2011-08-04 15:11:51

Nunci në Madrid për DBR-në 2011: Papa do t’u sjellë shpresë të rinjve


Mbeten edhe 12 ditë nga fillimi i Ditëve Botërore të Rinisë, që do të kremtohen nga 16 deri më 21 gusht në Madrid të Spanjës. Të shumta janë nismat e të rinjve të kryeqytetit spanjoll dhe të atyre që përgatiten të nisen nga vendet përkatëse. Më 18 gusht mbërrin Papa. Madridi e pret me padurim e dioqezat spanjolle po organizojnë “ditët e dioqezës”, veprimtari nga 11 deri më 15 gusht, për të pritur të rinjtë nga e gjithë bota, për t’u lutur e për të shkëmbyer përvojën me ta. Pikërisht për mënyrën si po i pret Spanja Ditët Botërore të Rinisë, pavarësisht nga kriza ekonomike që e ka përshkuar, na flet në mikrofonin tonë nunci apostolik në Madrid, kryeipeshkvi Renco Fratini:
Spanja e pret Atin e Shenjtë me dëshirën e shpresën e madhe, që ai ta ndihmojë të përtërihet shpirtërisht. Po kalojmë një krizë vlerash e mendoj se Papa do të sjellë një frymë të re në këtë vend. Qyteti pret me padurim. Por, dua të nënvizoj edhe rëndësinë shpirtërore të Ditës Botërore të Rinisë: nuk është aq manifestim popullor, megjithëse interesante edhe në këtë drejtim. Kisha ngul këmbë mbi aspektin shpirtëror.
Madridi do të jetë ndoshta vendi, nga ku do të rifillojë ungjillëzimi i Evropës, përmes të rinjve. Si mendoni ju?
Po. Tema e ungjillëzimit të ri do të jetë edhe tema e Sinodit të ardhshëm e ndjehet shumë. Mendoj se ungjillëzimi i ri është shumë i rëndësishëm: sot, Kishës i kërkohet të niset nga fillimi e të japë shpresë të re. Të rinjtë e ndjejnë veten të zhgënjyer e kanë nevojë për shpresë të re. Kjo Ditë Botërore mendoj se do të shënojë fillimin e ri. Papa do të ketë çastin e Rrëfimit e do të japë edhe dëshminë e tij për të treguar se jeta e krishterë niset nga rinovimi i brendshëm, nga kthimi kah Zoti.
Ky është çast krize ekonomike për Spanjën, ashtu si për gjithë Evropën. Karakterizohet nga papunësia, sidomos e të rinjve. Por, pikërisht tani mbërrin ftesa e Papës për ta bazuar jetën në Krishtin, siç thotë tema e këtyre Ditëve Botërore të Rinisë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”…
Unë mendoj se rasti është i mirë për të rigjetur bazat e vendimit kryesor të jetës sonë të krishterë: ta jetojmë përditë krishterimin në marrëdhëniet me të tjerët, në përmasën e solidaritetit e t’a shtrijmë horizontin e krishterë në të gjithë botën. Disa kanë nënvizuar këtë çast të bukur: kremtimin në aeroportin “Cuatro Vientos”, parë si vend takimi, ku mbërrijnë njerëz nga e gjithë bota, të cilët do të kremtojnë Eukaristinë së bashku me Papën. Momenti i kremtimit në aeroportin “Cuatro Vientos” përfaqëson edhe një çast simbolik për të gjithë Kishën, që e mbledhur rreth Papës, do të kremtojë Krishtin e pranishëm në Sakramentin eukaristik. Uroj që gjithçka të shkojë mirë. Kemi lajme se do të marrin pjesë shumë të rinj vullnetarë: flitet për 20 mijë vetë nga e gjithë bota, që ndihmojnë në organizim me entuziazëm. Kjo na bën të shpresojmë për fryte të mira. Edhe në të kaluarën, në Ditë të tjera, të rinjtë kanë dëgjuar gjatë kësaj përvoje, thirrjen për jetën rregulltare, për meshtarinë e për jetën kundruese. Shpresojmë që të kemi një rinovim të jetës rregulltare e një valë të re thirrjesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.