2011-08-11 12:01:32

Johan Jørgensen dhe veprat e tij.


Johan Jørgensen lindi në Svendborg, më 6 nëntor 1866 e vdiq po aty, më 29 maj 1956. Është shkrimtar e poet i njohur danez. Ende i vogël, u detyrua të largohet nga vendlindja, për të vijuar shkollën e mesme në Kopenhagen ku, si mori diplomën e pjekurisë, hyri në rrethe artistike të ndikuara fuqimisht nga idetë socialiste, ide që nisën të ndjeheshin fort në krijimet e para poetike.
Talenti i tij letrar ra shpejt në sy në faqet e revistës Taarnet (Kulla), ku nisi të botonte poezi, shkruar me gjuhë mataforike e frymëzim simbolist. U bë, kështu, bashkëpunëtor e, më pas, edhe redaktor i revistës, ndonëse vargjet e tij u sulmuan shpesh nga rrethe të ndryshme letrare të kohës.
Johani ishte protestant. Por kur u takua me argjendarin Mogens Ballin, hebre i kthyer në katolicizëm, vendosi të pagëzohej e, bashkë me mikun e ri, u nis për të vizituar Asizin. Këtu, në vitin 1894, duke admiruar me gjithë zemër jetën e veprën e Shën Françeskut, nisi të shkruajë faqe krejt të reja, të ndikuara fuqimisht nga fryma françeskane. Ndërmjet tyre edhe “Shtegtime françeskane” prej nga e shkëputëm fragmentin kushtuar Shën Kiarës. Shkrimet patën sukses të jashtëzakonshëm e jo vetëm në botën katolike. I siguruan titullin “Qytetar nderi i Asizit” e i vendlindjes, Svendborgut.
Vijoi të shkruante jetëshkrimet e shenjtorëve më të njohur të Kishës katolike, ndërmjet të cilëve, jetën e Shën Brixhidës, të Shën Katerinës nga Siena, të Shën Gjon Boskos e të Shën Françeskut të Asizit, të gjitha plot me përshkrime mahnitëse, frymëzuar nga bukuritë e natyrës, në gjirin e së cilës kaloi një pjesë të mirë të jetës. U ndikua edhe nga poezitë e Shën Françeskut, posaçërisht nga “Kënga e Krijesave”, “Kënga e vëllait diell” e këngët kushtuar Italisë nga Françesk Bernardoni, që konsiderohet më shenjti ndër italianë e më italiani ndër shenjtën.
Pas endjeve nga Danimarka, në Itali e në Suedi, u rikthye në vendlindje, ku vdiq në moshën 90 vjeçare. Pushon në paqe në varrezën e Svendborgut.
Shkrimtari danez, që ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës, sidomos asaj françeskane e që është përkthyer në shumë gjuhë, pret të mësojë edhe gjuhën shqipe. Shkrimi kushtuar Shën Kiarës është belbëzimi i tij i parë shqip.









All the contents on this site are copyrighted ©.