët e Jezusit e të Nënës së tij Shenjte, në rrugën e varfërisë e të përvujtërisë.. Kështu e kujtoi Papa Kiarën e Asizit.
Ndërsa ne zgjodhëm një portret pak të njohur të Shenjtes, duke shfletuar një nga kryeveprat e letërsisë me frymë katolike, “Shtegtime françeskane”, shkruar nga shkrimtari danez, Johan Jørgensen. Titullohet: “Në kuvendin e Shën Kiarës”.

U largova nga Shën Damiani, me zemrën plot kujtime nga jeta e Shën Kiarës dhe e motrave të saj të para, me emrat e ëmbël Butësi, Dashuri, Dhembshuri, Dëshirë, Ngushëlluese, Engjëllushe e Kiarelë...
Por, mbi të gjitha, mendja ime ishte pushtuar krejtësisht nga kujtimi i vetë Shën Kiarës....
Bija e Favorino Scifi-t dhe e Ortolana Fiumit, vasha më e fisme e më e bukur e Asizit, sapo i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat, kur mori velin nga dora e vetë Shën Françeskut. Ishte nata e së Dielës së Ullinjve, viti 1212, ndërmjet 18 e 19 marsit. E shoqëruar prej Bona Guelfuçit, një nga kushërirat e saj më të moshuara, patricia e re zbriti në Porciunkola, ku fretërit e veshur me zhguna të murrmë, ngjeshur me litar në përmjet, i dolën para me rremba ulliri e qirinj të ndezur në duar. E shoqëruan nëpër kapelëzën e Porciunkolës, deri tek elteri i Zojës së Bekuar, ku Vasha u gjunjëzua, hoqi të gjitha stolitë e zhveshi rrobat e rënda, të kushtueshme, që mbanin bijat e dyerve fisnike të shekullit XVIII. Në vend të tyre, veshi zhgunin e murrmë, të ngjashëm me atë të fretërve. Atëherë Shën Françesku iu afrua ngadalë e ia preu flokët e gjatë, ngjyrë ari, që i derdheshin madhërisht mbi supe. Pastaj, me këmbët e zbathura, po atë natë, u strehua tek Benediktinet, në kuvendin e Shën Palit, në brigjet e përroit Kiagjo, që rrjedh rrëzë mureve të Asizit. Që aty, pas pak kohe, sivëllezërit e çuan në një strehë tjetër, në Kuvendin e Shën Engjëllit, në Panco, sot Seminari serafik i Asizit. Së fundi, në vendin ku do të jetonte deri sa mbylli sytë, nën një strehë të varfër, pranë atij Shën Damiani, që Shën Françesku e kishte rindërtuar me duart e veta ndonjë vit më parë. Jetoi aty 40 vjet, deri kur, më 11 gusht të vitit 1253 fjeti në TënZonë, në moshën 60 vjeçare. U mplak në trup, por jo në shpirt. Shpirtërisht mbeti gjithnjë e re, ashtu si atëhere, kur nga dritarja e pallatit atëror, kundronte luginën e bleruar në agimet e bukura të pranverës, dëgjonte këngën e zogjve e zemra i mbushej plot me gëzimin rrezëllues të të jetuarit e mirënjohjen e thellë për Autorin e të gjitha sendeve.
Gëzimi i zemrës, dashuria për jetën e mirënjohja për Autorin e bukurisë e të vetë jetës: këto ishin tiparet kryesore të karakterit të Kiarës, deri në fund të fundit. Ajo jetoi e dashur e duke dashur...
Për sa kohë ishte gjallë Shën Françesku, Kiara qe ngushëlluesja e ndihmësja e tij më besnike. Tek ajo u nis e shkoi Shenjti, kur filloi të dyshonte për natyrën e vërtetë të thirrjes së tij, duke gjetur, përmes lutjeve të saj, drejtimin e vërtetë, që dëshironte. Tek ajo shkoi, kur sëmundja e syve iu rëndua aq, sa ta verbonte pothuajse plotësisht. E ajo ndërtoi për të një kasolle pranë Shën Damianit, që të mund të prehej e të pushonte më mirë. E me duart e saj delikate, ia ndërroi varrët e mrekullueshme, që Shenjti kishte në trup vitet e fundit të jetës. Nuk ka dyshim se Shën Françesku, kur endej kodrave e luginave për rreth, shikonte shpesh me sytë e mendjes figurën e brishtë, plot hir, të Motrës Kiarë, që i dukej si dritë e ëmbël në horizont, atje ku kryqëzoheshin shtigjet plot gurë të udhës së tij pa fund.
E kur Shën Françesku vdiq e sivëllezërit e çuan trupin e tij në Asizi, duke e shoqëruar me himne e tinguj të mprehtë borish, me degë ulliri e qirinj të ndezur, rrugës u ndaluan në Kuvendin e Shën Damianit. Hynë brenda dhe e vendosën barrën e çmuar krejt pranë hekurave të kryqëzuar, pas të cilëve motrat prisnin ta shikonin për herë të fundit Atin Serafik e të ngushëlloheshin. Atëherë kishëza u tund nga dënesët e lamtumirës e s’mbeti njeri pa u përlotur, kur i pa këta engjëj të paqes duke qarë me lot të hidhur.
Këta lot u derdhën shtatë shekuj më parë. Po engjëjt e paqes, trashigimtaret e Shën Kiarës, janë përsëri aty, në Asizi, roje besnike, pranë varrit të Shën Françeskut.1
1 Marrë nga: Giovanni Joergensen “Pellegrinaggi Francescani”, Dall’Oglio Editore, I Corvi, Collana Universale Moderna, Milano, marzo 1958; fq. 182- 185







All the contents on this site are copyrighted ©.