2011-08-09 11:41:10

Kardinal Rilko: Dita Botërore e Rinisë është përtëritje për fenë e të rinjve, me jehonë në të gjithë Evropën


“Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”: kjo është tema e DBR-së në Madrid, e cila po afron me shpejtësi. Të rinjtë nga e mbarë bota do të mblidhen në kryeqytetin e Spanjës nga data 16 deri më 21 gusht, ndërsa Papa Benedikti XVI do të jetë i pranishëm duke filluar nga 18 gushti. Në pjesën e parë të intervistës, që transmetuam dje, kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislao Rilko na tha se festa e të rinjve përjetohet si një lloj “Rrëshajësh”, pra si përtëritje e fesë së gjallë në Krishtin me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, prania e të cilit ndjehet qartë në të gjitha Ditët Botërore të Rinisë. Ç’kuptim ka tema e kësaj DBR-je për kohën e sotme? Ç’do të thotë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”? Të dëgjojmë kardinalin, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Bota post-moderne po kalon një krizë të vështirë e të thellë. Relativizmi i përhapur krijon një boshllëk të rrezikshëm vlerash. Kultura post-moderne është një kulturë – të themi – “lëngaraqe”, pa pika referimi të patundshme e, si pasojë, prodhon njerëz pa rrënjë, pa baza të sigurta e të forta për jetën… Në një situatë të tillë, sidomos ndër të rinjtë, ndjehet edhe më shumë nevoja për të gjetur rrënjët e vërteta të identitetit të tyre njerëzor e të krishterë, nevoja për të pasur një themel të sigurtë, mbi të cilin të ndërtojnë jetën. DBR-ja e Madridit dëshiron t’u japë një përgjigje të qartë dhe bindëse këtyre nevojave të njeriut të sotëm: themeli, baza ekziston e është një Person i gjallë, që e ka emrin Jezu Krisht! Ai është përgjigjja e plotë për pyetjet, nostalgjitë dhe shqetësimet më të thella të zemrës së njeriut, pasi është përgjigjja e dhënë nga vetë Zoti.

Në mesazhin e tij për DBR-në, Papa i këshillon të rinjtë ta ndjejnë Krishtin si mik të vërtetë. Si mund të ndihmohen të rinjtë e sotëm për ta vënë në jetë këtë ftesë?

Në jetën e çdo njeriu është themelore që Krishti të ndjehet si mik, sepse vetëm Jezusi mund t’i japë kuptim të plotë ekzistencës njerëzore. Ati i Shenjtë na e kujton vazhdimisht. Në enciklikën e tij të parë, Benedikti XVI shkruan: “Në fillimet e të qëniet të krishterë nuk qëndron ndonjë vendim etik, apo ndonjë ide e jashtëzakonshme, por një takim me një ngjarje, me një Person, që i hap jetës horizonte të reja e me to, i jep edhe drejtimin kryesor” (Deus caritas est, n.1). Ungjilli nuk është doktrinë, as filozofi, por është një Person – Jezu Krishti e s’ka gjë më të bukur në jetë se takimi e lidhja e miqësisë së vërtetë me Të. Ungjilli është program pozitiv e tërheqës jete, prandaj ia vlen ta jetojmë çdo ditë e të jemi dishepuj të Krishtit… Është Ai, çelësi për të gjetur përgjigjet e përshtatshme për shumë probleme, sfida e shqetësime të të rinjve të sotëm. Veçanërisht, mendoj për rrezikun e madh të dukjes e të banalitetit, që krijon shoqëria e konsumit, për mungesën e perspektivave të së ardhmes në një botë ku përhapet gjithnjë e më shumë papunësia rinore… Të rinjtë që rriten së bashku me DBR-të janë ata, që në këto takime të mëdha me Pasardhësin e Shën Pjetrit, e kërkojnë Krishtin si Mik, Zot e Mësues… Kjo nuk është rrugë për të ikur nga realiteti, por për ta përballuar atë e problemet e tij, në një mënyrë të ndryshme, me arsye, deri në fund…

Pas Këlnit e Sidnejt, ajo e Madridit është DBR-ja e tretë për Benediktin XVI. Sipas jush, cila do të jetë karakteristika dalluese e kësaj ngjarjeje?

Papa Benedikti XVI ecën me besnikëri në gjurmët e lëna nga Parardhësi i tij, i Lumi Gjon Pali II dhe, i pëlqen ta kujtojë Papën Vojtila si “nismëtari gjenial i Ditëve Botërore të Rinisë, një intuitë – ka thënë Jozef Racinger – që e konsideroj frymëzim hyjnor”… Kohët e fundit, në librin-intervistë “Drita e botës”, pohon: “Këto Ditë Botërore të Rinisë janë kthyer në dhuratë të vërtetë. Nëse mendoj sa të rinj gjejnë aty pikënisjen e re për të ushqyer shpirtin, sa nisma të fesë lindin prej tyre, sa gëzim mbetet e, sa shumë luten në ato Ditë, duhet të them: këtu ndodh diçka që nuk është vepër e jona…” (f. 163). Çdo DBR ka pra, një përmasë profetike për Kishën e për botën e sotme. Përsa u përket tipareve karakteristike të këtij edicioni të DBR-së, duhet vënë në dukje se ajo zhvillohet në Spanjë: mund të themi pra, në zemër të Evropës, kontinent, që ka nevojë të rigjejë rrënjët e veta të krishtera. E gjithë bota, por veçanërisht Evropa – nën një shekullarizëm pa fre, karakterizuar nga erozioni i fesë e nga një krishterim i lodhur - ka nevojë për dëshminë “e freskët” të fesë së rinisë, plot gëzim e hov misionar. Por DBR-ja e Madridit ka edhe një tipar tjetër karakteristik. Kjo Ditë kremtohet pas lumnimit të Gjon Palit II, themeluesit të DBR-ve. Papa Vojtila kthehet kështu në mesin e të rinjve, të cilët i deshi dhe e deshën shumë, por tani kthehet si Pajtori e Mbrojtësi i tyre i Lum. Vërtet, kremtimi eukaristik i mirëseardhjes për të rinjtë shtegtarë, kryesuar nga Kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Antonio Maria Rouko Varela, të martën, më 16 gusht, do t’i kushtohet pikërisht të Lumit të ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.