2011-08-06 12:26:47

Shenjtorët e javës 7-14 gusht


të dielën e 19-të të vitit kishtar, kalendari na kujton festën e shën Sikstit II, papë e të shokëve të tij martirë, si edhe të shën Gaetanos Tiene, meshtar, themelues i teatinëve. Në detin e trazuar, dishepujt mbi varkë mendojnë se po shohin një fantazmë që shkon drejt tyre, na tregon Ungjilli i sotëm. Është Jezusi, që i fton të mos kenë frikë e të besojnë në Të. Një episod simbolik, i ngjashëm me rrugën, që përshkon Kisha, në detin e trazuar të botës: gjithnjë të sulmuar nga e keqja, nganjëherë, dishepujt e Krishtit mendojnë se ai është larg, por Zoti afrohet si një puhizë e lehtë, gati e pandjeshme, për të zgjuar në zemra fenë.

Të hënën, 8 gusht, Kisha Katolike kremton shën Domenikun nga Guzman, meshtar, themelues i Urdhërit të Predikatarëve, si edhe shenjtorët Qiriako, Largo e Smaragdo, martirë. Kremtoje Zotin, o Jeruzalem, thotë psalmi i kësaj dite. Ndërsa në Ungjill, Jezusi është i vetëdijshëm për ditët e errta që e presin, por, duke pasur parasysh Ringjalljen, vazhdon të na edukojë për të krijuar marrëdhënie të drejta me institucionet fetare e politike.

Të martën, më 9 gusht, përkujtohen shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër e martire, pajtore e Evropës, si edhe shën Romani, martir. Ja dhëndrri – thotë psalmi i kësaj dite – shkoni ta takoni Krishtin Zot. Edit Shtajn – ky është emri i shën Terezës para se të bëhej murgeshë – shkon të takojë Krishtin në rrugët e filozofisë, të fesë e të martirizimit në kampin nazist të Aushvicit, duke dëshmuar se në çdo çast, në çdo situatë, duhet të jemi gati për ardhjen e Hyjit.

Shën Lorenci, diakon e martir dhe shën Blano kujtohen të mërkurën, më 10 gusht. Gjaku i derdhur nga shën Lorenci dëshmon se kush e humb jetën për Krishtin në këtë botë, do ta ruajë atë për amshim. Lum njeriu që ka frikën e Tënzot, këndon psalmi i kësaj dite.

Të enjten, më 11 gusht, Kisha Katolike kremton shën Kiarën e Asizit, virgjër, themeluese e Klariseve, shën Tiburcin, martir dhe shën Suzanën romake. Shën Kiara, me butësinë dhe vendosmërinë e saj, na nxit të imitojmë Atin Qiellor: të falim gjithnjë me zemër të tjerët, duke pasur mëshirë për ata, që e kërkojnë faljen prej nesh. E kështu na mëson edhe Krishti në Ungjillin e ditës.

“Dashuria e tij është përgjithmonë” këndon të premten psalmisti. Më 12 gusht përkujtohen shën Gjovana Françeska di Shantal, rregulltare, shën Inoçenci XI, papë, shën Erkolani e shën Leila. Në Ungjill, Jezusi shndërron thellësisht të gjitha marrëdhëniet, edhe ato ndërmjet burrit e gruas, duke i quajtur farisenjtë zemërgurë, pasi i përzënë gratë për të marrë të tjera. Çifti bashkëshortor, me këtë ndërhyrje të Krishtit, bëhet i pandashëm, simbol i dialogut ndërmjet Zotit e njerëzimit.

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë”: këto fjalë të Jezusit jehojnë në Ungjillin e së shtunës, 13 gusht, duke na kujtuar se vetëm ata që bëhen vërtet të vegjël, pra që ia besojnë veten krejtësisht Hyjit, mund të hyjnë në portat e Mbretërisë së Qiellit. Në këtë ditë kremtojmë shën Poncianin, papë e shën Ipolitin, meshtar, të dy martirë, si edhe shën Gjonin Berkmans, jezuit.

E diela e ardhshme, 14 gusht, është e 20-ta e vitit kishtar. Shën Masimilian Maria Kolbe, shenjt i kohëve të vështira të nazizmit, mbush në këtë ditë 70-vjetorin e martirizimit. E ofroi veten në vend të një babai me familje e fëmijë, për të vdekur me mundime në bunkerin e urisë, ku e hodhën nazistët në Aushvic.







All the contents on this site are copyrighted ©.