2011-08-06 12:24:18

Drejt DBR-së së Madridit. Atë Hulian Karròn: rast për të treguar se feja bazohet në arsyen


Na ndan një javë nga Dita Botërore e Rinisë në Madrid, e cila do të fillojë më 16 gusht e do të vazhdojë deri më 21 gusht. Papa pritet të mbërrijë në datën 18. Të rinjtë nga e mbarë bota po nisen për në kryeqytetin spanjoll, ku nga data 11 deri më 15 do të marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara nga dioqezat e ndryshme për ta. Po përgatiten edhe të rinjtë e Lëvizjes kishtare “Bashkim e Çlirim”, në të cilën marrin pjesë të rinj shqiptarë. Lëvizja e themeluar nga don Xhusani do të mbërrijë në Madrid me përvojën e saj të fesë, bazuar mbi një fakt të vetëm: takimin me Krishtin. Në mikrofonin tonë, kryetari i saj, atë Huan Karròn:

Lëvizja “Bashkim e Çlirim” po përgatitet për këtë ditë si zakonisht, duke u përpjekur ta jetojmë fenë e ta verifikojmë vazhdimisht besimin tonë në Krishtin. Don Xhusani flet për këtë fe, duke u shqetësuar për arsyetimin e saj, pra për vërtetësinë e bazave të saj në Krishtin. Vetëm një fe e përjetuar si përvojë e përditshme, e pranishme, mund t’i rezistojë një bote, ku gjithçka na thotë të kundërtën. Kjo është sfida që kemi përpara ne, të krishterët e kohës sonë: të kuptojmë gjithnjë e më tepër arsyet e fesë, ashtu siç kërkon edhe Papa.
Edhe tema e Ditës Botërore të Rinisë është “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë ne fe”…
Po pra, Papa e zgjodhi këtë temë pikërisht nga shqetësimi për të kapërcyer ndarjen ndërmjet dijes dhe besimit, që të gjithë të krishterët ta kuptojnë se feja ka baza të shëndosha në arsye. Rëndësia e fesë për jetën kuptohet vetëm nëse ne përjetojmë përvojën e verifikimit të fesë, pasi kjo na jep arsyet e bashkimit tonë me Krishtin, na bën të shohim ç’mrekulli, ç’risi sjell Krishti në jetën tonë. Nga kjo përvojë rrjedh pasioni për Krishtin, që na bën ta jetojmë jetën me mirënjohje për takimin, që kemi me Të.
Ju jeni spanjoll. Sipas jush, ç’rëndësi ka kjo Ditë Botërore për Spanjën?
Për Spanjën, më duket një rast i mrekullueshëm për të kuptuar ku i ka rrënjët. Për ne, feja është themeli i historisë, por ashtu si gjërat e tjera, nuk mund të jetojë vetëm me të kaluarën, nuk mund të jetojmë vetëm duke parë mbrapa. Nëse feja e të krishterëve spanjollë nuk konfirmohet përmes përvojës jetësore të tanishme, do të mbetet thjesht një zakon, që vjen nga e kaluara. Duhet ta zbulojmë sot, tani – të themi – “leverdinë e saj për njeriun”, në një botë, që nuk i jep rëndësinë e duhur dhe e sheh vetëm si të kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.