2011-08-08 17:40:24

Vendet arabe kundër Damaskut: Asad gjithnjë e më i vetmuar


Që sot paradite, në Siri vazhdon ofensiva ushtarake e trupave qeveritare të Damaskut kundër qytetit lindor Dayr az Zor. Vetëm dje, viktimat arritën në 60 vetë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun i bëri sërish thirrje presidentit sirian, Bashar al-Asad që të ndalë dhunën kundër civilëve, por ngrenë zërin edhe vetë vendet arabe. Arabia Saudite dhe Kuvajti kanë tërhequr ambasadorët, ndërsa Lidhja Arabe i ka kërkuar Asadit t’i japë fund konfliktit. Sot, universiteti i njohur sunit i Kajros, Al-Azhar deklaroi se qeveria siriane po i kalon kufijtë e arsyes. Nga ana tjetër, SHBA-të i kanë kërkuar Turqisë të bëjë presion mbi Damaskun. Komenti i gazetarit për çështjet e Lindjes së Mesme në të përditshme kishtare italiane “Avvenire”, Kamil Eid: RealAudioMP3

Sot, dëgjuam thirrjen e mbretit saudit Abdullah, i cili u bashkua me protestat e thirrjet për të ndalur përdorimin e ushtrisë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse vërtet që Këshilli i Vendeve të Gjirit Persik e pati ngritur zërin, por thirrja e mbretit saudit, i cili kërkon të ndalen menjëherë këto “masakra” – siç i quan – tregon se arabët do të mbajnë ndaj Sirisë të njëjtin qëndrim që mbajnë ndaj Libisë së Gedafit. Siria nuk mund të mbijetojë ekonomikisht pa ndihmën e këtyre vendeve, prandaj ky është kërcënim i hapur. Nesër, duhet të mbërrijë në Damask ministri i jashtëm turk, i cili do t’i sjellë një mesazh Sirisë – thuhet - me tone shumë të ashpra. Fatkeqësisht, diplomacia siriane, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, shkruan: “Nëse turqit do të na sjellin një mesazh të ashpër, do t’u përgjigjemi me të njëjtën monedhë”. Gjë, që tregon se regjimi nuk ka marrë parasysh asnjërën nga thirrjet e fundit.








All the contents on this site are copyrighted ©.