2011-08-09 15:38:47

Në Londër vdes një nga personat e konfliktit në rrugë


Londra, qendër e një populli, i cili mburret për vetëpërmbajtjen, pavarësisht se karakterizohet edhe nga ekstreme, është bërë këto ditë teatër vjedhjesh, plaçkitjesh e djegjesh, si kurrë ndonjëherë. Protestat filluan tri ditë më parë, pas vrasjes së një personi me ngjyrë në veri të kryeqytetit nga policia, por duket qartë se ky ishte vetëm preteksti që mijëra të rinj të derdhen nëpër rrugë. Me mesazhe telefonike, apo me internet, mblidhen menjëherë e godasin aty ku s’ua pret mendja prindërve të tyre, të cilëve qeveria u ka kërkuar të kontrollojnë fëmijët.
Parlamenti britanik do të mbidhet të enjten në sesion të jashtëzakonshëm, pasi kryeministri Dejvid Kamerun thirri deputetët nga pushimet, të cilat janë shtyrë edhe për të gjithë agjentët e Skotland Jardit. Sot, Kamerun, që edhe vetë u detyrua të kthehej nga pushimet në Toskanë të Italisë, mblodhi komisionin e emergjencës “Kobra” për të përballuar më mirë guerriljen urbane, që nga Londra është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit si në Birmingam, Liverpul, Mançester e Bristol. Sot, edhe viktima e parë. Një i ri 26-vjeçar, i plagosur në Krojdon, vdiq në spital. Kryeministri dënoi ashpër të gjitha veprimet e dhunshme, që kanë çuar në plaçkitje, vjedhje e djegie të qyteteve, si edhe premtoi se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të rivendosur rendin, duke i kërcënuar përgjegjësit e dhunës se “do ta dëgjojnë plotësisht forcën e ligjit”. Deri tani, janë arrestuar mëse 450 vetë e rreth 60 janë plagosur. Që sot, në Londër ndodhen 16 mijë policë, të thirrur nga gjithë Britania e Madhe. Gjendja të kujton revoltën e “banliëve” në Paris, ku të rinjtë, sidomos të brezit të dytë të emigracionit, u vunë zjarr shtëpive e makinave për ditë me radhë. Problemi i periferive të qyteteve të mëdha është i njëjtë në të gjithë Evropën e kërkon një reflektim të thellë nga ana e politikës për të kuptuar e zgjidhur problemet e papunësisë rinore e të integrimit shoqëror të të rinjve në këto zona.








All the contents on this site are copyrighted ©.