2011-08-04 15:12:06

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'bukuria'!


Të dashur dëgjues, vera na gjen shpesh në pushime, natyrisht, ata që munden të shkojnë, por edhe ata që nuk munden, përpiqen ta kalojnë këtë periudhë duke u shplodhur, duke u argëtuar e duke ndjekur bukuritë e natyrës, apo të aktiviteteve të ndryshme kulturore, që zhvillohen në këtë sezon. Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa i ftoi besimtarët të lexojnë Biblën, duke filluar nga librat më artistikë të saj, më të bukur, por, për të mos e harruar Zotin edhe gjatë verës e për ta shplodhur e ushqyer shpirtin, do të mjaftonte të shihnim në natyrën që na rrethon e në bukuritë e saj dorën e Hyjit. Në emisionin e sotëm do të flasim për kuptimin e krishterë të fjalës “bukuri”, shpesh aq e keqpërdorur nga imazhet televizive e moda, sa t’i ndryshohet krejtësisht thelbi.
741 herë me radhë, në Besëlidhjen e Vjetër përmendet një fjalë e ngjashme me puhizën, “tôb”: kuptimi i saj gjendet diku ndërmjet fjalëve “mirë” dhe “bukur” e kjo na bën të kuptojmë se për Biblën, bukuria e mirësia, estetika dhe etika ndërthuren në mënyrë të pazgjidhshme. Dy janë shembujt më domethënës, që mund të japim për këtë. Nga njëra anë, krijimi: në fundin e çdonjërës nga gjashtë ditët, gjatë të cilave Zoti krijon botën, Shkrimi i Shenjtë vëren: “Hyji pa se ishte ‘tôb’”, pra ishte gjë e mirë dhe e bukur (Zan 1,4.10.12.18.21.25). Kur Zoti krijon njeriun, Shkrimi i Shenjtë përdor shkallën sipërore, sepse kjo krijesë është “shumë e bukur/e mirë” (1,31), maja më e lartë e krijimit.
Nga ana tjetër, figura e Krishtit: Ungjilli i Shën Gjonit e përshkruan me një imazh biblik, atë të bariut. Zakonisht, frazën përkatëse nga ky Ungjill e përkthejmë kështu: “Unë jam Bariu i Mirë” (Gjn 10,11.14). Në të vërtetë, në origjinalin grek thuhet: “Unë jam Bariu i Bukur (kalòs)”, duke e përdorur fjalën ‘i bukur’ në vazhdën e kuptimit të fjalës hebraishte ‘tôb’, që përmendëm më parë, në të cilën bashkohen bukuria dhe mirësia e Krishtit me shkëlqimin e Lajmit, që Ai erdhi të na sjellë – diçka që e rrethon me dritë, siç ndodh gjatë Shndërrimit të Tij, përshkruar nga ungjijtë (Lk 9,29).
Në Bibël, bukuria ëshë një cilësi hyjnore, që pasqyrohet në gjithësi me krejt ndryshueshmërinë e pasurinë e saj. Jo më kot, në Librin e Urtisë shkruhet se “prej madhërisë dhe bukurisë së krijesave mund të njihet me krahasim, Krijuesi i tyre”(13,5). Pasqyrimi më i lartë i bukurisë së Zotit shihet tek njeriu, krijuar “në ngjarshmëri” me Hyjin, siç thekson Libri i Zanafillës(1,27). Kënga e Këngëve, me përshkrimet e saj delikate e të apasionuara të trupit të gruas e të burrit, në gjithë hirin e tyre magjepsës(kap. 4;5;7) është dëshmia më e qartë e kësaj bukurie, nëse kemi parasysh edhe se trupi, në konceptimin semit të kohës, nuk është thjesht fizik, por edhe shpirtëror, pra përfshin gjithçka ka të bëjë me njeriun, edhe botën e tij të brendshme.
Ky bashkim ndërmjet shpirtit dhe trupit fizik na tregon se bukuria duhet të ndërthuret me qashtërsinë e ndërgjegjes, me dritën e shpirtit. Në të kundërt, do të kishim vetëm një përmasë të jashtme të bukurisë, gjë që vihet mirë në dukje në Librin e Fjalëve të Urta, ku thuhet: “Hijeshia është e rreme e bukuria është e kotë: gruaja që e dron Zotin, ja, e cila duhet lavdëruar!” (31,30). Prej këndej, kuptohen edhe gjykimet e rënda të traditës popullore, që përmenden në këtë Libër: “Rreth i artë në turinjtë e dosës, gruaja e bukur, por e pamend” (11,22).
Bukuria shprehet gjithashtu në vetë tekstet e Shkrimit të Shenjtë. Vërtet, ato janë një monument i mrekullueshëm letërsie. Kemi faqe të tëra poetike, me intensitet të jashtëzakonshëm e me bukuri çarmatosëse, si në rastin e Librit të Jobit, në Këngën e Këngëve, ose në disa Psalme. Në to përshkruhet një pasuri e tërë me figura e simbole, të cilat kanë frymëzuar artin në shekuj. Pastaj, faqet biblike bëhen edhe më të çmuara nga tregimet e shembëlltyrat e mahnitshme të Jezusit. Prandaj, ftesa e Papës për të lexuar Biblën gjatë këtyre pushimeve verore duhet kuptuar edhe si ftesë për “t’i kënduar Zotit me art” (Ps 47,8), sepse “via pulchritudinis”, “rruga e bukurisë” së vërtetë është udhë e privilegjuar për të arritur tek Zoti i bukurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.