2011-08-10 15:42:20

Papa në audiencën e përgjithshme: duhet të heshtim, për ta dëgjuar zërin e Zotit.


“Zoti flet në heshtje, por duhet të dish ta dëgjosh” - këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos. Sot Benedikti XVI i ftoi simbolikisht shtegtarët për të vizituar së bashku manastiret, oaza të shpirtit, vend ku Zoti i flet njerëzimit.RealAudioMP3

Tepër të potershme jetët tona, tepër të zhurmshme, por mes zhurmës e poteres nuk mund të realizohet një jetë e vërtetë shpirtërore e sytë tanë, të habitur nga shtjella e ngjarjeve të botës, nuk mund të ngulen lehtë në sytë e Zotit. Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e sotëm rëndësisë që kanë heshtja e meditimi në jetën e njeriut, në përgjithësi e të besimtarit, në veçanti. U ndalua, prandaj, për disa çaste, në ato vende mistike, të zgjedhura nga njerëzit, që ia kushtojnë jetën Zotit, të cilin e takojnë dhe e dëgjojnë në lutje. Në këto vende – shpjegoi Papa – takohen dy elemente tejet të rëndësishme për jetën kundruese: bukuria e gjithësisë dhe heshtja.
“Heshtja është kusht ambiental, që favorizon përqendrimin shpirtëror, dëgjimin e zërit të Zotit, meditimin. Vetë shijimi i heshtjes e dëshira për t’u mbushur përplot me këtë heshtje, në se mund të shprehemi kështu, na përgatit për lutje”.
Papa kujtoi, në vijim, Shkrimin Shenjt, duke shfletuar atë faqe, në të cilën takohemi me Elinë Profet, mbi malin Horeb. Pikërisht mbi mal, në heshtje e vetmi të plotë, profeti dëgjoi zërin e Zotit në flladin e lehtë, që nis të fryjë, pas vetëtimave e bumbullimave – pas zhurmave të botës, në kalim. Prandaj ky rrëfim i flet edhe njeriut të sotëm, i tregon shumë gjëra, për të cilat ka vërtet nevojë:
“Zoti flet në heshtje, por duhet të dish ta dëgjosh. Prandaj manastiret janë oaza, ku Zoti i flet njerëzimit; në to gjindet kiostri, vend simbolik, sepse hapësirë e mbyllur për tokën, por e hapur për qiellin”.
Duke kujtuar se nesër kremtohet festa liturgjike e Shën Kiarës së Asizit, mendimi i Benediktit XVI shkoi nga kështjella e moçme e Papëve, tek një kuvend i largët, ai i Shën Damianit, në Asizi, oazë e shpirtit, tepër e dashur për familjen françeskane e për gjithë të krishterët. Pranë kësaj kishëze, rindërtuar nga Shën Françesku pas kthesës së madhe – pohoi Papa - Kiara e shoqet e saj krijuan bashkësinë e tyre, duke jetuar në shoqëri me ‘motrën varfëri”, me lutje e punë të vogla, që u siguronin jetesën e përditshme:
“Quheshin “Motrat e varfëra” e forma e tyre e jetës ishte si ajo e fretërve të vegjël. Jetonin sipas mësimeve të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit, duke ruajtur bashkimin dhe dashurinë e anasjelltë e duke ecur mbi gjurmët e Jezusit e të Nënës së tij Shenjte, në rrugën e varfërisë e të përvujtërisë”.
Në këtë vend, ashtu si në oazat e tjera të shpirtit – shtoi Papa – mund të shihet menjëherë pasqyrimi i harmonië shpirtërore, që bashkësitë murgare e jetojnë ditë për ditë:
“Duke i parë gjërat me syrin shpirtëror, këto vende të shpirtit janë struktura të rëndësishme të botës! E nuk është rastësi që shumë njerëz, posaçërisht në periudhën e pushimeve, i vizitojnë këto vise e ndalohen aty për disa ditë, sepse edhe shpirti ka kërkesat e veta”.
Përveç Shën Kiarës, Papa kujtoi edhe shenjtorë të tjerë, që përkujtohen këto ditë, si Edit Shtain, festa e së cilës u kremtua dje, e Shën Lorenci, diakon e martir, kremtuar sot, duke e shoqëruar përkujtimin me një urim të përzemërt për romakët, që e nderojnë si një nga Pajtorët e tyre.
Pas katekizmit, duke folur në gjuhën angleze, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të posaçme të rinjve shtegtarë, për rrugë drejt Madridit, ku do të kremtojnë Ditën e tyre Botërore. “My special greeting goes to the young people…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.