2011-08-08 17:48:17

Në Engjëllin e Tënzot, thirrja e Papës për bashkëjetesë paqësore në Siri dhe përfundimin e dhunës në Libi.


Në mes të shqetësimeve, problemeve, vështirësive, që e trazojnë detin e jetës sonë, të jehojë rishtas në zemra fjala inkurajuese e Jezusit: “Guxim, jam unë, mos kini frikë!”, e të bëhet më e fortë feja jonë. Këtë ftesë u drejtoi dje Papa besimtarëve gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos.
Pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e tij të thellë për vijimin e dhunës në Siri e vringëllimën e armëve, që nuk di të pushojë, në Libi.RealAudioMP3

Prandaj Benedikti XVI bëri një thirrje të fuqishme për Sirinë, pasi kujtoi episodet dramatike të dhunës, që shtohen çdo ditë, duke shkaktuar vdekjen e një numri gjithnjë më të madh njerëzish e, jo më pak, edhe vuajtje të rënda:
I ftoj besimtarët katolikë të luten, që përpjekja për pajtim të fitojë mbi përçarjen e mllefet. Përsëris thirrjen drejtuar autoriteteve dhe popullsisë siriane për ta rivendosur sa më shpejt bashkëjetesën e për t’u dhënë përgjigjen e duhur shpresave të shtetasve, duke respektuar dinjitetin e tyre e duke ndikuar pozitivisht edhe mbi stabilitetin në rajon”.
Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi edhe në Libi, vend i tronditur thellë nga sulmet ajrore të Natos e nga luftimet e ashpra ndërmjet forcave qeveritare e atyre kryengritëse:
“Forca e armëve nuk i ka zgjidhur kurrë problemet. I nxis Organizmat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike e ushtarake, ta rinisin me bindje e vendosmëri kërkimin e një plani për rivendosjen e paqes në vend, përmes bisedimeve e dialogut konstruktiv”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u ndalua, si zakonisht, tek faqja e Ungjillit të djeshëm, në të cilën Jezusi, pasi tërhiqet në një skaj të vetmuar në mal, lutet gjithë natën. Kështu Zoti, larg njerëzve e edhe larg dishepujve, tregon lidhjen e ngushtë me Atin e nevojën për t’u lutur në vetmi, larg zhurmave të botës. Por - shpjegoi Papa – ky largim nuk duhet kuptuar si qëndrim indiferent ndaj njerëzve, e aq më pak, si braktisje e Apostujve:
“Përkundrazi – rrëfen Shën Mateu – ai i porositi dishepujt të hyjnë në barkë e të kalojnë, para Tij, në anën tjetër (Mt 14,22), për t’u takuar rishtas. Ndërkaq barka, shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse lundronte kundër erës (v 24). E ja se në agim të ditës Jezusi erdhi kah ata, duke ecur mbi det (v25); dishepujt u tronditën thellë e, duke kujtuar se ishte fantazmë, bërtitën nga frika, nuk e njohën e nuk e kuptuan se ishte Zoti. Por Jezusi i qetësoi e u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”.
Këtë episod - vërejti Papa- e kanë komentuar Etërit e Kishës, duke nxjerrë prej tij një pasuri të madhe simbolesh:
Deti simbolizon jetën e përditshme e paqëndrueshmërinë e botës së dukshme; stuhia, trazirat, vështirësitë, që s’e lenë njeriun të qetë. Ndërsa barka është simbol i Kishës së ndërtuar nga Krishti e të drejtuar nga Apostujt. Jezusi dëshiron t’i edukojë dishepujt e vet t’i përballojnë me guxim dallgët e jetës, duke u mbështetur fort në Zotin, në Atë, që iu duk Elisë mbi Malin Horeb, në fëshfërimën e lehtë të flladit” (1 Mbr 19,12).
Fragmenti i Ungjillit vijon me gjestin e Pjetrit, që i kërkon Jezusit të shkojë kah Ai, duke ecur mbi ujë. Jezusi e fton të niset. Po Pjetri, i turbulluar nga era tepër e fortë e nga frika, se mund të mbytej, nisi të fundosej vërtet mes dallgëve e i kërkoi Krishtit ndihmë, duke bërtitur me sa zë që kishte:
“Pjetri nuk ecën mbi ujë me forcën e tij, por me ndihmën e Hirit hyjnor, në të cilin beson, e, kur nis të dyshojë, kur nuk i mban më sytë të ngulur tek Jezusi, por fillon të ketë frikë nga era; kur nuk i beson më plotësisht fjalës së Mjeshtrit, gjë që do të thotë se është duke u larguar prej Tij, atëherë rrezikon të fundoset në detin e jetës. E kështu edhe ne: në se shikojmë vetëm vetveten, varemi nga erërat e nuk jemi në gjendje të shpëtojmë nga stuhitë, nuk mund të ecim mbi ujin e trazuar të jetës”.
Zotin – pohoi Papa duke kujtuar fjalët e mendimtarit Romano Guardini – e kemi gjithnjë pranë, sepse është rrënja e jetës sonë. Megjithatë, duhet ta provojmë lidhjen tonë me Krishtin, kur jemi pranë, e larg Tij. Nga afërsia me Të, fitojmë forcë; nga largësia, vihemi në provë:
“Të dashur miq, përvoja e Elisë Profet, që dëgjoi kalimin e Zotit, e ankthi i dyshimit, që e vuri në rrezik Shën Pjetrin Apostull, na ndihmojnë të kuptojmë se Zoti vjen të na takojë, para se ta kërkojmë e para se ta thërrasim; ul qiellin për të na shtrirë dorën e për të na ngritur në lartësinë e tij, pret vetëm që t’i besojmë plotësisht, t’ia shtrëngojmë me të vërtetë dorën”.
Ndërmjet problemeve e shqetësimeve të pafundme, në këtë kohë krize, thellohen ditë për ditë vështirësitë, që lidhen me punësimin. Duke kujtuar këto vështirësi, Papa, në sa përshëndeste shtegtarët e gjuhës italiane, iu drejtua në mënyrë të posaçme përfaqësisë së punëtorëve të ndërrmarrjes Irisbus di Flumeri, ardhur nga Avelino në Kastel Gandolfo për lutjen e Engjëllit të Tënzot:
“... uroj me gjithë zemër të zgjidhen pozitivisht problemet, që kanë të bëjnë me mungesën e punës. Të shpresojmë! Të gjithëve u uroj: “Të diele e javë të gëzuar!”.Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI përshëndeti edhe të rinjtë e dioqezës së Albanos, që do të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, në Madrid, nga 16 deri më 21 gusht.







All the contents on this site are copyrighted ©.