2011-08-06 12:28:51

Kremtime në Hiroshimë për 66-vjetorin e shpërthimit të bombës atomike


Kremtime fetare e manifestime të tjera civile u mbajtën dje në Hiroshimë të Japonisë, në 66 vjetorin e shpërthimit atomik të 6 gushtit 1945. Dita filloi në orën 6.15 me një takim ndërfetar lutjeje e më pas, me përkujtimin e ngjarjes në Parkun “Memoriali i Paqes”. Në katedralen e qytetit, u kremtua mesha për të gjitha viktimat e bombës atomike e të të gjitha luftrave, pasuar nga një koncert për paqen.
Me organizimin e dioqezës së Hiroshimës, u zhvilluan dje, më 5 gusht, nisma të tjera, ndër të cilat Takimi “Dëshmi 1945 – 2011”, një përvojë lutjeje me anglikanët e një marrshim për paqen. Pjesëmarrësit u mblodhën pastaj në katedrale, ku u kremtua liturgjia eukaristike mbrëmësore për pajtimin e harmoninë ndërmjet kombeve.
Të gjitha këto veprimtari bëjnë pjesë në aktivitetin “Dhjetë ditë për paqen”, i cili zhvillohet çdo vit në Japoni. Filloi më 6 gusht e do të përfundojë më 15, në festën e Zojës së Madhe. Në mesazhin e tij për këtë rast, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të vendit, imzot Leo Jun Ikenaga i fton besimtarët të luten edhe për 20 mijë viktimat e tërmetit e të tsunamit, që goditi Japoninë verilindore më 11 marsin e shkuar, të luten për të mbijetuarit, për ata që humbën të dashurit, shtëpinë e gjithçka kishin, si edhe për ata që vazhdojnë të luftojnë me radioaktivitetin, dalë nga centrali i Fukushimës.
“Gjatë kësaj tragjedie të tmerrshme – vëren kryeipeshkvi i Osakës – kemi qenë dëshmitarë të rritjes së lëvizjeve të vullnetarëve e të solidaritetit ndërmjet njerëzve. Janë grupe, të formuara nga njerëz, që ecin në rrugën e paqes së Zotit. Kur ne besimtarët ndihmojmë njëri-tjetrin, fshijmë nga zemra urrejtjen e etjen për hakmarrje e bindemi plotësisht për kotësinë e çdo konflikti, duke u bërë edhe më të vendosur në mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu, krijuar në ngjashmëri me Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.