DBR: eprori i Bashkësisë së Tezesë, Vëllai Alois, i fton të rinjtë ta thellojnë miqësinë
me Krishtin.
(10.08.2011 RV)“Të jetohet në unitet, për të kërkuar bashkimin me gjithë të
pagëzuarit”. Një javë para fillimit të Ditës Botërore të Rinisë, në Madrid, Vëllai
Alois, epror i Bashkësisë së Tezesë, në Francë, u drejton, përmes mikrofonit tonë,
këtë ftesë, shoqëruar me një urim të sinqertë, të rinjve që do të marrin pjesë në
DBR-së, duke u kujtuar se ka shumë rëndësi të rigjejnë guximin për t’u impenjuar në
Kishë e në shoqëri:
Përgjigje:
- Ne jemi të lumtur që disa të rinj, të cilët vijnë nga larg, nga Azia, nga Afrika
e nga Amerika Latine – do të ndalohen më parë këtu, në Tezè, për të shkuar, më pas,
në Madrid, ku do të marrin pjesë në kremtimet e DBR-së. Tema “Të rrënjosur e të bazuar
në Krishtin, të fortë në fe” është themelore. Ne shpresojmë, e unë personalisht shpresoj
shumë, se një numër i madh të rinjsh do të ketë mundësinë t’i thellojë marrëdhëniet
personale me Krishtin, me Zotin. Mendoj se ky është edhe qëllimi, është ajo, që kërkojmë
të arrijmë, së bashku me të rinjtë, të cilët do të ndalohen për një çast këtu, në
Tezè, për të vijuar, pastaj, shtegtimin e madh.
Pyetje: - Rinia, nënvizon
Papa, frymëzohet nga idealet e mëdha, kërkon lidhje të vërteta, që e ndihmojnë të
ecë me guxim e pa frikë, në udhë të ngushta, sepse janë pikërisht shtigjet e ngushta
e të thepisura, ato që të çojnë në majat më të larta...
Përgjigje: -
Po, shpresojmë që të rinjtë do ta gjejnë në fe guximin për t’u impenjuar në Kishë
e në shoqëri. Ka rëndësi të madhe që të gjithë ta shikojnë me sytë e tyre se edhe
sot e kësaj dite në botë ka njerëz, të cilët e jetojnë vërtet jetën e krishterë e
vijojnë të mendojnë se të dhurosh jetën, është burim gëzimi.
Pyetje: -
Shoqëria e sotme, me sa duket, vijon ta përjashtojë Zotin...
Përgjigje:
- Po, është e vërtetë, por në se të rinjtë kanë etje shpirtërore, kanë dëshira
shpirtërore, mund e duhet t’i përgjigjemi kësaj etjeje, këtyre dëshirave.
Pyetje:
- Tezè është bashkësi e përbërë nga njerëz të kombësive të ndryshme, të bashkuar
nga i njëjti qëllim... Përgjigje: - Duhet të kërkojmë gjithnjë bashkimin:
Krishti na ka kërkuar të jetojmë sa më të bashkuar. Nuk mund ta jetojmë fenë e krishterë
të mbyllur ndër katër muret e kishave tona. Duhet të kërkojmë bashkimin me gjithë
të pagëzuarit. Lidhja ndërmjet nesh nuk mungon. Na lidh Pagëzimi, na lidh Fjala e
Zotit. Ndoshta në Madrid do të jenë të pranishëm edhe të rinj jo katolikë, që kërkojnë
pikërisht këtë bashkim.