2011-08-11 14:12:53

Dekreti i Penitencierisë Apostolike për Ndjesën e Plotë gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Madrid


Penitencieria Apostolike
Madrid
Dekret

U jepet ndjesa e plotë besimtarëve që, me rastin e “Ditës XXVI Botërore të Rinisë”, do të shkojnë në Madrid si shtegtarë; mund të marrin edhe ndjesën e pjesshme të gjithë ata që, kudo të ndodhen, luten për qëllimet shpirtërore të këtij takimi e për përfundimin e tij me sukses.

Kohët e fundit, Penitencierisë Apostolike i ka mbërritur lutja e Eminencës së nderuar Antonio Maria Rouka Varela, kardinal-kryeipeshkëv i Madridit dhe Kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve të Spanjës, që të rinjtë të mund të fitojnë frytet e shpresuara të shenjtërimit nga Dita XXVI Botërore e Rinisë, e cila kremtohet nga 16 deri më 21 të muajit të gushtit në vijim, në kryeqytetin spanjoll, e që do të ketë si temë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe” (shih Kol 2,7).
Penitencieria Apostolike, duke ia paraqitur këtë lutje Atit të Shenjtë, mori detyrën e veçantë për të dhënë, përmes këtij Dekreti, dhuratën e Ndjesës, sipas ndjetit të vetë Papës, si më poshtë vijon:
U jepet Ndjesa e Plotë besimtarëve, që me përkushtim do të marrin pjesë në ndonjë kremtim kishtar, ose në ndonjë veprimtari bamirëse, që do të zhvillohet në Madrid, gjatë “Ditës XXVI Botërore të Rinisë”, si edhe në përfundimin e saj solemn, me kusht që të jenë të rrëfyer e të penduar me të vërtetë, të marrin Kungimin e Shenjtë e të luten sipas ndjetit të Shenjtërisë së Tij.
U jepet Ndjesa e Pjesshme besimtarëve që, kudo të ndodhen gjatë takimit të sipërpërmendur, me shpirt të penduar, do t’i luten Zotit e Shpirtit të Shenjtë, që t’i nxisë të rinjtë drejt bamirësisë e t’u japë forcën për ta shpallur Ungjillin me jetën e tyre.
Pastaj, që besimtarët të marrin lehtësisht këto dhurata hyjnore, meshtarët e miratuar ligjërisht për dëgjimin e Rrëfimit sakramentor, me frymë dashamirësie e bujarie, të tregohen të gatshëm për t’i dëgjuar Rrëfimet e t’u propozojnë besimtarëve lutje publike për suksesin e vetë “Ditës Botërore të Rinisë”.
Ky Dekret ka vlerë për këtë rast. Pavarësisht nga çdo dispozitë e kundërt.
Romë, nga selia e Penitencierisë Apostolike, 2 gusht, viti i Mishërimit të Zotit 2011, në përkujtimin e shenjtë të “Porciunkolës”.
Kard Fortunato Baldelli
Penitencier i Madh
Imzot Xhanfranko Xhiroti, O.F.M. Konv.
Ipeshkëv titullar i Metës, Regjent








All the contents on this site are copyrighted ©.