2011-08-08 17:40:07

Arrijnë në Mogadisho ndihmat e OKB-së, por luftimet vazhdojnë


Vazhdon emergjenca në Somali. Në kryeqytetin Mogadisho mbërriti avioni i parë me ndihmat e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, por në shumë zona vazhdojnë luftimet. Konflikti ndërmjet trupave qeveritare dhe militantëve islamikë të grupit ekstremist Shabaab, jo vetëm që i shkakton probleme popullsisë, por bëhet pengesë edhe për shpërndarjen e ndihmave. Tensioni është i lartë në të gjithë Bririn e Afrikës, ku shpesh kamionët me ndihma plaçkiten. Të dëgjojmë koordinatoren italiane të projekteve të Vullnetariatit Ndërkombëtar për Zhvillimin, Gloria Paoluçi, nga Etiopia:RealAudioMP3

Regjistrojmë hyrjen e 2 mijë somalezëve në ditë. Kampet e refugjatëve, të hapura në zonën Dolo Ado, janë mbipopulluar. Javën e kaluar u hap kampi i katërt i refugjatëve e parashikohet të mbushet në 30-40 ditë. Gjatë viteve të kaluara, njerëzit hapnin puse me dorë e në thellësinë 10 metra gjenin ujë. Këtë vit, është e domosdoshme të arrihet në 20 metra e kjo nuk është e lehtë. Shumë organizata humanitare patën dhënë alarmin para se fillonte emergjenca, por nuk u dëgjuan. Tani, ndihmat janë të kufizuara, edhe për shkak të bllokimit të tyre nga milicitë Shabaab.







All the contents on this site are copyrighted ©.