2011-08-08 17:48:53

Në Shën Pjetër e në Kastel Gandolfo përkujtohet Pali VI, në 33 vjetorin e vdekjes.


Figura dhe vepra e Palit VI u kujtuan, 33 vjet pas vdekjes, në dy kremtime, njëri në Bazilikën e Shën Pjetrit e tjetri, në kishën famullitare të Shën Tomës së Vila Nuovës, në Kastel Gandolfo.
Në homelinë e Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit – shkruhet në L’Osservatore Romano – kryeipeshkvi i Trieshtes, imzot Xhampaolo Krepaldi, kujtoi në mënyrë të posaçme lidhjen e ngushtë e të jashtëzakonshme të Papës breshian me Eukaristinë e kremtuar e të adhuruar. Pasditet e të dielave, kur nuk ishte në shtegtim apostolik ose në vizita ndër famullitë romake, i kalonte në kapelën e pikturuar nga artistë të mëdhenj, që ai i njihte mirë e i çmonte, në gjunjë para tabernakullit, ku rrinte orë e orë në adhurim, duke ia besuar Krishtit në Hosten shenjte, problemet e rrugëzgjidhjet për përtëritjen shpirtërore e baritore të Kishës. Eukaristia e Rruzarja: në këto dy fjalë mund të përmblidhet gjithë jeta e Papës Montini, Njeriut të madh, që ndiqte me vëmendje çdo realitet shoqëroro-kulturor e fetar, me vetëdijen e misionit të lartë, që i kishte ngarkuar Zoti.
Me këtë frymë, gjatë një fjalimi, mbajtur në kuadrin e një takimi ekumenik përballë përfaqësuesve të Kishave motra e të bashkësive të ndryshme kishtare, pati pohuar: “Jam Pjetri e për virtyt të këtij misioni, tregoj e kërkoj, bashkë me ju, rrugën e bashkimit të plotë! Rrugë që e kërkon vetë Krishti!”.Ipeshkvi i Albanos, imzot Marçelo Semeraro, gjatë Meshës, kremtuar në famullinë papnore të Shën Tomës së Vila Nuovës, në Kastel Gandolfo, kujtoi disa nga kulmet e misionit të Papës Montini, duke nisur nga Letra e tij e parë baritore për Kreshmët e vitit 1995, menjëherë pas vizitës së tij në Milano: “Ti je i nevojshëm, o Krisht – shkruante Pali VI – je i nevojshëm, o i vetmi Mësues i mirëfilltë i të vërtetave më të panjohura e më të pamenduara të jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.