Me 4 gusht kalendari përkujton shën Gjon Maria Vianej, meshtar
Gjon Maria Vianej lindi në Dardilì, pranë Lionit në Francë, më 8 maj 1786 në një familje
fshatare.Ishte pa ndonjë formim fillestar dhe donëse i mungonte kultura e nevojshme,
në gusht të vitit 1815 ia doli mbanesh të shugurohej meshtar, vetëm pse mbahej nga
të gjithë si model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar në Ars-an-Dombë,
iu kushtua plotësisht ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë shembull mirësie
e dashurie, ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte i denjë për detyrën e tij, ndjehej
krejt i papërgatitur për një mision kaq me përgjegjësi. Dhjetë vjet pas arritjes
së Gjon Maria Vianejt, Arsi ishte përplot me besimtarë e ai, që në fillim e kishte
të ndaluar të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit më të ndritur në historinë së Kishës.
Dëshmoi, kështu, se jo gjithnjë filozofia e teologjia janë të nevojshme për t’i afruar
shpirtrat tek Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet drejt dritës së Krishtit.
Po, le të ndalemi në disa hollësira të jetës së Shën Gjonit Maria Vianej. Dukej sikur
e gjithë bota ishte ngritur kundër dëshirës së tij për t’u bërë prift: i jati, i cili
nuk donte kurrsesi që i biri të ndiqte këtë rrugë; Revolucioni që çkristianizoi Francën;
Napoleoni që e thirri ushtar, në sa ai u detyrua të dezertonte, duke mos dashur t’i
shërbente njeriut që kishte burgosur Papën Piu VII. Do të ishte burgosur, po të
mos e kishte shpëtuar i vëllai, Fransua, që e zëvendësoi në ushtri. Më në fund, nën
udhëheqjen e me ndihmën e famullitarit të vet të Ekyji, pranë Lionit, Atë Ballì, Gjon
Maria Vianej në moshën 29 vjeç u bë prift në gusht të vitit 1815, në sa anglezët e
çonin Napoleonin të burgosur në ishullin e Shën Elenës. Shugurohej pa i kryer
studimet, e jo se e kishte penguar revolucioni. Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte
të argumentonte, as të predikonte... pra, nuk mund të realizonte dëshirën për t’u
bërë meshtar. Sikur thamë, u desh guximi i Abatit Sharl Balì, famullitar i Ekyji-së,
pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën drejt meshtarisë: ishte abati ai, që i dha mësim
në qelën e vet, që e dërgoi në seminar, që e mikpriti kur i ndërpreu studimet, që
vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi meshtar në Grenoblë. Meshtari
i ri e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth, me dëshirën për të ikur nga
famullia. Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin njerëz nga të katër anët, ashtu
siç shkohet në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë i njohur përmes ndihmës që u jepte
famullive të tjera, sidomos kur ishte nevoja për të rrëfyer. Ky famullitar, i përqeshur
nga priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur te ipeshkvi për “huqe” dhe “çrregullime”,
nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore, falë talentit të tij për të drejtuar
e për të ngushëlluar shpirtrat, u bë i njohur në të gjitha shtresat e shoqërisë franceze
të kohës. Njerëzit që ishin shpresëhumbur, largoheshin nga rrëfyestorja e tij
plot fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte veten të paaftë aq, sa provoi
dy herë të ikë nga famullia kishtare. E u kthye shumë shpejt mbrapsht, sepse në Kishë
e prisnin qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi të rrëfejë e të kremtojë meshë
deri në verën e vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje të shkonte në kishë, sepse po
jepte shpirt. E pagoi mjekun, duke e porositur të mos vinte më, sepse shihej qartë
që mjekimet ishin të kota. Kur njerëzit e morën vesh lajmin e vdekjes së Gjon
Maria Vianejt, s’mjaftuan trenat as veturat, për t’i përballuar shtegtarët që niseshin
drejt Arsit – shkruan një dëshmitar i kohës. Turma që donte t’i jepte lamtumirën e
fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt në Kishë dhjetë ditë e dhjetë netë.
Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925. Paraqitet si shembull e pajtor i klerit
të famullive kishtare.