2011-08-10 14:06:08

Dita kundër diskriminimit të dalitëve të krishterë e myslimanë. Imzot Maçado: të gjithë indianët janë njësoj


Sot, të krishterët indianë manifestuan në Nju Delhi në ditën, që quhet “Black Day” (Dita e Zezë), kushtuar luftës kundër diskriminimit shoqëror të dalitëve, personave, të cilët konsiderohen të fundmit e shoqërisë, pasi jashtë kastave të saj. Nga data 25 deri më 27 korrik, për tri ditë me radhë, u organizuan protesta për këtë qëllim në kryeqytetin e Indisë, pasuar nga kjo e sotmja, nxitur nga Konferenca Ipeshkvnore Indiane dhe Këshilli Kombëtar i Kishave. Përkujtimi i sotëm shënon 61-vjetorin e miratimit të nenit të Kushtetutës, që u jep të drejta të veçanta vetëm atyre personave jashtë kastave, të cilët janë të fesë hinduiste, budiste ose sikh, duke përjashtuar të krishterët, myslimanët e ndjekësit e feve të tjera. Mbi gjendjen aktuale të këtyre dalitëve, intervistuam ipeshkvin e dioqezës së Vasait, imzot Feliks Antoni Maçado:RealAudioMP3

Në shoqërinë indiane, ai që s’bënte pjesë në kastë nuk kishte asgjë. Për t’i ngritur në rangun e qytetarëve të tjerë, qeveria vendosi t’u njohë atyre disa të drejta, por me këtë akt, diskriminoi shtresa të tjera. Vërtet, u njeh të drejta vetëm personave, që u përkasin hinduizmit, budizmit dhe sikhizmit, ndërsa të krishterët e myslimanët nuk përfitojnë nga ligji. Për Kishën, ky është diskriminim. Protestojmë që qeveria t’u njohë këto të drejta edhe të kthyerve në fenë e krishterë, të cilët bëjnë pjesë në kastën më të ulët, ose janë krejt jashtë kastave.
Për cilat të drejta është fjala?
Për shembull, disa profesione në shoqëri e në qeveri u rezervohen hinduistëve, po kështu edhe disa zona zgjedhore. Shpesh, përfitimi është në formën e ndihmave mjekësore e ndihmave të tjera. Por Kushtetuta pohon se të gjithë indianët janë njësoj…
A ka shpresa se mund të ndryshojë kjo gjendje në të ardhmen?
Na e kanë premtuar kaq herë! Është e qartë se kjo kërkesë nuk bëhet vetëm nga të krishterët, por qëndrimi politik i sotëm na tregon se hindusitët kanë frikë se mos humbasin përfitimet e privilegjet, nëse këto ndahen edhe me të krishterët e myslimanët. Prandaj, asnjë parti politike nuk dëshiron të na njohë e të na garantojë këto të drejta.








All the contents on this site are copyrighted ©.