2011-08-08 17:48:27

Patriku greko-melkit i Damaskut kërkon paqe e demokraci për Sirinë.


Duke kujtuar thirrjen e Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, uroj që edhe në Siri të rivendoset sa më shpejt bashkëjetesa paqësore. Janë fjalët e patrikut greko-melkit të Damaskut, Gregori III Laham, pasi ndoqi me vëmendje e shqetësim, por edhe me mirënjohje të thellë e shpresë, lutjen e djeshme mariane, që sensibilizoi fuqimisht opinionin publik për situatën dramatike në Siri. E këtë mirënjohje Patriku i Damaskut e shpreh edhe në mikrofonin e Radios sonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Dëshiroj vërtet t’i them faleminderit Papës për thirrjen e për dashurinë ndaj Lindjes së Mesme: mblodhi Sinodin e posaçëm për këtë zonë të trazuar të botës, mbajtur në vitin 2010, një parapërgatitje e vërtetë, për të përballuar situatën e këtyre muajve, të këtij viti. Edhe ne bashkohemi në lutje me Atin e Shenjtë, në çenakull, posaçërisht në këtë muaj, që Lindja ia kushton Zojës së Bekuar. I ftuam gjithë të krishterët të luten çdo ditë në kisha për paqen e pajtimin; madje ftuam edhe vëllezërit tanë myslimanë të luten me ne, sepse këtë situatë duhet e do ta përballojmë së bashku.

Pyetje: - Thirrja juaj në këtë çast të vështirë?

Përgjigje: - Dëshiroj, njëkohësisht me Shenjtërinë e Tij e me zërin e tij kaq të fortë, t’i kujtoj Evropës, por edhe Amerikës, të punojnë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, që do t’i ndihmonte të gjitha vendet arabe për një ardhmëri më të mirë. Besoj se kjo rrugëzgjidhje ka shumë rëndësi për ne.

Pyetje: - Cilat janë druajtjet, por edhe shpresat e bashkësisë së krishterë?

Përgjigje: - Nuk kemi frikë nga Islami, kemi frikë nga kaosi, si në Irak. E duam t’u kujtojmë shtetasve arabë – të krishterë e myslimanë – në këtë situatë, si në Liban, ashtu edhe në Libi, në Egjipt, në Oman e në Jemen: “Duajeni njëri-tjetrin!”. Me dashurinë, që ka Zoti për ne, të krishterë e myslimanë, ne mund ta kapërcejmë këtë krizë e këtë situatë tragjike të botës arabe e të vijojmë së bashku – të krishterë, myslimanë e arabë – rrugën e paqes, të progresit, të lirisë e të demokracisë.

Mbi thirrjen e Papës për Sirinë, të dëgjojmë edhe komentin e nuncit apostolik në vend, imzot Mario Xenari, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kujtoj se është hera e dytë që Ati i Shenjtë bën thirrje për situatën në Siri. Kjo tregon se Papa e ka tepër për zemër këtë zonë të botës lindore. Kujtoj edhe se Siria, me të drejtë, njihet si “djep i krishterimit”. Pas Jeruzalemit, krishterimi u përhap menjëherë këtu, në këtë zonë. Kjo tokë në shtatë shekujt e parë, i dhuroi Kishës gjashtë papë. Duhet kujtuar edhe se Siria ka qenë, e vijon të jetë, vend shembullor për harmoninë ndërmjet feve, për respektin reciprok ndërmjet shumicës myslimane e pakicës së krishterë. Ne duam të shpresojmë se kjo klimë mund e duhet të vazhdojë. Duam, prandaj, të lutemi e të shpresojmë, që të gjindet rruga për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

Pyetje: - Papa i bëri thirrje si autoriteteve, ashtu edhe popullsisë, që të punojnë për rivendosjen e bashkëjetesës. A mund të ndihmojnë krijimi i shumë partive e njoftimi për zgjedhjet në këtë drejtim?

Përgjigje: - Natyrisht, duhet që kjo të bëhet në kuadrin e një dialogu kombëtar që, për fat të keq, has ende shumë pengesa. Shpresojmë se vullneti i mirë nuk do të mungojë. Papa, me të drejtë, i inkurajon të gjitha palët pikërisht për vullnet të mirë. Sepse duhet ta kenë këtë vullnet, si autoritetet, ashtu edhe opozita.

Pyetje: - Cili është kontributi që mund të japë, në këtë situatë, bashkësia e krishterë?

Përgjigje: - Ndihma e të krishterëve mendoj se duhet të jetë themelore. Më se një meshtar më ka nxitur të vërej se të krishterët kanë këtë karakteristikë: janë urë lidhëse ndërmjet etnive të ndryshme, urë, që ndihmon për të gjetur rrugë të reja për pajtim e harmoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.