2011-08-05 18:02:44

Fao kërkon ndihma urgjente për Bririn e Afrikës, ku uria vijon të shkaktojë dhjetra mijëra të vdekur.


Gjithnjë më e rëndë, situata në Somali, ku zija e bukës po shtrihet në të gjitha trojet kombëtare. Dramatik, niveli i mungesave ushqimore e tragjike, gjendja e popullsisë, që vijon të ravgojë drejt kryeqytetit, Mogadisho dhe kufirit jugor me Kenian, në kërkim të ushqimit. Po ushqimi mungon, deri në vdekjen nga uria. Janë 13 milionë, njerëzit e prekur nga kjo krizë, më e rënda e viteve të fundit në këto vise, të cilat vuajnë gjithnjë nga thatësira e pasojat e saj. Sipas llogarive, më se 3 milionë e 700 mijë vetë kanë nevojë të menjëhershme për ushqim.
Fao ka shpallur situatën emergjente në zonat qendër-jugore të vendit e në disa zona të Mogadishos, ku në pak ditë arritën më se 100 mijë të shpërngulur nga fshatrat fqinje. E sikur të mos mjaftonte uria, mbi këto zona nisën reshje të rrëmbyera e ndeshje edhe më të rrëmbyera, ndërmjet ushtrisë qeveritare e milicëve islamikë të Shaababit, që kontrollojnë 20% të qyteteteve, duke krijuar pengesa serioze për arritjen e ndihmave humanitare.
Milicët e lidhur me Al Kaeden e mohojnë zinë e bukës dhe përpiqen ta ndalojnë ikjen nga zonat fshatare, prej nga, ku duke kërcënuar e ku duke premtuar pasuri, rekrutojnë forca të reja të armatosura. Synojnë, kështu, të grumbullojnë nën armë, të rinj nga mosha 12 deri në 18 vjeç. Deri tani, vetëm 20% e ndihmave humanitare arrijë në vendin e caktuar.
Prej këndej, Fao, agjencia e Kombeve të Bashkuara për ushqimin e bujqësinë, i bëri përsëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, që t’i shpeshojë ndihmat për popullsitë e Bririt të Afrikës, ku vijojnë të vdesin dhjetra mijëra njerëz, ushqimet shpërndahen me pikatore e organizatat zonale, si Bashkimi Afrikan, nuk janë në gjendje të ndërhyjnë, për të hapur një spirale shprese, në këtë situatë gati-gati pa shpresë, që po shkreton kryesisht tre vende: Somalinë, Kenien e Etiopinë, duke krijuar rrezikun e zgjerimit edhe në zona të tjera të Afrikës, për t’u bërë zi buke kontinentale, me pasoja katastrofike për mbarë botën. Flitet për një miliard e 200 mijë dollarë, që të përballohet me sukses situata. Por flitet edhe për ndërhyrje klasike: shpërndarje ushqimi, uji, ilaçesh, në mënyrë që sa më shumë njerëz të shpëtohen nga vdekja e sigurt.







All the contents on this site are copyrighted ©.