2011-08-09 11:06:43

Festa e shën Terezës Benedikta e Kryqit, martire e nazizmit për hir të dashurisë për Zotin e për popullin e saj


Kisha kremton sot festën e shën Terezës Benedikta e Kryqit, e cila para se të bëhej murgeshë, mbante emrin Edit Shtajn e pasi u bë karmelitane e u martirizua për Krishtin, u shpall shenjte dhe bashkëpajtore e Evropës. Filozofja gjermane e fesë hebraike u kthye në fenë e krishterë në vitin 1921, pasi lexoi autobiografinë e shën Terezës së Avilës. Si sot, në vitin 1942, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit së bashku me të motrën Roza. Mëse një herë, Benedikti XVI, në katekizmin e tij, është ndalur e ka reflektuar për këtë figurë martireje. Prekëse, fjalët e Papës për Edit Shtajnin, me rastin e vizitës në kampin nazist të Aushvicit, në maj të vitit 2006. Në “tmerrin e natës” se Luftës II Botërore, pati thënë Ati i Shenjtë, shën Tereza Benedikta e Kryqit nuk e humbi kurrë shpresën në Zotin e jetës e të dashurisë. Ajo u bë martire, sepse e ndoqi Hyjin deri në fund e kështu, fitoi mbi urrejtjen e mbi dhunën. Po të fshihej në një kuvend karmelitanesh në Hollandë, Edit Shtajn mund të shpëtonte nga furia e Gestapos, që e kërkonte pse ishte çifute, por ajo, megjithëse tashmë e krishterë, ndjehej bijë e Izraelit e ndau fatin e popullit të saj deri në dhomën me gaz, ku e mbytën bashkë me të tjerë më 9 gusht 1942. E Papa ndalet pikërisht në dëshminë, që dha shenjtja:RealAudioMP3

“Si e krishterë dhe hebre, ajo pranoi të vdiste së bashku me popullin e vet dhe për të. Gjermanët, që atëherë u sollën në Aushvic-Birkenau e këtu edhe vdiqën, shiheshin si “Abschaum der Nation”, si plehrat e kombit. Por tani, ne i shohim me mirënjohje si dëshmitarë të së vërtetës e të së mirës, që nuk kishte perënduar edhe në këtë popull. I falenderojmë këta njerëz, sepse nuk iu nënshtruan pushtetit të së keqes e tani qëndrojnë para nesh si dritat në natën e errët” (Aushvic, 28 maj 2006).

Si filozofe, nxënëse e Huserlit, Edit Shtajn kërkoi gjithnjë të vërtetën. E gjeti në Kryq dhe kuptoi se e vërteta është një Person: Jezu Krishti. Vetëm duke marrë Kryqin mbi supe, na mëson ajo, mund të pranojmë vullnetin e Zotit, edhe para vuajtjeve më të tmerrshme. “Sa më shumë të bjerë nata rreth nesh – thoshte Edit Shtajn – aq më shumë duhet ta hapim zemrën për dritën që vjen nga lart”:

“Shenjtja karmelitane Edit Shtajn na e dëshmoi këtë në kohë persekutimesh. Kështu shkruante nga Karmeli i Këlnit në vitin 1938: ‘Sot e kuptoj… se ç’do të thotë të jesh nusja e Zotit nën shenjën e kryqit, megjithëse plotësisht nuk do të kuptohet kurrë, pasi është mister…” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 20 qershor 2010).

Edit Shtajn, ashtu si shën Masimilian Kolbe, edhe ai viktimë e çmendurisë naziste, na zbulojnë cila është llogjika e martirizimit: vdekja e Jezusit, flijimi i tij më i lartë për hir të dashurisë:

“Është llogjika e kokrrës së grurit, që vdes për të mbirë e për të sjellë jetën (shih Gjn 12,24). Jezusi është kokrra e grurit, që vjen prej Zotit, kokrra hyjnore e grurit, që bie mbi tokë me dëshirën e vet, që lejon ta ndajnë e ta copëtojnë përmes vdekjes e, pikërisht nëpër këtë rrugë, mbin e lulëzon për të sjellë fryte në botën mbarë” (Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010)

“Nëse lexojmë jetën e martirëve – thotë Papa, duke menduar pikërisht për figura si Edit Shtajn e Masimilian Kolbe – çuditemi nga qetësia e guximi për të përballuar vuajtjet e vdekjen”. Hiri i Zotit, thekson Benedikti XVI, “nuk e mbyt lirinë e atij që martirizohet, përkundrazi, e pasuron dhe e ngre në qiell”:

“Martiri është një person jashtëzakonisht i lirë, i lirë para pushtetit të botës. Një person i lirë, që në një akt të vetëm përfundimtar i dhuron Zotit krejt jetën e vet dhe, në një akt tejet të lartë feje, shprese dhe dashurie e braktis veten në duart e Krijuesit e të Shëlbuesit të botës; flijon jetën e vet për t’u bashkuar plotësisht me Flijimin e Krishtit në Kryq. Me një fjalë: martirizimi është një akt i madh dashurie, që i përgjigjet dashurisë së pamatë të Zotit” (Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010).








All the contents on this site are copyrighted ©.